Skerdjan Dhuli, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, i është drejtuar me një letër të hapur Lulzim Bashës, ndërsa i kërkon të largohet si kryetar i kësaj partie, pozicion që në fakt është shkarkuar nga Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetorit 2021.
Duke iu drejtuar Bashës, Dhuli shprehet “katastrofa e 6 marsit duhet të ketë përgjegjësi dhe ti më shumë se kushdo e di që kjo përgjegjësi nuk bie tek roja i derës por tek i pari i partisë”.
Reagimi nga Skerdjan Dhuli
Letër e hapur Lulzim Bashës
Njeriu që e shkruan këtë letër, për 9 vite ka hyrë vetëm një herë në zyrën tënde. 3 dhjetorin e 2015 tashmë shumë të largët.
Më pas rruga për tek ajo zyrë u mbyll, herë nga radha e gjatë e atyre që të shajnë sot por që të serviloseshin deri dje e herë nga disa prej këtyre që mban afër sot, që ti e di se as unë ata e as ata mua nuk e duam njëri-tjetrin.
Ndonjëherë mendoj se nuk ma fale kurrë kundërshtimin tim në këshillin kombëtar për bojkotimin e zgjedhjeve lokale por dije se unë kurrë nuk kam bërë veprim politik më të hajrit në jetën time sesa ajo fjalë e ajo votë kundër. Koha tregoi që unë kisha të drejtë ndërsa ata që të thoshin “vazhdo kështu kryetar se e ke mirë…” të çuan në greminë ty dhe PD. Nejse, kohë të shkuara…
Gjatë këtyre orëve kam nisur të shkruaj e kam fshirë vazhdimisht atë që mendoj.
Jo se skam mendim por se çdo gjë që nis, më ngec në një pikë: Si erdhëm, por më e rëndësishmja si dalim nga këtu ?
Ku jemi ? Nuk më bën gjuha ta them por sot jemi hiç më pak se në pikën zero. Mos e dëgjoftë as Zoti por nuk jemi largë nga dita e shuarjes politike. Jo unë e ti. Unë as nuk kam hyrë në politikë ndërsa ti ke bërë boll karrierë. Këtu luhet fati i Partisë Demokratike e rrjedhimisht prej saj luhet edhe fati i Shqipërisë e cila ca për rrethana të tjera, ca për fajet tona (të papranuara) e ca për apatinë tonë ka mbetur në dorë të Edi Ramës që krahasimit me Putinin i mungon vetëm përdorimi i armëve sepse çdo gjë tjetër e ka njëlloj.
E megjithatë tani duhet të dalim se nëse për vete ti je rehat në krye të partisë e unë rehat në taborin e fcb, vend ky i mbajtur nga unë jo me dëshirë por më shumë i imponuar edhe nga alergjia që partia (por edhe ti vetë) ka ndaj njerëzve si unë që mendojnë e veprojnë me kokë të tyre, edhe dalja është me ndryshim.
Duke ndryshuar ti i pari. (Më poshtë do i them ç’duhet ndryshuar)
Në 2017 kur një grup jo i vogël njerëzish brenda e jashtë partisë kërkuan largimin tënd, unë isha krah teje.
Mes të gjitha të tjerave, të kam mbështetur sepse kam besuar që ti mund të heqësh dorë nga disa gabime që drejtë me thënë po mua ma ngrenë tensionin. Koha tregoi se ti gabimet nuk i rregullon dhe kjo është katastrofa më e madhe.
Të dielën e 12 shtatorit kur vendosa të dal publikisht krah teje, nuk e bëra për interesin tim.
Ti e di se po të ishte për interesin tim, nuk do isha kurrë krah teje sepse aty ishte e sigurtë se unë dhe karriera politike do ishim dy botë të ndryshme.
Por unë zgjodha të isha kah teje për një arsye të thjeshtë e të pa negociueshme: Për mua Sali Berisha duhet ta kishte mbyllur ciklin politik shumë më herët se ajo ditë.
Problemi është se unë pavarësisht se nuk kam asnjë post në PD (jo dëshirë e merit imja sesa mungesë dëshire nga ti dhe ata që ju dëgjohet fjala tek ti, gjithnjë e më pak në numër por të hatadhëm në gabime), kam një përgjegjësi sado idjote le të duket, ndaj njerëzve që ndër vite ju kam folur dhe i kam parë në sy. Pa interes as unë ndaj tyre as ata ndaj meje..
Nuk e di a do ikësh apo jo.
Të dorëhiqesh është akt i madh politik dhe duhet të tejkalosh vetveten. Nuk guxoj të aludoj nëse e bën ose jo anipse e di përgjigjen.
Por nëse nuk ikën, ti duhet të dalësh para pasqyrës e të pyesësh:
Njeriu që shoh në pasqyrë, a besohet ?
A i rakordon fjala me gjestet njeriut që shoh në pasqyrë apo është thjeshtë një makineri fjalësh si prodhim laboratori ?
A ka rreth vetes njerëzit e duhur ?
A ja vlen izolimi ndaj demokratëve duke takuar e dëgjuar vetëm një grup gjithnjë e më të vogël por çuditërisht (jo për mua) mediokër për nga njohja e partisë në terren dhe pa fibër politike ?
Dhe kryesorja: A hahen më justifikimet e vjedhjes së zgjedhjeve ?
Ke shumë pyetje që duhet ti bësh vetes para se të marrësh vendime.
Por pyetja finale është: Pas kësaj gjëme që ndodhi në 6 Mars, si ngrihet kjo parti ?
Kur hyre në derën e Bashkisë Tiranë 2011 e largët, bëre një Kurban. Sot shumica e demokratëve (ku unë nuk rri dot pa e parë realitetin se ndryshe tallem me veten) kërkojnë që ti të jesh kurbani i kësaj situate.
Mua demokrat më ka bërë im at, por e di ku jam sot në raport me të dhe me veten ?
Jam në pikën që nuk i jap dot përgjigje pyetjes naive e retorike që vjen nga shtrati ku ai rri shtrirë: “Djalosh, si u katandisëm kështu ? Më duket se do shkrihet PD”.
Se di a i dukem edhe unë fajtor apo jo. Di që si shumë demokratë në Shqipëri që skanë përfituar kurrë por që panë se PD e tyre e masakroi i pari Saliu dhe më pas ti, sot ju dukesh thjeshtë noteri i shkatërrimit final e kjo meriton përgjigje.
Një merak e kam pasur gjithmonë. Si është e mundur që nuk pranove asnjëherë asnjë gabim ?
Të jesh vallë i pagabueshëm ? Jo. As ti e largëqoftë unë nuk jemi të pagabueshëm.
Mirëpo mugesa e kurajos për të dalë para demokratëve e për tju thënë qoftë edhe një herë të vetme “më falni se ky verpim politik, ishte i gabuar” nuk është në anën tënde.
Gjithmonë kam thënë se ata që të këshillojnë ty duhen rrahur dhe hedhur në Lanë e pavarësisht se kjo ngjan si atk tribal sado humoristik të jetë kur thuhet, pasoja e këtyre mosveprimeve është ardhja në ditën e sotme.
S’kam pse e fsheh se ndryshe tallem me veten por pranoje, shumicën e hysmetit të gjendjes ku je sot, ja ke bërë vetë vetes. Natyrisht kemi edhe ne faj që nuk i thamë të gjitha në kohë siç thashë fjala vjen se bojkoti i zgjedhjeve lokale ishte çmenduri pavarësisht se ti u mërzite.
Respektin tim do e kesh gjithmonë (edhe si për të qenë në krahun e më të sulmurit) pavarësisht se rrugën e karrierës me ty nuk e gjeta dot (e kam mësuar sesi funksionon ti. Ty duhet ose të të shash shumë, ose të të sjellin lobe të caktuara. Me mua nuk funksionoi asnjëra ndaj sot jam jashtë gardhit të PD), por të lutem, më thuaj si dalim nga këtu ?
Ti nuk i ke dëgjuar asnjëherë këshillat e mia sepse mban afër njerëz që dinë më shumë se unë (ah ata që të këshillojnë ty…), por kjë është këshilla e fundit. IK.
Mos e merr si luftë personale. Thjeshtë kuptoje që ky është momenti për të ikur.
Katastrofa e 6 marsit duhet të ketë përgjegjësi dhe ti më shumë se kushdo e di që kjo përgjegjësi nuk bie tek roja i derës por tek i pari i partisë.
Tungjatjeta një mik që ty në shumicën e kohës nuk të hyri në punë.