Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, ishte thirrur si dëshmitare në Komisionin Hetimor për inceneratorët këtë të Hënë.
Gjatë seancës së pyetje-përgjigjeve, kryetarja e komisionit Jorida Tabaku hodhi dyshime se ka pasur presion ndaj saj nga kryeministri Edi Rama, që plehrat e Durrësit të çoheshin në Sharrë te kompania koncesionare e inceneratorit të Tiranës.
Tabaku e pyeti Sako nëse ka pasur presion për ti lënë plehrat në rrugët e Durrësit në mënyrë që ti çojë te inceneratori i Sharrës, pas mbylljes së vendgrumbullimit të mbetjeve në Porto Romano.
“Absolutisht jo”, tha Sako, e cila e cilësoi pozitive mbylljen e vendgrumbullimit të mbetjeve në Porto Romano, pasi siç u shpreh ajo, ndikonte te qytetarët.
Ndërkohë, Tabaku komentoi: “Presioni ju ka detyruar të shkoni të negocioni në Sharrë për të bërë biznes me kompaninë e inceneratorit të Tiranës”.
Tabaku theksoi se dokumentat faktojnë se nga viti 2018, herë Dako dhe Sako kanë bërë gjithçka që Bashkia Durrës ti depozitonte në Inceneratorin e Tiranës.
Ajo shtoi se AKUM-i i drejtuar nga Alqi Bllako babai i të cilit ishte i punësuar tek Inceneratori i Tiranës, ka ushtruar presion ndaj Bashkisë Durrës që mbetjet të depozitoheshin në Landifillin e Sharrës në Tiranë.
Tabaku shtoi se “Bashkia Durrës ka lidhur një kontratë që do ti kushtojë qytetareve 10 mln euro për koncesionarin plus 15 mln euro të tjera për transportin ç’ka sjell rritje me 60% te tarifave për pastrimin të qytetarëve të Durrësit”.
Sa here vjedhin Sako, Dako dhe Bllako, pasojat i paguan qytetari durrsak, shtoi Tabaku.