Vetëm pak javë pas vdekjes së poetit Arben Duka, ka ndërruar jetë edhe djali i tij Denisi. Lajmi i hidhur u bë me dije një ditë më parë nga familjarë dhe të afërm përmes postimeve në rrjete sociale.
Denisi, për shkak se jetonte në SHBA, nuk arriti të përcjellë të atin për në banesën e fundit. Madje, ai nuk arriti të plotësojë as një amanet që i kishte lënë i ati.
Bashkëshortja e Arben Dukës, Pranvera, ka rrëfyer këtë ndjesi të të birit vetëm disa ditë pas ndarjes nga jeta të poetit.
Ajo rrëfeu se i biri, Denisi, kishte fituar strehim politik në SHBA, për shkak se pretendonin që përndiqeshin nga Sali Berisha.
“Kur ishte në klasën e pestë Denisi, në vitin ’98, na e rrëmbyen. Ai ishte moment më i vështirë për ne, kur nuk kemi ikur atëherë nga mendtë e kokës…. Për fat e gjejmë në Durrës. Edhe kur ka qenë student djali, i kanë dalë përpara me pistoletë. Edhe atëherë jemi shqetësuar shumë dhe bëmë letrat e nisëm në Amerikë. Ishte student, në vit të tretë për Gjuhë dhe Letërsi, se edhe ai ka shumë talent si Beni. Atje u përpoqëm me të gjitha mënyrat për të marrë strehim politik, çuam të gjitha gazetat që kishin shkruar për ne. Denisi u bë 15 vite që ka ikur në Amerikë, vajza, Denada 20. Janë të martuar dhe me fëmijë të dy. Djali përfundoi studimet më tej për Diplomaci, Marrëdhënie Ndërkombëtare. Denisi shkruan shumë bukur. Madje Beni kërkonte t’ia mblidhte dhe t’ia botonte shkrimet. Por është e kundërta e Benit, është shumë filozofik, pasi edhe librat që lexon me tepër janë me orientim pikërisht filozofik. Më shumë është i prirur drejtë prozës. Beni ia la amanet me gojë: Babi nuk është mirë, i tha, por çfarë do që të ndodhi, se dhe mund të ndodhi, i tha, ju të dy ju nuk do të vini. Ishte dhe kohë e shkurtër, që nga momenti kur u dha lajmi deri sa u varros Beni ishin vetëm 24 orë. Ata nuk arrinin dot as në Europë me gjithë këto masa për Covidin, plus me fëmijë të vegjël janë…”
–Besoj e kanë përjetuar shumë…?
“Shumë, madje unë tani sa të bëj të dyzetat e Benit do iki tek ta dhe duhet të rri 3-4 muaj, se, sidomos djali, po e përjeton shumë keq. Më merr shpesh në telefon…”- tregon Pranvera Duka për “Dita“.
***
Nga Arben Duka
…për Denisin
Si pikë e lotit ngjan me mua,
o Biri im-Denis,
babai nga vitet u rrëzua,
po ti m’u bëre Lis!
M’u rrite shpejt-si vetëtima,
sa më tani s’të njoh,
në çdo qelizë të qënies tënde,
unë veten time shoh!
Ndaj do të shkoj këtej i qetë,
dhe dheu do më treti,
se shpirti im i gjerë si det,
tek ti i gjithi mbeti.
Kjo s’është Këngë për Lamtumirë,
po ku i dihet jetës,
bëhu në jetë Njeri i Mirë,
dhe Rob i së vërtetës!
Kjo s’është Këngë për Lamtumirë,
po jeta çfarë s’punon,
bëhu në jetë Njeri i Mirë,
se shpirti im të mbron.
Haj-paqe Biri im i vetëm,
më shumë s’kam ç’të them,
po shpirti im ty do të mbrojë,
dhe fare kur mos jem!
Tiranë, 6.12.2007