Për të gjithë ata që e duan dimrin, por jo të ftohtin e hidhur apo shiun, Shkurti parashikohet të jetë një muaj ideal. Sinoptikania Lajda Porja, në një lidhje direkte me emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, jep lajmin se në këto ditë të para të muajit Shkurt, do të shijojmë rrezet e diellit.
Lajda Porja: Mëngjesi i sotëm ka regjistruar temperatura të ulëta në zonat malore, -7 gradë në qytetin e Peshkopisë. Janë temperatura disi më të ulëta krahasuar me vlerat që duhet të shënojnë, rreth 3-4 gradë si pasojë e riaktivizimit të masave të ftohta polare në vendet e rajonit. Nuk presim ditë shumë të ftohta. Dita e nesërme do të sjellë një rritje të lehtë, jo shumë të ndjeshme ku sërish zonat malore mbeten në vlerën -5 gradë. Mëngjeset në zonat e ulëta dhe bregdete priten të jenë relativisht nga 2-6 gradë. Ndërkohë zonat malore mbeten në -2 apo -3 gradë, shumë pranë vlerave klimatike. Situata është në përmirësim, teksa maksimalet priten të ngjiten deri në 14 gradë gjatë fundjavës. Na pret një fundjavë me diell, sidomos nga ora 10 e mëngjesit e deri në 14:30 pritet mot i mirë në pjesën më të madhe të territorit. Zonat malore do të kenë vranësira në pjesën e dytë të ditës.
Pas këtyre ditëve të para, sipas metereologes, muaji do të vazhdojë të ketë ditë me diell. Planet e fundjavave mund të vazhdojmë t’i realizojmë qetësisht, pa u shqetësuar nga ndonjë shi i papritur.
Lajda Porja: Përveç këtyre vlerave që regjistrohen gjatë këtij episodi të ftohtë, pritet që edhe java tjetër të sjellë rritje të lehtë dhe graduale. Parashikohet që Shkurti të mos jetë shumë i luhatshëm ndaj tipareve të tij klimateve. Nuk presim temperatura ekstremisht të ulëta si në muajin Janar. Shkurti është një muaj i thatë në reshje dhe i ftohtë. Mëngjeset do të vijojnë të jenë të freskëta në bregdet dhe zonat e ulëta, të ftohtë në zonat malore. Mesdita parashikohet me vlera të larta dhe do jetë i pranishëm rrezatimi diellor, deri në temperatura edhe 17 gradë.