Prokuroria e Elbasanit ka zbuluar një rrjet të futjes së sendeve të ndaluara mes tyre alkool, apo drogë, apo dhe favore të tjera në paraburgimin e Elbasanit kundrejt shpërblimit monetar.
Futja e pijeve alkoolike kushtonte 50 euro ndërsa e ndryshimit të dhomës së paraburgimit, apo dërgimi në një dhomë më të mirë shkon në 200 euro.
Si funksiononte
Të paraburgosurit lidhnin njerëzit e tyre me një çift burrë e grua të cilët ishin pronarë të një lokali përballë institucionit të paraburgimit. Këta më pas u jepnin shpërblimin dhe sendet e ndaluara që futeshin në burg disa personave që punonin në institutit e paraburgimit.
Përgjimi ambiental dhe telefonik ndihmoi prokurorinë për të zbuluar tërësisht skemën. Gjithashtu në dosjen e prokurorit të Elbasanit, Ritvan Suka si provë janë dhe pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë së paraburgimit.
E gjitha nis kur Genci Xhahysa, Ervin Velia dhe Engli Pjeçi arrestohen në nëntor të 2021 pasi në makinën ku udhëtonin policia gjen mbi 3 kg drogë.
Ata dërgohen në paraburgimin e Elbasanit. Nga përgjimet e bisedave zbulohet se Genci Xhahysa i kërkon një personi të tij të njohur që nëpërmjet pronarëve të lokalit i cili ndodhet përpara derës kryesore të hyrjes së këtij institucioni të japë shuma të ndryshme parash punonjësve të paraburgimit me qëllim marrjen prej tyre të favoreve të ndryshme si akomodimi në dhomë të mirë dhe që ai të jetë së bashku me dy personat nën hetim Ervin Velia dhe Engli Pjeçi.
“Nga përgjimet telefonike dhe vëzhgimet ambjentale rezulton se të paraburgosurit Genci Xhahysa dhe Ervin Velia porosisin mikun e tyre (D.. ) që të dërgojnë tek Gentjan Gjata (Shenim i redaksisë: pronari i lokalit) një shumë prej 20.000 lekë me qëllim që ky i fundit tia japë shefit te sigurisë dhe Hysni Ndreu dhe shtetasit Gazmir Meta (Shenim i redaksisë: me detyrë grup sigurie në paraburgim) me qëllim futjen në një dhomë të mirë në momentin që ata të mbarojnë karantinën” thuhet në dosjen e siguruar nga Ora neës.
Në përgjimet telefonike ka dyshime se këtë lidhje – i paraburgosur – shitës – punonjës burgu) e ka bërë një tjetër i paraburgosur Riges Miha.
Më pas në përgjim janë dhe çifti i pronarëve të lokalit para institucionit të paraburgimit.
“Nga përgjimet telefonike të këtyre numrave rezulton se Gentjan Gjata komunikon me persona të cilët janë të paraburgosur dhe më pas flet me familjarë të tyre me qëllim futjen e sendeve të kundraligjshme në ambjetet e paraburgimit kundrejt shumave të ndryshme të parave të cilat ua jep punonjësve të këtij institucioini” thuhet në dosjen e prokurorit përgatitur për gjykatën vlerësimin e masës së sigurisë
Në telefonaten e datës 25 nëntor 2021 ora 10 e 29 Gentjan Gjata merret në telefon nga i paraburgosi Klevi Deliaj i cili thote “që ti japë 100 atij të madhit”, thuhet në dosjen e siguruar nga Ora News.
Në telefonatën e datës 25 nëntor 2021 ora 08 e 43 Gentjan Gjata merret në telefon duke i thënë se duhet të japë një porosi një polici te paraburgimi. Në bisedë personi i thote që ti japë Hysni Ndreut një shishe uiski dhe këtë e ka nga Gentja Sula Dibrani kati i trete.
Në një tjetër përgjim telefonik Gentjan Gjata komunikon me të paraburgosurin Gentjan Mino dhe i kërkon që nëpërmjet Hysni Ndreut dhe Gasmir Metës të fuse bidona me pije alkolike dhe disa kuti në të cilat dyshohet se janë me lëndë narkotike.
“Nga përgjimet rezulton se pasi shtetasi Gentjan Mino bën porosinë shtetasi Gentjan Gjata ia jep sendet Hysni Ndreut i cili i fut brenda në IEVP Elbasan dhe ia jep ato Gentjanit. Po kështu nga përgjimet rezulton se pagesat në para ja jep Gentjani Gjata shtetasit Hysni Ndreut nga ku rezulton se per pijet alkolike pagesa është 50 euro” shkruhet në dosjen e siguruar nga Ora Neës.
Më 3 dhjetor 2022 nga përgjimet rezulton se nga i paraburgosuri Mikel Gjella i është kërkuar shefit të sigurisë të paraburgimit që të ndryshoje dhomën. Në lidhje me këtë bisedë babai Kastriot Gjella bisedon me pronarin e lokalit Gentjan Gjata.
Nga përgjimi rezulton se babai i Mikelit, Kastrioti duhet të paguajë Hysniun 200 Euro me qëllim ndryshimin e dhomës së Mikelit për aty ku ai ka dëshirë të shkojë.
Dosja
Ritvan Suka, Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan ka bashkuar tre procedime penale në një me vendimin datë 26.01.2022.
E gjitha nis më 8 Nëntor 2021 rreth orës 20:00 në fshatin Rrajcë Sutaj policia vihet në ndjekje të një makine dhe arrijnë ta ndalojnë në momentin kur ajo del jashtë rruge.
Makina drejtohej nga Genci Xhahysa dhe pasagjerë shtetasit Ervin Velia dhe Engli Pjeçi që të tre banorë të Bashkisë Kavajë.
Nga kontrolli në bagazhin e këtij automjeti policia gjen një sasi kanabisi prej gati 3.6 kg kanabis. Tre të arrestuarit dërgohen në ambientet e paraburgimit të Elbasanit për akuzën “Trafikim I narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentative.
Më 15 dhjetor 2021 Prokuroria e Elbasanit regjistron procedim penal ndaj Gentjan Gjata dhe Luljeta Gjata, pronarë të lokalit përpara institucionit të paraburgimit në Elbasan. Ata akuzohen për veprat penale të “Korrupsionit aktv të personave që ushtrojnë funksione publike, Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike dhe Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike
Më 25 janar 2022 nis procedimi penal për veprën penale të “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim” mbi bazën e të dhënave të SHKBB
Në kuadër të dosjes “Trinomi” në Elbasan më 1 shtator 2022 u ekzekutuan urdhërarrestet për 15 persona. /ORA/