Gjykata Kushtetuese do t’i përgjigjet më 31 Janar kërkesës së një prej emrave që ngjallte terror në trazirat e vitit 1997, Aldo Bares.
Bare është dënuar me dy burgime të përjetshme.
Por ish-kreu i bandës së Lushnjës pretendon se nuk i janë respektuar të drejtat e njeriut.
Në ankimimin e tij në Kushtetuese, vendimet për dënimin e Alfred Shkurtit, i njohur me emrin Aldo Bare, janë antikushtetuese, pasi i janë shkelur disa të drejta, siç është edhe njoftimi për nisjen e procesit gjyqësor apo njohja paraprake me provat, raporton “AbcNews”.
Por kjo për ish-kryeministrin Sali Berisha është pjesë e një axhende të kryeministrit Rama për të liruar nga burgu kriminelë bashkëpunëtorë të tij, në prag të zgjedhjeve.
Berisha sot në Kuvend paralelizoi rastin e Aldo Bares me atë të Lul Berishës dhe Hakmarrjes për Drejtësi.
“A e dini që kur i çon Aldo Bare shiritin e deponimit për tendera dhe akte të tjera kriminale sesi i bëhet gjaku ujë dhe i tregon gjykatësve kushtetutes Vetingun: O më lironi Aldon, o do t’ju ekzekutoj me Veting! Atëherë mor zotëri çfarë do bëjnë shqiptarët? A do votojnë?” tha Berisha.
Duke folur për Hakmarrjen për Drejtësi, Berisha përfshiu në këtë çështje edhe djalin e Edi Ramës, që sipas tij është “shareholder” (aksioner) në pronat e anëtarëve të bandës.
“A e dini se çfarë bën ai për Hakmarrjen për Drejtësi? Të njëjtën gjë siç bën me Aldo Baren. A e dini që ai së bashku me djalin e tij është shareholder me pronat kriminale të Hakmarrjes për Drejtësi? A e dini që është i regjistruar nga shërbimet partnere në komunikime kriminale?” tha Berisha.
Të djathtët e kanë akuzuar vazhdimisht Ramën për lidhje me Baren.
Në prill të vitit 2013, avokati Isuf Shehu denonconte në gazetën Shekulli keqtrajtimet e klientit të tij nga policët e burgut ku mbahej Aldo Bare dhe bënte lidhjen më akuzat e deputetëve te PD, që në atë kohë ishin në pushtet Deklaratën e mëposhtme, avokati i Aldo Bares e ka bërë në gazetën Shekulli, në prill të vitit 2013.
“I kanë hyrë në dhomë gjasme për kontroll rutinë. I kanë vënë prangat dhe më pas e kanë dhunuar. Më tha se i kishin futur thonjtë në fyt dhe e kishin mbajtur në ajër. Kanë ushtruar dhunë dhe më pas e kanë kërcënuar se do të vrisnin atë dhe familjen e tij. Më tha se nuk njihte asnjë nga personat që kanë hyrë brenda dhe e kanë dhunuar, por më tregoi se kishin qenë të veshur me uniforma policie. I bie që të mos kenë qenë punonjës së policisë së burgjeve që janë efektivë pranë atij vend-vuajtje dënimi të sigurisë së lartë. Po, fillimisht nuk ia besova, pasi ai nuk ka jo telefon që s’bëhet fjalë, por ai nuk ka televizor, as frigorifer. Por kur pashë ministrin Flamur Noka të thoshte në një debat televiziv se Edi Rama komunikon me Aldo Baren në burg me telefon, atëherë e besova. Atëherë vendosa dhe të flas për të, pasi është e rëndë”.
Bare u akuzua për krijimin e organizatës kriminale, për 15 vrasje, për rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh, kryerje veprash penale në bashkëpunim nga organizata kriminale, vendosjes së eksplozivit në stadiumin e Lushnjës, për vendosjen në 2001 të eksplozivit në banesën e inspektorit të policisë, Idriz Shuli, për vrasjen në janar të vitit 2005 të Klodian Haxhiut, vendosje e eksplozivëve në mars të 2005 në një apartament në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, për vrasjen në korrik 2005 të Baki Taullahut dhe për një numër vrasjesh të tjera.