Një 43-vjeçar i dënuar me 24 vite burg në vendin tonë, ëhstë ekstraduar gjatë ditës së sotme nga Belgjika drejt Shqipërisë.
Lajmi është bërë i ditur nga interpol Shqipëria, e cila e quan një sukses ekstradimin e Dritan Kolës alias Mark Kola, i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi rezulton i dënuar me 24 vite burg në vendin tonë për vepra të ndryshme kriminale.
Njoftimi:
Vijon bashkëpunimi me homologët, për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Falë bashkëpunimit me homologët belgë, është ekstraduar nga Belgjika drejt vendit tonë, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar me 24 vjet burgim, për disa vepra penale.
Nga ZQK Interpol Tirana u bë ekstradimi nga Brukseli/Belgjikë, i shtetasit shqiptar Dritan Kola alias Mark Kola, 43 vjeç.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, në vitin 2014, i ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, në vitin 2018, e ka dënuar këtë shtetas, me 24 vjet burg, për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Shtetasi Dritan Kola ka qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që ka kryer disa grabitje me armë në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë. Ky shtetas, në vitin 2014, në bashkëpunim me shtetasit F. P. dhe M. Sh., ka vjedhur me armë në një kompleks në rrugën “Konferenca e Pezës”.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Brukselin, u bë i mundur arrestimi i tij, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.