Pas një mesazhi që i përloti të gjithë, shkruar për babain e saj shkrimtarin e madh Dritëro Agolli, Elona ka sqaruar të vërtetën e atij postimi. Elona Agolli sqaroi se statusi i saj në rrjetin social “Facebook” ishte veçse një çast dobësie, këto ditë që ajo është në Londër.
“Ishte vetëm një postim në një moment dobësie, pasi më merr malli më shumë kur jam larg, meqë kur jam në Shqipëri, shkoj çdo ditë e rri me të, lexojmë poezitë. Edhe në postim, unë nuk kam nënkuptuar që është i sëmurë. Sigurisht, e ndjej trishtimin, pasi në moshën që është babai, unë çdo ditë kur largohem nga ai ndjehem në faj”. E pyetur se çfarë është errësira me të cilën lufton Drotëroi, e bija, Elona tha dje për “GSH” se, “ai natën e ka tmerr, thotë më ngjan si një buldozer që më shtyp. Por me ardhjen e agimit, babai qetësohet, siç edhe jam shprehur kur them ‘ti pret dritën’”.
Vajza e poetit, ndërsa ndodhet jashtë vendit për punë, thotë se “unë ngaqë di mendimet e përjetimet e babit kur bie muzgu e errësira, jetoj me mendimet e përjetimet e tij. Dhe kaq. Thjesht dashuri e qashtër bije, si çdo bije që do atin pa fund, njerëzisht e pafundësisht”.
Ajo shton se Dritëroi madje e ka porositur para se të udhëtonte për penë e bojë, pasi ai ende shkruan.
Madje edhe më herët, Elona ka shkruar: “Sa e sa poezi të shkruara për natën nga ati im! ‘Veçanërisht tani që nuk shkruaj si më parë, nata më ngjason me një buldozer që më afrohet për të më shtypur” – më përsëriste para dy netësh. ‘Ah sa inat e kam natën, tmerr e kam’ – thoshte.
Si do shpëtoj dhe sonte nga kjo natë?!”.
Shkrimtari festoi 85¬vjetorin e tij të lindjes në tetor të vitit të shkuar, me ç’rast u mbajtën një sërë aktivitetesh nga institucionet shqiptare dhe u botuan tri drama të panjohura e një libër me poezitë e tij të fundit, titulluar “Prit edhe pak” – poezi që kanë qenë në dorëshkrim dhe botoheshin për herë të parë dhe shumë prej tyre qenë poezi dashurie.
Po me rastin e 85¬vjetorit të lindjes së shkrimtarit Dritëro Agolli, Akademia e Shkencave i dha lexuesit në Shqipëri tri dramat e tij: “Fytyra e dytë”, “Mosha e bardhë” dhe “Baladë për një grua”. Dramat “Fytyra e dytë” dhe “Baladë për një grua” janë krejt të panjohura për lexuesin deri më sot, kurse drama “Mosha e bardhë” është botuar nga Rilindja në Prishtinë në vitet 1970¬1980.
POSTIMI I ELONËS
Babushi im më ndje; e di që ti në këtë orë lufton me errësirën, pasi ti e urren atë. Ti pret dritën. Unë jam me pjellën time tani, në një botë krejt ndryshe nga e jona, në një botë ku konsumohet e gëzohet; e ndërsa ti, i përhumbur mendon sesi do të jetë ajo botë e përtejme, ku mbizotëron errësira, ajo çka vështirë për ty si ateist, të mendohet e bukur dhe shpresëdhënëse. Ati im më ndje; unë jam me Luelin e duhet të jem e gëzuar në sytë e tij, paçka se zemra pikon lot, paçka se mendjen e kam tek ti. Të dua shumë ati im. Nëse do të mund të dhurohej jeta, unë do ta jepja për ty; nëse do të mund të transferohej gëzimi, unë do të bëja çmos të të lumturoja. Sot të bleva një shishe bojë e një pompë për stilografin tënd. Siç ma dhe porosinë para se të nisesha. Kur të kthehem, do të t’i tregoj dhe e di që do kënaqesh. Do mbushësh penën tënde, që aq ka gërvishur letrën e aq vargje e radhë ka shkruar. Të dua shumë Ati im. Londër, 23 janar GSH