Nga Ilir Kalemaj
Data e zgjedhjeve të pjesshme lokale për mandatet plotësuese, me shumë mundësi për t’u zhvilluar në datë 6 mars, është dhe testi i parë elektoral ku do të bëhet dhe matja e peshës politike të secilit kamp brenda kupolës blu. Këto palë zgjedhje, e gjejnë opozitën shqiptare të përçarë, të fraksionuar dhe me pak mundësi reale për të qenë sfiduese edhe aty ku kanë qenë tradicionalisht bastione të saj si Shkodra apo Vora. Ajo që duhet të ishte dhe kurora e saj në këto zgjedhje të pjesshme lokale Bashkia Durrës por edhe Lushnja, ngjajnë të largëta për t’u arritur përballë një supermazhorance që ka në dorë edhe gurin, edhe arrën.
Për herë të parë, në parlament kemi një situatë politikë trepolare. Ajo që është tentuar në mënyrë të përsëriturpërgjatë këtyre tre dekadave, përmes partive skizmë, partish inati apo partive fantazmë apo edhe formacioneve politike që kanë pasur emra të shquar në përbërje si Aleanca Demokratike apo PDR dhe nuk është arritur, po duket qartazi se po ravijëzohet kësaj here. Brenda grupit parlamentar të PD, përkrahësit e Lulzim Bashës janë 37 deputetë, ndërsa 13 i kanë mbetur Berishës dhe 4 LSI. Nëse ata bashkojnë forcat, gjë që duket se po ndodh tashmë, politika shqiptare kthehet automatikisht në trepolare. Gjë që ndodh për herë të parë në këto vite tranzicion. Ndërkohë që edhe vetë aleatët tradicionalë të PD-së, me aq elektorat sa kanë, duket se janë gjithashtu të ndarë ose të papozicionuar.
Zërat që flasin për bashkim apo së paku për dalje me kandidatë të përbashkët kundër mazhorancës, e bëjnë këtë me tepër të nxitur nga dëshira utopike ose pragmatike, por kurrsesi realiste. Dhe në politikë, perceptimi i fuqisë dhe përllogaritje racionale e interesave janë primare, ndonëse rezultati mund të jetë krejtësisht irracional dhe dëmsjellës në fotofinish. Nga ana tjetër, ky test i parë elektoral sjell jo vetëm pasoja dhe dëme në kampin opozitar. Potencialisht mund të sjellë dhe disa të mira në terma afatgjatë. Le t’i rendismin shkurtimisht.
Së pari, ndan shapin nga sheqeri përfundimisht duke shmangur konfliktin e vazhdueshëm dhe gërryes. Më mirë një fund i tmerrshëm sesa një tmerr pa fund. Në këto zgjedhje palët do dalin me dy sigla të ndryshme, pavarësisht retorikës, ose pala e Berishës bashke më Metën do mbështesë kandidatë nominalisht të pavarur që gjithsesi është një ndarje faktike nga PD zyrtare. Çdo interpretim tjetër është thjesht ushqim për militantët por i pabazuar në logjikë politike apo juridike.
Së dyti, në situatën kur palët kanë shkuar kaq larg, çdo zgjidhje tjetër si pranimi i mendimit ndryshe, hapja e garës apo legalizimi i fraksioneve duket tashmë i pamundur. Ndaj ndarja nuk është vetëm rrudhje dhe dobësim përballë supermazhorancës por edhe mundësi për të mbyllur plagët, edhe oportunitet për të zgjeruar radhët opozitare duke ofruar më shumë të pakënaqur gjatë viteve në secilin kamp opozitar por edhe duke u hapur ndaj pjesës “gri”, shoqërisë civile dhe botës akademike për të përthithur figura të reja, të pakonsumuara, me ide dhe artikulim. Në terma afatgjatë, kjo do e bënte opozitën më vibrante, më energjike dhe më të pakontestueshme. Por edhe një sfidante të vërtetë për ata zëra të urtë, me logjikë politike që do të arrinin të unifikonin spektrin e larmishëm opozitar dhe t’i jepnin besueshmëri kauzave të opozitës.
Së fundmi, politika shqiptare është në proces të paevitueshëm ndryshimi dhe katharsisi në rast se nuk duam të endemi në të njëjtat ujëra moçalorë dhe riciklues të politikës së vjetër, demonizuese dhe me gjuhë asgjësuese ndaj kundërshtarit-armik. Kjo është e pashmangshme për shkak se njerëzit janë të lodhur dhe po e shprehin indinjatën e tyre me braktisje të vendit apo me rritje të apatisë politike por edhe për shkak të presionit nga jashtë.
Politika është dhe duhet të jetë arti i pajtueshmërisë dhe zgjidhjes së konflikteve shoqërore, jo burim i pashterrshëm dhe nxitës i ndasive. Si e tillë, ajo duhet të jet në gjendje t’u paraprijë krizave shoqërore, të ofrojë zgjedhje për të arritur të më meritorët dhe zgjidhje për problemet e mbarsura, të ofrojë ide për zhvillimin e vendit dhe politika publike të mençura që shtyjnë përpara agjendat e zhvillimit ekonomik dhe integrimit europian. Kjo nuk bëhet as me metoda maoceduniste të tipit referendar virtual siç po përpiqet të shesë sapunin për djathë qeveria, as duke dhënë llokmat e buxhetit të shtetit dhe parave të taksapaguesve oligarkëve preferencialë. Kjo bëhet përmes një elite të re drejtuese që kanë edhe dijen, edhe pasionin, edhe përkushtimin, edhe patriotizmin dhe idealizmin për ta bërë këtë vend.
Si e tillë, është detyrë primare e opozitës të konsolidojë sa më parë vizionin e saj përbashkues, të dijë të shfrytëzojë energjinë e duhur për të organizuar rezistencën shoqërore, të japë besueshmëri duke përzgjedhur figura të pakompomis në luftë me korrupsionin dhe krimin dhe të ketë një ofertë bindëse për elektoratin. Edhe në qofshin këto zgjedhje lokale rënia përfundimtare përpara ringritjes, ashtu qoftë. Por mbajtja zvarrë e gjërave, lufta e paprincip, tmerri pa fund edhe në rast fitoreje të pjesshme do të jetë si fitore e Pirros që nuk do i shërbejë as shqiptarëve, as elektoratit të djathtë dhe madje as militantëve më të patundur. Është herët të flitet për një finalité politique, por “kokat e ftohta” duhet të shohin larg dhe thellë për të kuptuar dhe materializuar një vizion që do të sjellë dritë në fund të tunelit.