Rreth një vit më parë, Edmond Llangozi u vra në Athinë teksa po mbronte djalin e tij nga përleshja me bashkëkombasit për një borxh me vlerë 600 euro.
I mbijetuari i ngjarjes, Angjelo Llangozi ka folur në emisionin “Shqipëria Live” duke zbuluar të gjitha detajet, nga borxhi tek përplasja me personin e armatosur që ruhej nga 5 të tjerë dhe si u vra babai duke mbrojtur vëllain.
Angjelo Llangozi: Ishim afër tek lagjia ku jetonim në Athinë. Ai person vëllain tim e mbante afër vëllain tim. Babi punonte në një firmë. Borxhin e kishte marrë vëllai por nuk na ka thënë arsyen. Ia kishte marrë Sonit. Unë dhe babi ishim në punë dhe kur vajtëm në shtëpi na tha që ka marrë para borxh. Më 11 janar do takoheshim. Ai person kur erdhi, doli nga makina, na vuri pistoletën direkt. Nuk tha asgjë. Unë vrapova të iki nga shtëpia dhe vëllai u fut në lokal. Soni dhe vëllai im u zunë në lokal me grushte. Atë moment ishin dhe disa persona të tjerë. Po rrinin rreth 5 persona që ruanin të mos hynte askush tjetër në lokal. Atë moment u ktheva unë, doja të hyja brenda, gjeta një tavëll dhe e hodha brenda. Një nga personat më gjuajti me tytën e pistoletës, u rrëzova në tokë dhe më gjuajti mua. Ky Soni doli dhe po gjuante brenda lokalit. Aty erdhi babi dhe gjuajti me plumba. Vetëm 1 plumb e kapi në zemër.
Pyetje: Lokali ishte bosh, i juaji apo autorit të dyshuar?
Angjelo Llangozi: E kishte një grek. Lokali kishte zakonisht njerëz. Atë moment kur u futëm ne s’kishte njeri brenda. Ishin ajo goca që ishte tek ngjarja, kamarierja dhe pronari. Ata dolën nga lokali dhe e panë skenën e të gjitha. Kishte dhe kamera.
Pyetje: Sa minuta zgjati?
Angjelo Llangozi: Për pak minuta. Pas 10-20 minutash erdhi policia. Unë po mbaja vëllain se ishte shtrirë në tokë. Ne shkuam për t’ia kthyer lekët. Nuk folëm fare se na drejtoi direkt armën. Vëllai na tha se i kishte marrë para borxh se kishte dalë me disa vajza. Babai tha mirë kthejani lekët.
Pyetje: Vëllai nuk ka dhënë asnjë shpjegim për këtë borxh?
Angjelo Llangozi: Na tha vetëm se donte të bënte qejf. Nuk e di sa kohë kishte që e kishte marrë. Unë isha në punë dhe kur vajtëm në shtëpi na tha këtë gjë. Vëllai punonte ndonjëherë shpërndarës me motor.
Pas kësaj ngjarje të rëndë, vëllezërit kanë zgjedhur të kthehen të jetojnë në Shqipëri ndonëse kanë lindur në Athinë dhe babai kishte 25 vite që jetonte në Greqi.
Angjelo Llangozi: Nuk rrinim dot atje, dhe po të kthehem në Greqi bezdisem. Më kujtohet ngjarja. Tani duam të hapim një dyqan për të ardhmen tonë. Punojmë unë me vëllain, mami nuk punon.
Ndër të tjera, Angjelo Llangozi sqaroi se nuk kanë punuar asnjëherë me personin e dyshuar si autor të vrasjes dhe theksoi se nuk kanë pasur asnjë kontakt e asnjë informacion për të, por ia kanë lënë në dorë drejtësisë. Personi i dyshuar po shijon ende lirinë.