Kryeministri Edi Rama ka falënderuar Presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdogan dhe shtetin turk për ndihmën e dhënë ndaj Shqipërisë në rastin e tërmetit. Teksa tha se falënderimet nuk janë kurrë të mjaftueshme në këtë rast, ai citoi dhe Profetin Muhamed.
“Sot është një ditë e rëndësishme për ne dhe patjetër është dhe një ditë e bukur siç është në fakt çdo ditë kur hapim dyert për të pritur miqtë nga vendi juaj dhe po ashtu sot është një ditë shumë e veçantë sepse kemi qenë së bashku në kurorëzimi ne një përpjekje të jashtëzakonshme miqësore, vëllazërore, dashamirëse për të mbështetur rilindjen e një komuniteti, aty ku tërmeti goditi shumë fort dhe ku sot 522 familje janë në kushte shumë më të mira se ato që kishin përpara se tërmeti t’i linte pa shtëpi. Dua ta falënderoj presidentin që u gjend pranë nesh qysh sekondën e parë pas goditjes së parë pas tërmetit, që u angazhuar publikisht i pari dhe me një angazhim shumë konkret dhe që e mbajti fjalën, por kjo e fundit nuk përbën lajm kur është fjala për Erdogan sepse atë që thotë ai e bën. Patjetër do falënderoj të gjithë ata që i dhanë jetë kësaj nisme bujare dhe jo të lehtë. Mbase ndokush mund të mendojë se po teproj me falënderime, por siç thotë Profeti Muhamed, Paqja e Zotit qoftë mbi të, kush nuk i falënderon njerëzit nuk ka falënderuar Zotin. Dhe për këtë vepër falënderimet nuk janë kurrë të mjaftueshme”, deklaroi Rama.
Kryeministri Shqiptar kujtoi takimin e një viti më parë si dhe marrëveshjet e nënshkruara në Ankara, duke e cilësuar çeljen e një kapitulli të ri midis dy vendeve.
“Sot ne kemi një vit nismash konkrete dhe realizimesh konkrete që dëshmojnë vlerën e shtuar të këtij Këshilli dhe dëshmojnë se takimi i Ankarasë ishte çelja e një kapitulli të ri midis nesh. Në takimin e Ankarasë nuk e vura bastin me Presidentin për spitalin e Fierit, se do kisha humbur, fatmirësisht nuk e vura bastin, aq më tepër që dhe presidenti nuk vë baste me sa jam në dijeni dhe faktikisht ne sot kemi një spital që është jo vetëm një strukturë e re që iu shërben njerëzve të një rajoni, por dhe një pikë e transferimit të dijes, ku po zhvillojmë fazën e re të reformës në shëndetësi, për një model si ai i Turqisë dhe për të ndërtuar atë autonomi spitalore që do t’i japë një hov të ri gjithë shërbimit. Ëndrra jonë që shërbimi shëndetësor të marrë përditë e më shumë trajtat e shërbimit shëndetësor turk dhe t’i përngjajë në ekselencën e vet. Ndërsa deri dje për shumë kënd dukej e pamundur, sot askujt nuk i duket e pamundur për sa kohë kemi mbështetjen e Presidenti Erdogan dhe qeverisë turke.
Lajmi i mirë është se tanimë ashtu sikundër u diskutua një vit më parë është realitet futja e gjuhës shqipe si gjuhë me përzgjedhje në gjithë arsimin turk. Është realitet projekti i monitorimit të rrugëve të Shqipërisë me kamera inteligjent, e falë asistencës së dhënë nga pala turke dhe kujdesit të presidentit Erdogan për këtë projekt.
Jemi duke bashkëpunuar për të rritur kapacitetet e inteligjencës në fushën e të ardhurave doganore dhe tatimore dhe patjetër do të bëjmë çmos për të fuqizuar marrëdhëniet ekonomike, për të rritur volumin tregtar dhe për të rritur marrëdhëniet në fushën e turizmit. Nuk jemi xhelozë për fqinjët, por numri i turistëve nga Turqia nuk përputhet me nivelin e dashurisë mes dy vendeve”, tha Rama.