Nga Boldnews.al
Mjaftuan vetëm pak orë shi që propaganda e qeverisë të përmbytej bashkë me mijëra banorë në fshatrat e Fierit, Vlorës dhe Beratit. Uji po tërhiqet për fatin e mirë të banorëve të prekur, por qeveria sapo pa që ranë prurjet, u nisën me shpejtësi për të realizuar filmin e radhës, të mbushur me propagandë, më shumë se Lumi Vjosë. Burri i gjatë me pelerinën e zezë, në xhepin e së cilës mban edhe tespiet e “mendimtarit të madh”, u shfaq në këtë mot si shpëtimtar, një superhero që të mbron nga rreziqet e natyrës. Kamerat gati, aktori, regjisori dhe skenaristi është po ai për të kapur propagandën edhe pse banorët janë me gjysmën e trupit të zhytur në ujë.
E vërteta është krejt ndryshe. Në momentet e para, forcat e policisë shkuan në zonat e përbytyra për të larguar banorët e mbetur. Nuk kishin gomone, as mjete të larta, por as veshje normale kundër ujit. Hoqën këpucët, që me “tender qeverie” kanë kushtuar 180 euro, përveshën pantallonat që kanë kushtuar 90 euro, dhe u futën në ujë. Dikush, një “shef propagande”, i filmonte për të treguar se “shteti është në këmbë”, por pa e vrarë mendjen se po kapte me zë e figurë policë këmbëzbathur.
Ama ne kemi mjete kur tregojmë forcën e dhunëspër të ngjizur frikën kolektive. Dhjetëra blinda të ushtrisë, madje edhe me mitrolozë ngrehur qarkullonin frikshëm nëpër qytet gjatë kohës së pandemisë. Frika u injektua dhe kush guxonte të dilte për një hall familjar përfundoi i arrestuar, i gjobitur dhe kërcënuar. Po në raste shpëtimi ku janë këto mjete frike që mund të shëprbejnë fare mirë në situata që vijnë nga fatkeqësitë natyrore?
Detyrohen policë këmbëzbathur që pasi u marrin me detyrim urinën në testin skandaloz të drogës i dërgojnë në kushte të vështira për të shpëtuar popullsinë civile. Dhe shumë mirë bëjnë, por duhen nisur me veshtejt e duhura, me mjetet e duhura dhe mbi të gjitha me mendësinë e duhur pasi nuk është nevoja që shefat e propgandës edhe në radhët e policisë, të mos ndezin kamerat e filmit propandistik teksa kolegët sfliliten.
Aty nuk tregohet mundi i policit, por “mirësia” e qeverisë. Ajo këmbët nuk i ka në ujë, por përpjetë pranë një oxhaku në vilën e luksit. Propaganda me rezlitetin janë shumë larg. E vërtetuam me tërmetin tragjik të 26 nëntorit 2019, kur mbetën të vdekur 51 qytetarë, mbi 1500 të plagosur dhe mijëra banesa të shkatërruara. Ekipet e shpëtimit shtangën. Nuk kishin krik për lëvizjen e largimin e mbetjeve, nuk dispononin fibra vëzhgimi për të parë nën rrënoja, nuk kishin për dreq asnjë qen gjurmues që të nuhaste praninë njerëzore nën pirgjet e inerteve.
U tha se tenderi për “blerje qensh të gjurmimit” ishte kryer, por lugunitë e qenve me frymë Rilindjeje i kishin “nuhatur” dhe më pas zhdukur fondet. Grupet e shpëtimit, kryesisht forcat zjarrfikëse tonat punuan me duar, duke mos ndalur asnjë çast, derisa erdhën Forcat e Shpëtimit nga Kosova, në një karvan të gjatë me mjete dhe njerëz. Vërtetë nuk i kishim fibrat vëshguese që sjellin pamjen nën rrënoja, por qeveria dispononte dhe disponon qindra kamera që filmonin propagandën e tyre, mu bash e në mes të fatkeqësive.
E provuam pak muaj më parë ku për një muaj rresht nuk mbeti pyll pa u djegur, ndërsa drejtuesit e qeverisë bënin paradën duke urdhëruar efektivët e ushtrisë: “me kazma e lopata e dua të shuar zjarrin”. Edhe të vetmin helikopter që mund t’i përshtatje një kovë të dhuruar na e mori për “xhiro qejfi” kryeministri.
Ra shiu dhe u përmbytëm, ra tërmeti e mbetëm në rrënoja, ra zjarri dhe luteshim të vetëshuhej dhe kudo pamë qeveritarë, por fare pak mjete të nevojshme . Sa herë përfshihemi nga fatkeqësi natyrore nisim lutjen të na ndihmojnë vendet e Bashkimit Evropian apo Turqia. Dimri është para, sërish policët me këmbët e zbtahura do jenë, ama kryeministri me pelerinën e zezë do gjendet kudo bashkë me armatën e madhe dhe mjetet e propagandës.