Ish-zv/ministrja e Jashtme, Edith Harxhi, thotë se vizita e të dërguarit amerikan Gabriel Escobar në vendin tonë ishte rutinore.
Në Task Force me Sonila Meçon, Harxhi tha se ndryshe nga deklarata e Lulzim Bashës, zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit nuk doli në konferencë shtypi.
Harxhi kritikoi edhe mediat e kontrolluara sipas saj nga Rama, që vunë në gojën e zyrtarëve amerikanë informacione që nuk janë të vërteta.
Edhe ambasada e SHBA në Tiranë, tha Harxhi, me deklaratën e bërë në përmbyllje të vizitës së Escobar, bëri kthim mbrapa.
“Gabriel Escobar është në një tur Ballkanik, ka qenë në të gjitha vendet e rajonit. Shqipëria ka qenë e fundit, nuk ka qenë e shpallur fillimisht, por u shtua më vonë. Kjo është një deklaratë rutinë. Nëse Escobar do të kishte patur diçka për të thënë do kishte dalë në konferencë shtypi.
Duke ndjekur fjalën e sotme të Bashës, mendova se Escobar po përgatitej për të bërë konferencë shtypi pasdite. Pasi dukej që zoti Basha po i paraprinte diçkaje të madhe.
Deklarata e ambasadës tregon se kjo ka qenë vizitë rutinë, por më vjen keq për mediat në Shqipëri, e sponsorizuar nga politika, zoti Rama në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe zoti Basha vetë, për të vënë në gojën e zyrtarëve të DASH apo edhe në mendjen e tyre informacione që nuk janë. Ambasada Amerikane duhet të jetë pak e ndrojtur në këtë moment pasi ka bërë një deklaratë që është një kthim mbrapa nga të gjitha deklaratat e deritanishme”, u shpreh Harxhi.