Kryetari i degës së PD në Fier, Luan Baçi denoncoi përpjekjen e Lulzim Bashës dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi, për të reduktuar numrin e delegatëve që kanë firmosur për Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit.
Në një lidhje me Sype për Syri Tv, Baçi tha se me urdhër të Bashës dhe Bardhit janë hequr nga delegatë sekretarët e seksioneve, edhe pse kanë qenë anëtar të Kuvendit të 17 korrikut, kur u miratuan ndryshimet statutore.
Por Baçi saktësoi se edhe kjo përpjekje nuk e cenon Kuvendin e 11 Dhjetorit i cili ka firmat e nevojshme për t’u mbledhur dhe për të marrë vendimet e duhura.
“Dega e Fierit në Kuvendin e 17 korrikut kishte 640 delegatë të miratuar. Ndër këta janë kryetarët e seksioneve, janë 226, 50 kryetarët e grupseksioneve, 50 sekretarët e grupseksioneve, është bordi këshillimor, nënkreytarët dhe sekretarët funksionalë. Midis tyre kanë qenë edhe sekretarët e seksioneve. Në Kuvendin e 17 korrikut kanë qenë deleghatë edhe sekretarët e seksioneve me mbi 50 anëtarë. Por me kërkesë të Sekretarit të Përgjithshëm Bardhi dhe kryetarit në detyrë, Basha, i kërkuan degës së Fierit që të gjithë sekretarët e seksioneve të ishin delegatë në Kuvend, si dhe bordi këshillimor siç kanë qenë Ilir Bele, Ligor Pone, Sandër Bardhi e shumë figura të tjera të PD, që morën pjesë në Kuvendin e 17 korrikut. Kuvendi i 11 dhjetorit është një Kuvend i jashtëzakonshëm dhe si i tillë delegatët e këtij Kuvendi nuk mund të përcaktohen me statutin e ri të 17 korrikut 2021, por kanë të drejtën të gjithë delegatët që morën pjesë në Kuveëndin e 17 korrikut të marrin pjesë në këtë Kuvend të jashtëzakonshëm.
Këto janë manovra që mendojnë se duke i hequr sekretarët e seksioneve, një pjesë të rëndësishme të bordit këshillimor, mendojnë se do të ndikojnë te rezultati i votimit, gjë që gabohen rëndë, sepse edhe këtë pjesë që kanë lënë dhe miratuar, 358 delegatë që ata kanë miratuar, kryetarët e seksioneve, kryetarët e grupseksioneve, sekretarët, bordi këshillimor, nënkryetarët dhe sekretariati. Janë dhe 35 anëtarët e tjerë këshillimorë delegatë, 18 të Lidhjes së Gruas dhe 17 të FRPD, që bëhen rreth 400 delegatë nga PD dega Fier që do të jenë pjesëtarë të Kuvendit të 11 dhjetorit, përveç 41 që mungojnë, 25 nuk janë në Shqipëri dhe pjesa tjetër 15-16 janë skeptikë në firmosjen e formularit”, u shpreh ai.
“Ndjej një përgjegjësi se nuk di si t’u shpjegosh arsyen se pse nuk do të jenë delegatë në 11 Dhjetor, edhe pse kanë qenë delegatë në 17 korrik. Dhe nga numri 640 delegatë që kishim, zbresim te numri rreth 400 delegatë bashkë me FRPD dhe Lidhja e Gruas. Pra i bie rreth 240 delegatë që ishin me të drejtë vote në 17 korrik, nuk do të jenë delegatë në Kuvendin e 11 Dhjetorit. Janë hequr në mënyrë të qëllimshme se janë pro ‘Foltores'”, theksoi Baçi.
Deputeti Luan Baçi tha se brenda pak ditësh degërt e PD në Qarkun e Fierit do të bëjnë transparente emrat e delegatëve që kanë firmosur.