Gjykata e Shkodrës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg 30 ditë” për dy të arrestuarit e dyshuar si autorë të vrajes së ish-deputetit Pashko Ujka.
Kohë kjo e nevojshme, sipas gjyatës, për të verifikuar alibinë e të akuzuarve të cilët kanë mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzave. Avokatët e të akuzuarve pretendojnë se të arrestuarit s’kanë lidhje me ngjarjen dhe kanë qenë në Kosovë, kur ka ndodhur krimi. Ky version u mbështet dhe nga familjarë të të arrestuarve.
Kristian Kelmendi dhe Marian Kola u ndaluan dy ditë më parë. Sipas Policisë, atentatori i drejtpërdrejt në këtë vrasje dyshohet se është Kristian Kelmendi, ndërsa Marian Kola, dyshohet si bashkëpunëtor në vrasje
Ujkës i është bërë pritë pranë shtëpisë së tij, në lagjen “Vasil Shanto” në Shkodër, më 29 Nëntor. Ai mori plagë në shtyllën kurrizore dhe për pasojë humbi jetën në spital.
Dyshohet se krimi ka ndodhur për një borxh të pashlyer. Sipas hetimeve paraprake, motiv për ekzekutimin e ish-deputetit Ujka mund të jetë një borxh i pretenduar që viktima i ka pasur autorit të dyshuar në lidhje me shitjen e një apartamenti. Por hetimet e plota pritet të zbardhin më në detaje dyshimet e ngritura deri më tani në lidhje me këtë ngjarje.