Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Alfred Rushaj u shpreh mbrëmjen e sotme në “Radarin Informativ” në “ABC” përballë gazetares Jonida Shehu se beson që në 18 Dhjetor, datë kur Lulzim Basha thirri Kuvendin Kombëtar të partisë do të vijë numri i mjaftueshëm i delegatëve për të bërë kuorumin e mjaftueshëm.
Por nëse nuk do të vijnë, pasi në krahun tjetër Sali Berisha pretendon se ka mbledhur mbi 4200 firma për një tjetër Kuvend në 11 Dhjetor? “Nuk e di cfarë do të ndodhë. Në datë 18 delegatët do të vijnë” tha Rushaj. Ai theksoi se në 18 Dhjetor, Kuvendi që ka thirrur lideri demokrat nuk do të përjashtojë liderin historik nga partia që themeloi 30 vite më parë.
Pjesë nga intervista e Rushajt në ABC
A ka gjasa të ketë një reflektim deri në afrimin e këtyre datave të Kuvendeve, pasi nga Berisha duket se nuk do të ketë një tërheqje, që të bëhen bashkë?
Ju thoni parti zyrtare, parti “Foltore”. PD në dijeninë time është një, Partia Demokratike e Shqipërisë, ka një statut, organe të zgjedhura, që marrin vendime, që mund të jenë të drejta apo të padrejta. Ka një kuvend që mbahet në datë 18 Dhjetor.
Ka një grupim shumë të fuqishëm përballë?
E ka kërkuar Sali Berisha, kanë mbledhur firma dhe kanë kërkuar që të mbahet një Kuvend. Statuti i PD-së e ka këtë lloj mundësie, kur e kërkon ¼ e delegatëve duhet të fillojë procedura. Kërkesa fillon me paraqitjen e firmave me shkrim te PD dhe PD ka protokoll dhe pastaj ka institucione si Kryesia që marrin vendime për thirrjen e Kuvendit.
Paloka është institucion?
Edi Paloka është kryetari i këshillit kombëtar, ndërkohë PD ka një zyrë protokolli ku paraqiten dhe shqyrtohen.
Specifikohet në statut ku paraqiten firmat?
Kam një pyetje, dikush që dërgon një letër në PD e ka të specifikuar ku duhet të dërgohet apo te protokolli? Mund të mi kishte sjellë edhe mua (firmat), por prapë nuk quhet dorëzim. Duhet t’i dërgonte në protokoll. Më pas është Kryesia ajo që merr vendimin për Kuvendin, vendim i cili duhet të jetë të paktën një muaj përpara mbledhjes së Kuvendit.
A jeni të sigurt se në Kuvendin që ka thirrur Basha do të vijnë numri i mjaftueshëm i delegatëve?
E sigurt është që do të vijnë delegatët për kuorumin.
Çfarë ju bën të sigurt, duke qenë se një pjesë janë në krahun tjetër?
Nuk e di sa janë.
Ku keni ju sigurinë?
Sa herë që ka ndodhur që është thirrur Kuvendi, delegatët kanë ardhur.
Po nëse nuk do të ketë një kuorum, cfarë do të bëjë Basha?
Këtë nuk e kam diskutuar me Bashën. Nuk e di cfarë do të ndodhë. Në datë 18 delegatët do të vijnë. Vijnë, diskutojnë, disa janë pro dhe disa kundër.
Është planifikuar të përjashtohet Berisha?
Jo. Absolutisht që jo. Nuk është parashikuar fare as përjashtimi i Berishës dhe askujt tjetër.
A mund të përfundojë PD-ja e përçarë në dyert e gjykatave?
Unë shpresoj që jo.
Por nuk e përjashtoni?
Nuk kam asnjë dyshim që të gjithë demokratët, edhe ata që sot janë me zotin Berisha, kundër Bashës, nuk kam dyshim që duan një PD të bashkuar, e aftë për të rrëzuar Ramën. / Abcnews.al