Ajo u vetëvra në një mbikalim hekurudhor në Romë, pasi iu mohua shtetësia italiane, të cilën e priste prej vitesh dhe shtetësinë shqiptare nuk e donte më. Kjo çoi në vetëvrasje Adelina Sejdinin, me origjinë nga Durrësi, e cila kishte denoncuar trafikun shqiptar të shfrytëzimit të prostitucionit, duke çuar në arrestimin e 40 personave dhe kallëzimin e 80 të tjerëve.
Mediat italiane raportojnë se motra e saj Ermira nga Pavia, kërkon tashmë drejtësi për shkaqet që çuan në vetëvrasjen e së motrës.
“Motra ime e ka përballuar jetën duke i ndihmuar njerëzit që të mos vuajnë. Kur ka qenë ajo që ka kërkuar ndihmë, askush nuk e ka ndihmuar. Dua të di se çfarë ka ndodhur. Kufoma ende nuk na është kthyer. Kemi pasur vetëm një telefonatë nga institucionet, me babain tim, për të njoftuar se motra ime ka vdekur” , citohet Ermira.
47-vjeçarja Adelina Sejdini ishte e dëshpëruar, pasi i ishte hequr statusi i shtetësisë dhe në lejen e saj të qëndrimit tregohej shtetësia shqiptare. Ajo arrestoi shfrytëzuesit e saj, kryesisht të mafias shqiptare që kontrollonte shfrytëzimin e prostitucionit në të gjithë Italinë dhe priste të merrte nënshtetësinë italiane.
Adelina Sejdini ishte rrëmbyer nga mafia shqiptare në moshën 22-vjeçare në vitin 1996 dhe ishte detyruar të prostituonte në Itali. Ajo ishte kthyer në pikë referimi në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, por u vetëvra pak ditë më parë, pasi u braktis nga vendi që e kishte bindur të luftonte.