Fëmijët në Funarë të Librazhdit e zhvillojnë mësimin në ambiente të lokaleve dhe shtëpi të braktisura, që prej prishjes së shkollës nga tërmeti.
Në emisionin Fiks Fare publikohen shifrat dhe janë rreth 100 fëmijë që procesin mësimor e zhvillojnë në 5 ambiente të ndryshme në fshat. Grupmosha e fëmijëve varion që nga kopështi e deri në klasën e 9-të.
Shkolla e këtij fshati ka dalë jashtë funksionit që nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, dhe që në atë kohë për fëmijët e fshatit është gjetur kjo zgjidhje. Gazetarët shkojnë për ta parë nga afër situatën. Fillimisht kërkojnë të gjejnë ambientet se ku zhvillohet procesi mësimor. Gazetarët dy klasa i gjejnë në një shtëpi të braktisur , një klasë është e ndërtuar në një ish lokal, ndërsa dy klasa të tjera në katin e parë të një shtëpie. Ndërkohë edhe kopështi është i ndërtuar në një ambient lokali. Fëmijët për të shkuar në tualet duhet të dilnin në ambient tjetër ku luhej bilardo e më pas të kryenin nevojat e tyre personale.
Gazetarët telefonojnë drejtorin e shkollës z. Naim Goma për të mësuar më shumë sesi zhvillohet procesi mësimor në këtë mënyrë. Por edhe drejtori kishte përfunduar duke dhënë mësim në një ambient të hapur në natyrë, siç ua pohon ai vetë gazetarëve. Duke e ditur se për çfarë po e telefonojnë gazetarët ai i shmang duke ju thënë se pas mësimit do paraqitet në zyrën arsimore. Por gjatë telefonatës drejtori konfirmon se ambientet ku zhvillohet mësimi i ka zgjedhur pushteti vendor .
Gazetarët gjithashtu takojnë edhe kryeplakun e fshatit z. Ferit Mokra. Përgjatë intervistës ai thotë se pavarësisht se zhvillimi i procesit mësimor në këtë lloj forme mbetet një problem i madh, nuk kanë patur zgjidhje tjetër.
“Kemi kërkuar ndërtimin e shkollës ,madje këtu ka ardhur dhe ministrja e Arsimit Evis Kushi” tregon kryeplaku “por deri më sot asgjë nuk është bërë ,jemi akoma në këtë gjendje ku fëmijët zhvillojnë mësim në ambiente lokakesh apo shtëpi të braktisura”. Gazetarët sigurojnë nga bashkia dosjen e aplikimit të projektit , që i është nisur që në Mars 2020 Ministrisë së Arsimit , Rinisë dhe Sportit. Krahas aplikimit bashkia ka ofruar bashkëfinancim të projektit në 10 përqind të shumës. Pra projekti kap shifrën e 100 milion lekëve, ku bashkia jep 10 milionë lekë, ndërkohë pritet që ministria të japë 90 milion të tjera.