“Ministria e Energjisë dhe Industrisë të propozojë miratimin e marrëveshjeve të hidrokarbureve në Kuvendin e Shqipërisë, me qëllim sigurimin e një modeli dhe treguesve të tyre me mbështetje sa më të gjerë, si dhe të shmangë mbylljen e ciklit të vendim-marrjes brenda qeverisë, kjo për shkak dhe të kohëzgjatjes me periudha që tejkalojnë mandatin e një qeverie”.
Në këtë përfundim ka arritur Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka përfunduar auditimin e performancës për “Procedurat dhe rezultatet e marrëveshjeve hidrokarbure në Shqipëri”. Në këtë material voluminoz prej 153 faqesh, KLSH konstatone ndër të tjera se ndikimi në ekonomi i shfrytëzimit të pasurive nëntokësore ka qenë minimal, si për sa i përket efektit në punësim dhe të ardhurave në buxhet. (Lexo: Raporti KLSH: Ja masakra që është bërë me shfrytëzimin e naftës në Shqipëri)
Për të rritur ndikimin e këtyre marrëveshjeve në ekonomi, KLSH, krahas miratimit nga Parlamenti, jo nga qeveria (një kërkesë kjo që është artikuluar shpesh dhe nga ekspertë të tjerë të ekonomisë, si psh Zef Pre☼i” ka kërkuar dhe hartimin e një ligji të ri.
Tre rekomandimet, për tu zbatuar brenda muajve të parë të vitit janë:
-Ministria e Energjisë dhe Industrisë të marrë masat e nevojshme për të hartuar dhe propozuar një Ligj të ri për Hidrokarburet, duke mbajtur në konsideratë konkluzionet e mësipërme, si dhe duke u konsultuar me entet publike që veprojnë në fushën e hidrokarbureve (AKBN dhe Albpetrol ShA) për të ezauruar problematikën e shfaqur deri tani nga zbatimi i tyre, si dhe për ta harmonizuar me sistemin legjislativ kombëtar dhe atë ndërkombëtar të fushës./Brenda tremujorit të parë 2017
– Ministria e Energjisë dhe Industrisë të propozojë miratimin e marrëveshjeve të hidrokarbureve në Kuvendin e Shqipërisë, me qëllim sigurimin e një modeli dhe treguesve të tyre me mbështetje sa më të gjerë, si dhe të shmangë mbylljen e ciklit të vendim-marrjes brenda qeverisë, kjo për shkak dhe të kohëzgjatjes me periudha që tejkalojnë mandatin e një qeverie.
Brenda tremujorit të parë 2017, Ministria e Energjisë dhe Industrisë të marrë masat e nevojshme për të përfunduar rregulloren “Për aktivitetet e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve në Shqipëri”, për të mbështetur dhe siguruar rolin rregullator dhe kontrollues të shtetit nëpërmjet organeve, strukturave dhe institucioneve, si dhe për një përputhje të plotë me Direktivën 94/22/EC.
Ligji aktual, sa shumë probleme
Sipas ligjit, Ministria mundet të hyjë në Marrëveshje Hidrokarburesh me çdo Person dhe “Person” do të thotë një person fizik a juridik, partneritet, njësi koorporate apo ndonjë shoqatë tjetër. Një përcaktim i tillë, duke ligjëruar lidhjen e marrëveshjes me person fizik, nuk motivohet aspak juridikisht me qëllimin e marrëveshjeve hidrokarbure dhe praktikën ndërkombëtare.
Zhvillimi i sektorit të naftës dhe gazit nëpërmjet marrëveshjeve hidrokarbure kërkohet kryesisht në kushtet e vendeve që kanë mungesë të kapaciteteve teknike, njerëzore dhe financiare vendase, duke ia ofruar rrjedhimisht investitorëve të huaj të fushës.
Sipas përcaktimeve aktuale ligjore, pasuritë tona nëntokësore mund të merren në shfrytëzim edhe nga një shoqatë apo koorporatë e cila nuk është e specializuar në fushën e industrisë nxjerrëse të naftës. Praktikat ndërkombëtare përcaktojnë se shtetet zotëruese të pasurive natyrore nëntokësore hyjnë në marrëveshje hidrokarbure me kompani të specializuara në fushën e hidrokarbureve, kryesisht ndërkombëtare.
Ligji aktual i lë hapësira evazive vendim-marrëse Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë për t’u “bindur” se Personi me të cilin do të lidhet Marrëveshja e Hidrokarbureve disponon ose mund të sigurojë burimet financiare dhe kompetencën teknike të kërkuar për të përmbushur detyrimet e Kontraktorit nën Marrëveshjen e Hidrokarbureve49. Në këtë mënyrë, edhe nëse nuk ka burime financiare, por i siguron ato më pas, personi mund të marrë për kërkim dhe shfrytëzim vendburime të naftës, pa patur ndonjë artikulim ligjor se si mund të sigurohen dhe sa garanci ofron për kosto optimale të hidrokarbureve.
Për shkak të kolapsit ekonomik të viteve ’90 janë ndërmarrë lëvizje ristrukturuese drejt privatizimit, si dhe janë bërë përpjekje për ofrimin e investitorëve të huaj, duke diktuar nevojën emergjente për ndryshime në fushën e legjislacionit, si një mjet rregullator për mënyrën e menaxhimit dhe të perspektivës së sektorit hidrokarbur. Mbi këtë bazë, në vitin 1993 u krijua hapësira ligjore për të bërë të mundur transferimin e veprimeve (prodhimit) nga shteti drejt investitorëve cilësorë me Ligjin nr. 7746 datë 28.07.1993 “Për hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi)”.
– Edhe pse ky ligj ka pësuar ndryshime 6 herë deri në periudhën aktuale, vazhdon të shfaqë probleme në lidhje me:
– Përkufizimin e Marrëveshjeve me Ndarje Prodhimi, si marrëveshje e cila parashikon mbulimin e plotë të kostove hidrokarbure, pa hapësira në një nivel të caktuar përqindjeje deri në mbulimin e plotë të tyre;
– Nuk është në përputhje me strategjinë e thithjen e investimeve dhe investitorëve të huaj me përvojë ndërkombëtare në fushën e hidrokarbureve, por e lë evazive angazhimin në marrëveshje të tilla dhe me persona fizikë dhe shoqata;
– Nuk është i qartë dhe konciz në lidhje me vendim-marrjen e ministrisë së linjës për përcaktimin e investitorëve të fushës së hidrokarbureve, pasi nuk përcakton kritere, por e lë mbi bazën e “bindjes”, si dhe krijon mundësinë e nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve me investitorë pa kapacitetet e nevojshme financiare, por që mund t’i sigurojnë ato gjatë zbatimit;
– Nuk ka përcaktime ligjore mbi nivelin kufi të nënkontraktimit të punëve, mallrave dhe/ose shërbimeve, duke sjellë në vëmendje se nënkontraktimet rrisin kostot hidrokarbure dhe për pasojë shtyjnë në kohë dhe zvogëlojnë përfitimet e shtetit nga pasuritë nëntokësore të veta;
– Nuk ka karakter detyrues për ministrinë në hartimin dhe miratimin e rregulloreve dhe kontratave model, mungesa e të cilëve ul ndjeshëm efektivitetin e kuadrit rregullator në përfitueshmërinë e shtetit shqiptar nga marrëveshjet hidrokarbure;
– Marrëveshjet hidrokarbure të prodhimit, megjithëse zgjasin më shumë se një çerek shekulli dhe pretendohet të shpenzohen qindra miliona dollarë (ose euro), krahas problemeve të tjera, vazhdojnë të bëhen efektive me vendim të Këshillit të Ministrave, duke e mbyllur ciklin e tyre brenda qeverisë së radhës. /Monitor/