Nga Boldnews.al
James Bondi i katunit tonë, agjenti 007 i lejeve të ndërtimit në Tiranë, kishte ditë që mendonte sesi do të vishej, te cila parukiere do ngrinte flokët me me xhel special (gjalp i dhisë capore), dhe të shndrinte fytyrën e nxirë me ajkën e qumështit të deles rudë.
Ai ia arriti, iu duk vetja gati njëjtë si personazhi James Bond në filin e ri “No time to die”. Po flasim për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, që të shtunën në mbrëmje kishte marrë rolin e një “producenti” bashkë me ambasadorin britanik për shfaqjen e filmit premierë në kinemanë e kryeqytetit.
Kur personazhet e ftuar nisën të dukeshin, dilemat e 007-ës së ndërtimeve ishin të mëdha. A do të vijë James Bondi i policisë? Po i prokuririsë, po Bondi i i SPAK-ut? Po ministri i Brendshëm, një Bond që nga serat me domate shkoi në krye të dikasterit më të rëndësishëm?
Mëdyshjet u shuan. Kreu i SPAK shkeli në tapetin e kuq dhe pasi bëri disa hapa triumfuese, i zgjati dorën dhe falenderoi Erion Veliajn për ftesën. Të dy ishin të gëzuar, por më shumë “agjenti 007”, i cili ka disa dosje në SPAK, por personazhet takohen në filmin “Nuk është koha për të vdekur”…
Mbrëmje e madhe. Në një b… vendi hapen shpatullash të tjerë aktorë të filmit tonë. Kryeprokurori Olsjan Çela dhe kryepolici i sapozgjedhur Gledis Nano afrohen në podiumin ku i pret sërish agjenti i famshëm që shemb objektet e trashëgimisë kulturore dhe ndërton kulla nën dyshimin e pastrimit të parave të pista.
Saga e “aktorëve protagonistë” dhe atyre figurantë shkelën me radhë në tapetin e kuq, si personazhe të filmit “politik” të prodhuar nga “Kinostudio Rilindja e Re”. Një eveniment kaq i madh kërkonte edhe “Diva të kinematografisë politike” … Ajo erdhi, gjithnjë në filmat e politikës sonë ka një grua në mes, nga ata që në haluçinacionet e tyre mbajnë një armë të veçantë që të këpusin filmin, apo të lejojnë që të vazhdojë filmi.
Ankth tek James Bondi i katunit tonë… Ambasadorja amerikane Yuri Kim me elegancën e saj i dha një tjetër përmasë organizimit të Veliajt. Dhe ai ia shpërbleu, kur si një xhëntëlmen i vertetë dhe njohës i mirë i bojatisjes së më të fuqishmëve, u përkul gati gjunjas në shenjë falenderimi për “aktoren e madhe”.
Filmi i vërtetë që u shfaq nuk ishte “No time to die”, por ai “Është koha e Rilindjes”, që ndodhi në sytë e qytetarëve kur personazhe të dyshuar për korrupsion me dosje të stërmëdha gjoja nën hetim dhe të tjerë që “thuhet” se po luftojnë korrupsionin u bënë bashkë.
Ata e kaluan çdo provë, me përjashtim të kryepolicit i cili ende i pamësuar me shfaqjet, shtangu paksa kur u ndezën blicet e aparatëve. Gjithsesi e dha një shenjë që në të tjera evenimente mund të bëjë protagonistin si të gjithë aktorët e tjerë…
Në fund kjo mbrëmje e madhe duhej të shoqërohej me çmimet e duhura, ku padyshim “Oskarin” e meritonin Veliaj, Kraja, Nano, Çuçi dhe Çela, madje e meritonin që ta merrnin nga dora e ambasadores, e cila vërtetë shkëlqeu.