“Natyra dhe arti janë bashkuar për të prodhuar një kopsht të begatë”.
Kështu shkruante gati 100 vjet të shkuara gjenerali amerikan George P. Scriven, për një copëz të Ballkanit, që ai kishte pasur fatin ta vizitonte gjatë Luftës së Madhe. Gjeneral Brigade Scriven, një emër i njohur për historinë e Ushtrisë amerikane si komandant i korpusit të ndërlidhjes dhe më vonë si një prej pionierëve të aviacionit, ka lënë shënimet e tij shumë interesante mbi udhëtimin në Jugun e Shqipërisë.
Një raport për ushtrinë amerikane, si dhe dy shkrime publike për Shqipërinë, e rendisin atë në udhëtarët e parë amerikanë në viset shqiptare. Me një karrierë të pasur në ushtri, duke shërbyer në disa vende si përfaqësues ushtarak, gjenerali Scriven shërbeu si këshilltar I trupave italiane në frontin ballkanik gjatë Luftës së Madhe. Interesant është këndvështrimi i gjeneralit mbi Shqipërinë e pasluftës, si një prej vendeve të vetme që ka nxjerrë përfitime nga lufta, me vepra të rëndësishme publike në infrastrukturën e saj.
Gjenerali, nga shënimet, prej të cilave po e botojmë sot një copëz, duket se ka pasur përshtypje të paharrueshme nga udhëtimi i tij shqiptar. Publikisht e cilëson veten e tij si mik i këtij vendi të panjohur dhe shumë të varfër, por shumë të bukur. Raporti për Ushtrinë amerikane është një shënim mbi rrugët strategjike që përshkojnë Shqipërinë dhe sidomos rëndësinë e Vlorës, si një pikë strategjike ushtarake, me rëndësi të madhe.
Ndërkohë, në një shkrim të botuar në një prej publikimeve më të rëndësishme të Amerikës, duket se gjenerali amerikan kërkon t’i bëjë thirrje Italisë, e cila ka shfaqur hapur ambicien e saj për “patronazhin” ndaj Shqipërisë së pasluftës.
Përveç shënimeve interesante të gjeneralit Scriven, koleksioni i tij fotografik është me shumë interes, duke na lënë pamje të rralla të viseve të Jugut, përfshirë edhe varrezat bektashiane të Tepelenës, si dhe një imazh të rrallë të fshatit Nivicë, në Malësinë e Kurveleshit, ku qartësisht duken shtëpitë e ndërtuara si kulla, një fizionomi tashmë e zhdukur tërë sisht nga kjo krahine.
KUJTIMET E GJENERALIT
“Vetmia dhe Izolimi i Shqipërisë tashmë kaloi bashkë me Luftën Botërore, stuhia e Adriatikut së shpejti do të shpërndahet, të paktën për ca kohë, Parisi një ditë do të veprojë, dhe nga Jugu, dora e Greqisë do të tërhiqet nga vendosja e paqes apo sepse Veriu i Epirit është Jugu i Shqipërisë, kurrizi i ashpër i Gjembaçit të Ballkanit, të cilën vetëm një dorë e pamatur do të guxojë ta rrëmbejë edhe nëse qëndron e vetmuar. Por Shqipëria nuk është më e vetmuar, Lufta i solli asaj miq.
Fotografi e realizuar nga gjenerali amerikan, George P. Scriven, në Nivicë të Kurveleshit, gjatë Luftës I Botërore, ku dallohen qartë shtëpitë në stil kulle, si ato të Veriut të Shqipërisë E në fakt, më shumë se miq, Lufta e lartësoi, pasi kush e ka parë, nuk ka dyshim se okupacioni i ushtrive aleate bëri të mundur për të gjithë popullatën që ishte pas vijës së frontit nga Adriatiku në Detin Egje, të ishte një bekim. Armata Aleate ishte një forcë e fuqishme ndërtuese, e cila bëri mirë e duke lënë pas vepra të mëdha, për të cilat si populli shqiptar, si heterogjenet nën emrin Maqedonas dhe si jo seriozët grekë, përgjithmonë do t’i njohin ato si vepra të rëndësishme për Ballkanin dhe për njerëzimin.
Nuk është e tepruar nëse do them se në Shqipëri më të mëdhatë vepra të mira u sollën nga italianët. Ishin ata të cilët ndërtuan rrugët, zhvilluan qytetet, hapën vendin, iu dhanë këshilla banorëve, hapën shkollat, ushqyen të uriturit, ishin italianët që themeluan gjykatat, mjekuan të sëmurët, ndihmuan të varfrit.
Përse kjo punë e paqme e Italisë të mos vazhdojë në paqe, ashtu si dikur në luftë? Përse Italia dhe Shqipëria të prishen?
Pakkush nga miqtë e saj, ndër të cilët unë e radhis veten, mendojnë se shqiptarët ende nuk mund të ecin të vetëm. Duhet ta dinë se iu duhet një mik, iu duhet dora e një udhërrëfyesi t’i drejtojë ata në hapat drejt progresit. Një udhërrëfyes dhe jo një padron, i cili mund të tërhiqet në mbarim të shërbimit të tij. Këtë unë besoj se Shqipëria do ta pranojë dhe nuk jam i vetëm në këtë bindje. Por dora e shtrirë nuk duhet të jetë prej çeliku, e fshehur në një dorezë kadifeje. Shqiptari nuk duhet të pranojë asnjë padron, ashtu siç nuk ka pasur deri më sot. Prova e një miqësie pa interes është e vështirë të vendoset për çdo vend, me përjashtim të Amerikës, e cila e ka kaluar testin.
Varrezat bektashiane në Tepelenë, fotografuar nga gjenerali amerikan Prandaj duhet një provë e dukshme dhe besim, përpara se Shqipëria të marrë dorën e një vendi që kërkon ta ndihmojë. …… Shqipëria është me të vërtetë një vend i çudirave, por për shekuj i harruar, i pakënduar, përveç vargjeve të Bajronit, i panjohur si disa ishuj të humbur në detrat tropikale, e megjithatë një tokë, ku natyra dhe arti janë bashkuar për të prodhuar një kopsht të begatë, ku e ardhmja do të jetë e ndriçuar”