Franko dhe Marjana, janë përkatësisht 78 dhe 58 vjeç dhe janë prindër të një djali 4-vjeçar, të quajtur Enderson. Në moshën 54-vjeçare, Marjana mësoi se ishte shtatzënë dhe dëgjoi për herë të parë të rrahurat e zemrës së të birit.
Historia e dashurisë së çiftit dhe ardhja e papritur e Endrit në jetën e tyre, nga një shtatzëni natyrale dhe e pazakontë për moshën e tyre, është rrëfyer nga vetë Marjana dhe Franko në emisionin ABC-ja e Mëngjesit.
“Mos pafsha femër pa u bërë nënë se është gjëja më e shtrenjtë. Kam bërë mure, shtëpi, s’ka vlerë asgjë. Para Endrit asgjë në botë s’ka vlerë”, shprehet Marjana, duke treguar më tej se ndodh shpesh në rrugë që t’i ngatërrojnë për gjyshërit e Endersonit. “Shumë njerëz na thonë nipi, [fëmija] i vajzës apo djalit. Jo! S’e kemi fshehur kurrë!”
Franko dhe Marjana kanë një histori dashurie të trishtë, por me fund të lumtur. Ata u njohën në punë e ndonëse me 20 vite diferencë nga njëri-tjetri, ndjenjat nuk mund t’i komandonin. Franko për rrethana të jetës u martua dhe krijoi familjen e tij, por edhe pse kaluan vite zemra e ktheu përsëri në dashurinë e tij të vjetër.
“Reagimi nëpër shokë nuk ishte i mirë, por s’më ka bërë përshtypje. Për familjen më ka ardhur keq. Për gruan… se ishte një nënë e mirë e kalamajve, por jeta paska të vetat”, rrëfen Franko.
Pas ndarjes së Frankos dhe ribashkimit të çiftit, të dy emigruan drejt Italisë dhe fëmijët e Frankos ishin për Marjanën njëjtë sikur t’i kishte fëmijët e saj. Por erdhi një moment në jetë që instikti i mëmësisë u rebelua brenda saj…
“Ishim një ditë duke parë televizor. Ishin dy artiste që kishin lindur njëra në moshën 54, 56-vjeçare dhe mua më ranë lot… Më sheh Franko në sy e më tha se s’ke thënë kurrë që doje një fëmijë.”, tregon Marjana.
Por, për Frankon jeta nuk kishte ardhur aspak e lehtë dhe për të ishte e vështirë të vendoste.
“Unë jam babai i 4 fëmijëve, 3 djem e 1 vajzë. Vajza nuk rron… Në kohë të afërt ndërroi jetë edhe nusja e djalit 22 vjeç, nga korenti… dhimbje e madhe, s’e kisha kollaj të vendos për fëmijë tjetër… Por Marjana ishte e parealizuar pa një femijë. Ishte dëshirë e madhe e imja. Me realizimin e këtij fëmije ne nuk kemi më problem në jetë. Ky më ka rinuar edhe mua, është një fëmijë që e dua shumë.”
Rrugëtimi nga lajmi i shtatzënise e deri në lindjen e Endersonit nuk ishte aspak i lehtë për dy prindërit ‘e rinj’. Shtatzënia për Marjanën ishte e mbarë, por kontrollet nga shteti italian ishin të shumta, kjo për shkak të moshës së çiftit që po sillte në jetë një fëmijë.
“Për moshën që kishim na u vu pas asistenca sociale. I merrnin firmat Frankos. Pas 3-4 herësh nuk kanë ardhur më, sepse kanë parë përkushtimin tonë”, rrëfen nëna e Endersonit.
Muajt kaluan shpejt dhe Endersoni erdhi në jetë per të marrë dashuri pa kushte nga dy prindër që mezi prisnin të njihnin fytyrën e tij. Prej moshës që ka, babi Franko e di se Endersoni do të rritet i shëndetshëm e i sigurt pranë nënës së tij.
“Unë s’kam asnjë ëndërr se unë e lë shpejt. Por nuk është peng i imi, sepse kam besim te Marjana. Është edhe nënë, edhe babë.”
“I sugjeroj çdo lloj femre që dëshiron të bëhët nënë, asnjëherë nuk është vonë… “ -e mbyll Marjana.
Burimi: ABC News