Nga Andi Bushati
Që në ditën që Lulzim Basha vendosi personalisht të përjashtonte Sali Berishën, mbrojtësit e tij publikë kanë servirur një sërë argumentash që e përligjin këtë akt. Nisur nga fakti se kreu demokrat nuk ka dhënë asnjë shpjegim serioz, për shkak se ai ka dashur ta kalojë në heshtje edhe aktin më të rëndësishëm të karierës së vet politike, i ka shtyrë avokatët e tij të prodhojnë një sërë alibish që janë njëra më e dobët se tjetra.
Le ti analizojmë ato me radhë duke u përpjekur të kuptojmë më mirë atë që po ndodh…
Alibia e parë: Për të mos izoluar PD nga SHBA…
Shpëtimi i marëdhënieve të partisë më të madhe të opozitës me Uashingtonin ka qenë kryergumenti për të përligjur përjashtimin e Berishës. Por, më shumë sesa një arsye logjike këtu kemi të bëjmë me një justifikim të sforcuar.
Në fakt, shantazhi nga ana e amerikanëve ka qenë i fortë. Sipas të gjitha gjasave ajo që thotë Basha për vizitën e ndihmës sekretarit amerikan të shtetit Philip Reeker, c cili nuk pranoi asnjë negocim për urdhrin e përjashtimit, është e vërtetë. Ne po ashtu i kemi dëgjuar me veshët tanë deklaratat e ambasadores Kim për një PD që do hante bar, nëse vazhdonte të mbronte interesin e një njeriu të vetëm.
Pra presioni vërtet ka qenë i fortë. Por pyetja që shtrohet është: Nëse PD do të vepronte ndryshe a do penalizohej edhe ajo nga SHBA?
Historia tregon të kundërtën. Diplomatët e Uashingtonit dinë vërtet të bëjnë shantazhe brutale dhe arrogante, por jo gjithmonë i zbatojnë ato, kur nuk e arrijnë qëllimin që kanë. Shembullin më të mirë e kemi shikuar, pak kohë më parë, me Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen. I thanë se do prisnin ndihmat amerikane, i thanë se do tërhiqnin trupat ushtarake, i nxorrën të bardhë e të zi ta godisnin si antiamerikan dhe ai jo vetëm që erdhi në pushtet, por sot është edhe partneri i SHBA-së në pritjen e refugjatëve Afganë në Kosovë.
Të njëjtën gjë bëri shumë vite më parë edhe Edi Rama. Falë presionit popullor ai, megjithëse i pati premtuar, i tha jo administratës së Obamës për të sjellë në Shqipëri armët kimike të Bashar Al Asadit. Pra ndonëse i doli fjale perandorisë, ai arriti ti rekuperojë shpejt marëdhëniet duke u bërë sot një nga autokratët e rrallë në glob të mbështetur prej saj.
Alibia e dytë: Pa mbështetjen e SHBA, PD nuk vjen dot në pushtet
Sipas kësaj logjike PD duhet të hidhte baltë mbi trashëgiminë e saj për të mos u prishur me amerikanët, se pa ata nuk vjen dot kurrë në pushtet në Shqipëri. Kjo gjithashtu është një e pavërtetë e madhe. Madje në Shqipëri ka funksionuar e kundërta. Këtu asnjë nga liderët që janë ngjitur apo rikthyer në pushtet nuk ka arritur ta bëjë këtë pa kaluar nga filtri i atij që ne i themi për lehtësi, “anti-amerikanizëm”. Fatos Nano nga burgu akuzonte diplomatët e SHBA në Tiranë për prangat në duart e tij. Ai ka një libër të tërë, ‘Cështja Nano”, ku flet për makartistët e rinj që ishin bërë njësh me pushtetin e Berishës. Për vite me radhë ambasadori i SHBA nuk shkelte në selinë e partisë me kryetar të dënuar si vjedhës ordiner. Por kjo nuk e pengoi aspak Fatos Nanon të rikthehej dy herë si kryeministër madje të pritej në Shtëpinë e Bardhë edhe si një nga mbështetësit e koalicionit të luftës për rrëzimin e Sadam Hysenit.
As Sali Berishën, që e shigjetonte në vitet e opozitës Mariza Linon si guvernatore të paemëruar, nuk e pengoi njeri të vinte në pushtet në 2005. Po ashtu dhe Edi Ramës, që “frymëzonte celulat anti amerikane” në vitet 2010 – 2011, askush nuk i përmend sot, në kohën e dashurisë me Yuri Kim, ato për të cilat e akuzonin një dekadë më parë.
Pra morali i fabulës është i thjeshtë: me SHBA, nuk ka “non grata” të përhershme, ato respektojnë atë që është i fortë dhe që ka mbështetje në vendin e tij.
Ndërsa përsa i përket të tashmes opozita nuk e ka domosdoshmëri ruajtjen e një marëdhënie perfekte me diplomatët amerikanë, të cilët, vitet e fundit, kanë qenë hapur në mbështetje të Edi Ramës. Ndonëse i ka besuar për reformën në drjtësi, ajo po sheh se si gjyqësori i ri po kontrollohet totalisht nga qeveria, ndonëse i besoi për marëveshjen e 5 qershorit, ajo qe dëshmitare se si Yuri Kim u përkul para Ramës duke ia njohur ndryshimet anti kushtetuese. Po të shkojmë më tej, me gjithë qëndrimet që kanë mbajtur, diplomatët amerikanë nuk kanë qenë kurrë në krah të kauzave të opozitës edhe kur ato kanë rastisur të drejta.
Pra, fatkeqësisht e vërteta është se një forcë politike respektohet prej tyre, jo kur sillet si vasale, as kur shefi i saj bën yes man-in, por kur ka dinjitet për vete dhe mbështetet nga populli. Prandaj, tendenca për ti thënë Amerikës po për gjëra që si beson as vetë, as e bën PD-në më të fortë, as nuk ia afron asaj pushtetin. Përkundrazi.
Alibia e tretë: për të mos përçarë PD
Sipas kësaj teorie Lulzim Basha e mori vendimin personal për të përjashtuar Berishën pa u konsultuar me askënd dhe pa e votuar në asnjë forum, nga frika se mos në partinë e tij do krijohej një skizëm, mes atyre që mbronin trashëgiminë e doktorit dhe të tjerëve që donin të shihnin nga e ardhmja. Ky argument është absurd.
Së pari se Berisha e kishte paralajmëruar disa herë, shumë kohë më parë, që nëse kjo ndodhte ai do të niste një lëvizje, për rikthimin e partisë në shinat e legjitimitetit dhe sovranitetit. Pra ky argument idiot nuk ka vlerë, pasi përplasja që gjoja duhehj të shmangej po ndodh, madje me nota dhe tone më emocionale që nxiten nga shija e tradhëtisë dhe e një vendimi të marrë në kulisa.
Por, më e rënda ndodh në momentin kur këtë version e mbrojnë edhe njerëz me prirje intelektuale. Pra sipas tyre, demokracia, debati i brendëshëm, rrahja e mendimeve për çështje akute si kjo, i bëkan dëm një partie. Votimi, apo gara, e dobsokan atë. Më mirë qenka kur një kryetar vendos për gjithçka dhe të tjerët sillen si dele. Eshtë e vështirë ta besosh se Lulzim Basha ka nevojë për një mbrojtje të tillë.
Alibia e katërt: Duhet ti hiqte Ramës retorikën e “dhëmballës së prishur”
Eshtë e vertetë që Edi Rama e kishte kthyer në refren për sigmatizimin e PD-së edhe para zgjedhjeve edhe pas tyre, prezencën e Berishës. Gjatë gjithë kohës ai ka skicuar fabulën “Luli çun i mirë” që ia prishin imazhin Saliu dhe Iliri.
Në fakt, kjo ka një gjë të vërtetë. Prezenca e gjatë e Berishës në politikë dhe mëkatet e tij gjatë ushtrimit të pushtetit janë një minus për PD, sidomos për zgjerimin drejt elektoratit gri. Por, ndreqja e kësaj anomalie nuk bëhet në këtë mënyrë. Sepse, së pari, Basha ka mbrojtur çdo trashëgimi të paraardhësit të tij. Ai edhe fushatën e fundit u mburr me arritjet e qeverisë Berisha ku vetë bënte pjesë. Pra nëse dikush nuk e do PD për të shkuarën, ai nuk e do njësoj si për Berishën, si për Bashën. Ndërsa argumenti tjetër se po heqim ish kryetarin se na e sulmojnë kundërshtarët, ai është absurd. Me të njëjtën logjikë dikush mund të ngrihej në PD dhe të thoshte largojmë edhe Bashën se ai është problem për PD-në. Rama e ka sulmuar si ministrin e Brendëshëm të 21 janarit, ministrin e Transportit të vjedhjes në rrugën e Kombit, ministrin e Jashtëm të nënshkrimit të marveshjes për shitjen e detit. Sot, po Rama e akuzon se ka punuar me fonde ruse dhe se ka spiunuar komandantët e UCK-së.
Pra, a mund ti heqi PD-ja një nga një, të gjitha dhëmballët për arsye se kundërshtari i sheh ato si të prishura?
Alibia e pestë: Rinovimi i elitave
Do të kishte qenë në nderin e Bashës që ndarjen me trashigiminë e Berishës ta kishte bërë me kohë dhe si burrë. Duke u divorcuar jo me personin, por me mënyrën autoritare të drejtimit të partisë dhe të shtetit. Ai jo vetëm nuk zgjodhi këtë rrugë, por në të kundërtën e përdori mbështetjen e “babait” për të futur në kthetra PD. Edhe në ato pak fjalë që nxorri në shpjegimin e aktit të përjashtimit, ai i ngriti në qiell meritat e atij që përgatitej të vriste.
Pra është absurde ta shpjegosh aktin e Bashës me dëshirën për rinovim apo qarkullim elitash. Ai është thjeshtë një goditje pas shpine.
Alibia e gjashtë: Eshtë përjashtim i përkohshëm
Këtë argument, që Basha e tha dhe me gojën e vet për të zbutur pak traumën e vendimit që kishte marrë, nuk e beson askush, madje as ai vetë. Nuk do të ketë kurrë shanc, madje edhe nëse Berisha fiton një gjyq të pamundur në Paris kundër sekretarit Blinken, që ai të detyrojë SHBA-në të zbrapset nga vendimi i saj. Kjo mund të ndodhte vetëm nëse ai rikthehej në ndonjë post shtetëror, gjë që për shkak të moshës dhe gjendjes së cfilitur të PD, ngjan me një iluzion.
Prandaj, shitja e përjashtimit të përkohshëm me obsion rikthimin pasi të dali i pastër është një mashtrim.
Alibia e shtatë: për ti shpëtuar fëmijët
Basha ka deklarauar në kryesinë e PD që ai ka parë fakte që do ti ruajë konfidenciale dhe se duke u nisur nga to, ai ka vendosur ta marrë këtë vendim për të mbrojtur vetë Berishën dhe familjen e tij. Argumenti se hakmarrja e hiperfuqisë do të binte mbi fëmijët e Berishës, të lakuar shumë për përfitim të fondeve publike në kohën e pushtetit të të atit, është përmendur edhe më parë. Po nëse kjo arsye e mbrojtjes së ish bamirësit, që artikulohet edhe nga mbështetësit e Bashës do të qe e vërtetë, a nuk i takonte vetë Berishës të vendoste për këtë?
Pra nuk mundet që Basha ta dojë familjen Berisha më shumë sesa shefi i saj dhe në emër të kësaj ndjenje të vendosë përjashtimin. Ky është ndoshta argumenti më absurd dhe më qesharak që vetëm lideri i PD-së dhe të ngjashmit e tij mund të guxojnë ta nxjerrin nga goja.
Pra, duke parë se sa pak koherencë, logjikë dhe seriozitet kanë alibitë që reken të përligjin vendimin e Bashës për karshi Berishës, e ke më të lehtë të kuptosh se arsyet e vërteta janë krejt të tjera. Pikërisht tek ato duhet të fokusohemi, duke hequr mënjëanë shkopat nën rrota që vënë gjithmonë në të tilla situata lakejtë që rrinë pranë krerëve të të gjitha partive.