Nga Boldnews.al
Fatmir Xhafaj nuk do të jetë pjesë e Kryesisë së PS-së, hera e parë që nga koha kur u bë pjesë aktive e Partisë Socialiste. i besuar i Edi Ramës për disa kohë, madje duke u bërë edhe ministër i Brendshëm, raportet mes tyre ndryshuan shumë, dhe Xhafaj u bë pjesë e klanit Veliaj brenda Partisë Socialiste.
Madje ishte pikërisht Veliaj që vuri në dispozicion çdo makineri elektorale për të ndihmuar Fatmir Xhafajn të merrte mandatin e deputetit duke thyer herësin, pasi në vendin ku e kishte caktuar Edi Rama, ai nuk hynte si ligjvënës në legjislaturën e re.
Në mbledhjen e Kryesisë së PS-së ku u diskutua para 25 prillit mbi kandidatët për deputet dhe përbërjen e listës, u raportua se Veliaj kishte shfaqur pakënaqësi lidhur me renditjen e emrave në listë. Bëhej fjalë pikërisht për Fatmir Xhafajn, i cili sipas Ramës, bashkë me Pandeli Majkon, duhet të thyenin herësin për të merituar vendin në Parlament.
Pandi nuk arriti të marrë votat e nevojshme, por sot arriti të fitojë në Kryesinë e PS, duke marrë 198 vota, dhe duke u renditur i treti mes burrave më të votuar, pas Ditmir Bushatit dhe Arben Pëllumbit.
E ndërsa Bushati u rehabilitua nga Rama, pavarësisht përplasjeve që patën për disa muaj, dhe Pëllumbi duket se vijon të përfitojë nga mbiemri si djali i Servet Pëlumbit, i konsideruar si profesori i socialistëve për të paktën 25 vjet, Fatmir Xhafajn nuk e ndihmoi në këtë votim, as thyerja e herësit, as miqësia apo suporti nga Erion Veliaj, sikundër as postet apo karriera politike në Partinë Socialiste.
Rezultati i votimit tregon se ai ka marrë 137 vota, duke ia kaluar Eduard Shalsit me 26 vota dhe Ervin Demos, një figurë periferike në PS, me rreth 40 vota.
Në forume të tilla partiake si në rastin e votimit në Asamblenë Kombëtare është krejt normale që vota të orientohet politikisht, por jo vetëm, dhe ai që komandon dihet që është Kryetari i subjektit politik, në rastin konkret Edi Rama.
Duket se ky i fundit ka orientuar votat jo për të pasur Xhafajn në Kryesi dhe me këtë rast duket se ka ulur me këmbë në tokë edhe Erion Veliajn, që me 25 prill, duke vënë në dispozicion të Fatmirit makinerinë elektorale, e shfaqi si një “supermen”, që thyente herësin dhe merrte mandatin. Ky ishte një karshillëk që iu bë Ramës në fushatë, që duket se Kryeministri nuk e ka gëlltitur dhe sot i ka kthyer reston Veliajt dhe Xhafajt i ndërpreu karrierën mbi 20 vjeçare si pjesë e Kryesisë së PS-së.
Gjithçka ndodhi në kohën kur Ditmir Bushatit i dha mundësinë që të kapë “vagonin” në trenin e Rilindjes, jo vetëm duke e hipur në stacionin e rradhës, por duke e nxjerrë edhe kandidatin më të votuar. Vështirë të besohet se një ish-deputet dhe ish-ministër i kritikuar dhe sulmuar publikisht edhe nga Rama do të mund të merrte votat maksimale nëse nuk do të kishte një udhëzim politik për ta votuar, aq më tepër në një forum, që pjesa më e madhe ngrenë duart pro edhe kur nuk kuptojnë.
Rezultati i votimit në Asamble tregoi forcën e Ramës në rastin e Xhafajt, duke i dhënë një mesazh edhe Veliajt se nëse në kohë fushate, për hir të unitetit partiak, disa gjëra edhe mund të mos thuhen, vjen një moment i dytë që gjithçka “paguhet”. Dhe në rastin konkret Xhafaj e pagoi duke mbetur jashtë Kryesisë, por edhe Lali Eri mori mesazhin se e ka të pamundur të kontrollojë votën e socialistëve-rilindas apo rilindasve-socialistë, nëse Edi Rama nuk do të çelë dritën jeshile.
Opsioni i dytë është që vetë Veliaj mund ta ketë “shitur” Xhafajn, ndoshta si për të treguar përulësinë ndaj ndonjë “shkulje veshi” pas numërimit të votave preferenciale më 25 prill, ku i 3-ti në listën e socialistëve, Ervin Bushati, njëherazi edhe kryetar i PS-së së Tiranës, mbeti jashtë Kuvendit, ndërsa Xhafaj i renditur përtej vendit të 20 në listë, arriti të marrë mandatin.
Nuk përjashtohet mundësi që Veliaj të ketë tradhëtuar Xhafajn, duke mos i siguruar 40 apo 50 vota më shumë mes anëtarëve të Asamblesë, dhe për ti siguruar një vend në Kryesinë e socialistëve, duke shmangur një karshillëk të dytë ndaj Ramës brenda pak kohësh, dhe pikërisht për të njëjtin personazh politik, Fatmir Xhafajn, që deri para pak kohësh përflitej si një pasardhës i denjë i Gramoz Ruçit në Krye të Kuvendit, ndërsa sot nuk arriti të marrë as votat e socialistëe të Asamblesë për të qenë anëtar i Kryesisë.