Në Shqipëri, prej 10 javësh radhazi situata e pandemisë ka ardhur duke u përkeqësuar, me një përshpejtim të ndjeshëm gjatë gushtit.
Edhe gjatë javës së fundit (24-30 gusht), pati një rritje të fortë të rasteve të reja, numrit të viktimave si dhe të shtrimeve në spitale.
Të dhënat e përpunuara nga Zëri i Amerikës tregojnë se numri i të infektuarve u ngjit në 5512 raste, ose 54 përqind më shumë se sa java pararendëse (17-23 gusht), me një mesatare ditore prej 787 rastesh.
Ajo që bie në sy është fakti se rritja ka ardhur ndërsa testimet kanë qenë thuajse në të njejtin nivel.
Për pasojë incidenca (raporti mes testimeve dhe rasteve të reja) u rrit ndjeshëm, duke kapur nivelin e 13.6 përqind nga 8.8 që ishte një javë më parë. Incidenca është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.
Niveli i infektimeve është më i larti që pas javës së parë të muajit mars. Megjithatë, në krahasim me atë periudhë, incidenca është gati 50 përqind më e ulët, ndërsa numri i viktimave dhe të shtruarit në spitale, janë në kuota jashëzakonisht më të ulta.
Në javën e fundit pati 17 viktima, niveli më i lartë që nga mesi i muajit maj. Krahasuar me javën pararendëse janë 5 vdekje më shumë.
Në 24 orët e fundit, sipas njoftimit të ministrisë së Shëndetësisë, 3 qytetarë humbën jetën: një qytetare 63 vjeç nga Elbasani, një qytetare 80 vjeç nga Berati dhe një qytetare 92 vjeç nga Vlora.
Edhe shtrimet në spital janë shtuar. Një javë më parë, më 23 gusht kishte 84 pacientë, ndërsa këtë të hënë, 97 të shtruar, prej të cilëve 17 në terapi intensive.
Shqipëria po vazhdon vaksinimin masiv të popullatës duke lënë dhe shtatorin muaj të hapur për të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç.
Deri tani gati 819 mijë qytetarë ose 36.8 përqind e popullatës, kanë bërë të paktën një dozë.
Prej tyre mbi 625 mijë, ose 28.1 përqind e popullatës ka marrë të dyja dozat. Aktualisht, autoritetet kanë në dispozicion mbi 484 mijë doza vaksinash.
Rikthehen ashpërsimet e masave kufizuese
Komiteti Teknik i Ekspertëve, iu rikthye ashpërsimit të masave kufizuese, si dhe vendosi ushtrimin e kontrolleve në kufi, pas përkeqësimit të situatës gjatë verës.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha sot se “mbi 95 për qind e infektimeve të reja u përkasin personave të pavaksinuar ende”.
Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimit rekomandoi vaksinimin e detyruar për stafet mjekësore, arsimtarët dhe studentët brenda 30 shtatorit.
Qarkullimi për banorët do të ndalohet nga ora 11 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit, ndërsa u vendosën një seri masash të tjera për udhëtarët, që hyjnë në Shqipëri nga të gjitha pikat kufitare.
Ata duhet të kenë pasaportën e vaksinimit, një test negativ brenda 72 orëve të fundit, si dhe një provë se e kanë kaluar infektimin me Sars-Cov2 në 6 muajt e fundit.
Shtetasit shqiptarë që kthehen nga jashtë dhe nuk i kanë këto dokumenta, do të vet-izolohen për 10 ditë nën kontrollin e autoriteteve shëndetësore.
Në aeroporte do të lejohen vetëm udhëtarët me maska, të pashoqëruar nga familjarët e tyre.
Ekspertët lanë në fuqi urdhërin mbi përdorimin e maskave në mjedise të mbyllura, në qendra tregtare, transport publik dhe në të gjitha mjediset, ku nuk ka distancim fizik mes njerëzve.
Gjobat për qytetarët që nuk mbajnë maskat mund të shkojnë nga 30 deri në 50 dollarë.
Ndërsa për bizneset që nuk respektojnë protolkollet e shëndetësisë gjobat mund të shkojnë nga 1 mijë deri në 7 mijë dollarë.
Shqipëria ka humbur zyrtarisht gjatë një viti e gjysmë të pandemisë 2 mijë e 490 jetë njerëzore, dhe ka pasur rreth 143 mijë infektime./VOA