Mjeku i njohur Erion Dasho, ka publikuar studimin e bërë publik një ditë më parë nga ‘Nature dhe Science Magazine’ ku thuhet se imuniteti natyror funksionon.
Në bazë të këtij studimi të gjithë ata persona që e kanë kaluar koronavirusi kanë imunitet më të fortë se vaksina.
Ndërkohë sipas studimit e vetmja vaksinë që ka efikasitet dhe imunitet të lartë ndaj virusit është Pfizer/BioNTech.
Në postimin e tij Dasho thekson se Komiteti tektin i ekspertëve ose ndryshe ‘Puthadorët’ e qeverisë kanë dështuar totalisht në luftën ndaj pandemisë.
Ai rekomandon që shqiptarëve që kanë kaluar koronavirusin tu bëhet vetëm vaksinë Pfizer/BioNTech, gjithashtu dhe atyre që ju është bërë vaksina tu injektohet sërish vetëm një dozë Pfizer/BioNTech, nëmënyrë që Shqipëria të marrë frymë lirisht.
Postimi i Dashos:
IMUNITETI NATYROR FUNKSIONON!
Dje prestigjiozet Nature dhe Science Magazine publikuan të dhënat e shumëpritura lidhur me imunitetin ndaj SARS-CoV-2.
Studimi i fundit që përfshiu gati 800 mijë persona në Izrael konfirmoi se imuniteti natyror, i fituar pas kalimit të COVID-it, është më i fortë se imuniteti i krijuar qoftë edhe nga vaksina më cilësore në qarkullim, ajo e Pfizer/BioNTech.
Ky studim arriti në tre përfundime të rëndësishëm:
Vaksina e Pfizer ofron mbrojtje shumë të efektshme deri në 6 muaj pas aplikimit (studimi nisi në muajin qershor kur kishin kaluar gjashtë muaj nga vaksinimi). Më pak se 4 për 10 mijë të vaksinuar u infektuan nga SARS-CoV-2 përgjatë një periudhe prej 2 muaj e gjysmë (1 qershor deri 14 gusht).
Imuniteti natyror ofron mbrojtje shumë më të lartë se vaksina. Ndonëse studimi flet për mbrojtje 13 dhe 27 herë më të lartë përsa i takon infektimit dhe manifestimit simptomatik të sëmundjes, këto shifra duhen marrë me rezervë sepse numrat e raportuar ishin shumë të ulët.
Imuniteti natyror i përforcuar me një dozë vaksine cilësore ofronte mbrojtjen më të fortë të mundshme. Për këtë mjaftonte edhe një dozë e vetme e vaksinës Pfizer.
Çfarë duhet të bëjë Shqipëria?
Atë që ekspertët jashtë komitetit qesharak dhe puthadorëve të qeverisë kanë thënë prej muajsh tashmë!
Të hiqet dorë prej vaksinave me efekt të paprovuar dhe t’u ofrohet shqiptarëve mundësia e zgjedhjes midis vaksinave cilësore, mundësisht Pfizer si e para vaksinë që mori miratimin përfundimtar të FDA-së!
Të vaksinohen me Pfizer të gjithë ata që nuk e kanë kaluar sëmundjen dhe, të paktën me një dozë, ata që janë vaksinuar me vaksinën kineze.
Më pas, t’u krijohet mundësia të gjithë qytetarëve që u përkasin grupeve të risk të përfitojnë nga një dozë vaksinë cilësore.
Ka ardhur koha që ministria dhe komiteti të orientohen të paktën një herë të vetme nga shkenca përgjatë këtij viti e gjysmë pandemi.
Sa më herët, aq më mirë për shëndetin dhe jetën e shqiptarëve!