Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, komentoi një sërë çështjesh. Ai e nisi fjalën e tij me reagimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë që i kujtonte qytetarëve të saj se duhet të kishin parasysh dy gjëra nëse vinin në Shqipëri, pandeminë e COVID-19 dhe situatën e rrezikshme në Lazarat. Sa i përket kësaj tematike, Lubonja tha se Lazarati nuk përbën më rrezik dhe se nuk e kupton këtë reagim të Ambasadës Amerikane.
“Me çfarë po dëgjojmë tani lidhur me Afganistanin nuk duhet të çuditemi shumë, për faktin se sa pak të informuar kanë qenë edhe DASH. Amerikanët sa shumë fshehje të vërtetash ka pasur, apo manipulime, paaftësi për t’i zbuluar këto. Për ne që jetojmë Shqipërinë, besoj se është e natyrshme se edhe COVID-i, sa shpejt i paska shkuar kjo që edhe Shqipëria është vend i rrezikuar sepse ndërkohë nuk di nga i marrin të dhënat sepse deri dje Shqipëria ishte vendi më i hapur, ndërkohë që kudo ka maska, në Shqipëri pa maska. Duket se këtu ka një informacion që dhe ne se kemi, afër të një të vërtete që e ndjejmë që ‘shiko është rrezik’, por akoma s’është bërë zyrtare aq shumë gjendja është kaq e rrezikshme. Ndërsa Lazarati është absurde. Sepse edhe në kohën e vet të lulëzimit të marjuanës s’ka bërë rrezik për shtetasit e huaj, bile e shqiptarë ka qenë një trafik.
Rreziqet e mëdhaja nëse janë për shtetasit amerikanë, s’besoj se janë në Lazarat, duke qenë se nuk është një vend turistik apo me kuriozitet për të shkuar. Ne të gjithë ikim nga Gjirokastra, e pak kush ka menduar të kthehet në Lazarat për ta bërë të rrezikshme. Sot lexova për krimin në Lushnje, vrasjen, mund të ndodhë që një person që s’ka lidhje fare me krimin mund të ndodhet në mes të një breshërie në qendër të qytetit, e që pash unë kishin mbetur disa njerëz të vdekur apo të plagosur, e që nuk kishin lidhje me atë. Ky është rreziku i madh i krimit në Shqipëri nëse bëhet fjalë për jetë qytetarësh amerikan. Tjetër gjë është për të tjera gjëra që s’kanë të bëjnë me këto ndeshjet, por me ato se sa i madh është pushteti i krimit, kontrolli që besoj se kjo duhet të ishte në ndjeshmërinë e amerikanëve, lidhur dhe me korrupsionin duke u bazuar edhe në dështimin e Afganistanin. Së fundmi kam parë një shkrim të The Ekonomist, e lidhej me faktin që qeveritë që kanë mbështetur amerikanët kryesisht kanë qenë të korruptuar, etj etj, që bëjnë që institucionet të jenë të dobëta e më pas të avullojnë siç avulluan në Afganistan duke krijuar situata”, tha Lubonja.
Analisti shtoi më tej se DASH duhet të jetë më i informuar:
“Unë lexova nga komentet që këtu mund të jetë dora e Ramës, që nëpërmjet amerikanëve që ka lidhje këtu në Ambasadë, fut Lazaratin që ta lidhë me Berishën. Për të treguar që Shqipëria është e rregullt, por ka disa mbeturina që kanë mbetur që nga koha e PD, por s’besoj se është kështu. Normalisht mendoj që Ambasada ka detyrim të jetë më e informuar dhe kam dyshime të mëdha që nuk është kaq e informuar, mund të jetë dhe keq e informuar, por s’besoj deri këtu”.
Lubonja u ndal edhe te raporti i SHISH për gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Ai kishte kritika sa i përket Reformës në Drejtësi, duke pretenduar se ajo i shërben më së shumti partisë në pushtet dhe interesave të tyre.
“E para gjë që unë them është se s’ka nevojë farë për SHISH-in për ta lexuar këtë realitet. Nuk kam nevojë fare për SHISH-in më mjafton ajo që ndodhi në Elbasan para zgjedhjeve, ku pashë Policinë-Prokurorinë të bashkëpunonte me krimin e organizuar, në atë ngjarjen që kishte të bënte me manipulimin e votave, për të kuptuar që këtu ajo që mund të quhet Reforma në Drejtësi ka dështuar. Mund të përmend këtu një shkrim që lexova së fundmi në The Ekonomist dhe lidhet me korrupsionin në Afganistan. Midis të tjerave thoshte edhe kur u bë një organizëm për të frenuar korrupsionin, ky mekanizëm u përdor nga pushtetarët ndaj rivalëve politikë që lidhet me ne. Edhe drejtësia jonë, nuk po ndërtohet si drejtësi e pavarur me gjyqtarë të pavarur.
Lidhur me korrupsionin e tyre prapë jemi në të njëjtën atmosferë, në të njëjtën klimë. Një pjesë nga ata para Vetingut thonë SHISH, një pjesë thonë të kapim ça të kapim, ose e dyta është se janë të shantazhueshëm dhe shantazhimi bën që të bëjnë akte të paligjshme. Nuk besoj se na ka thënë një gjë të re SHISH. Problemi i SHISH është që të vendosë tamam gishtin mbi pikat e nxehta, jo thjeshtë në tërësi, por të kapë burimet, qendrat nga se ku gjeneron krimi, të ketë lidhje me policinë me të gjitha sepse janë institucione që ndihmojnë. Mendoj që zinxhiri janë të lidhura me qeverinë që s’ka synim për të goditur krimin. Qeveria po përdor paratë e krimit.
Shihni kullat që po ndërtohen në Tiranë, pyet si po i ndërton, ku i kanë gjetur paratë dhe e kupton. Edhe lejet atyre ia ka dhënë qeveria. Procesi i reformimit i dështuar, ne kemi 30 vite që bëjmë reforma. S’kemi thënë që dështoi kjo apo ajo, por vetëm bëjmë reforma të reja. Kjo është reformë dhe reformë për të kontrolluar më shumë pushtet. Reforma në Drejtësi u bë që të pastrohej drejtësia nga gjyqtarët apo prokurorët e lidhur me LSI dhe PD për të përdorur më shumë ndaj kundërshtarëve politikë. Kjo është anti-reformë, s’është drejtësi, por drejtësi selektive që është më e keqe sa mungesa e drejtësisë”, tha analisti.
Analisti foli dhe për pritshmëritë e Parlamentit të ri, që i nis punimet e saj në shtator. Ai tha se aktiviteti në të do të jetë më interesant me përfshirjen e opozitës. Gjithashtu, ai nënvizoi se PS është e lidhur me oligarkët, ndërsa PD dhe LSI sipas tij, janë duke u pastruar nga ky proces.
“Parlamenti i ri mund të jetë më interesant, sepse pas një farë kohe kemi një opozitë që e quan veten si opozita e vërtetë, në krahasim me opozita kukull që u përdor nga Rama për disa gjëra të dëmshme në përgjithësi. Shoh një opozitë të dobët, të frustruar, të kompleksuar. Kemi plot gjëra që ndodhin dhe kryetari i PD nuk thotë asgjë. Ka ngjarje pafund që duhet të dëgjojmë dhe një zë tjetër përveç asaj të qeverisë. Sa i përket qeverisë, do të shohim ato kukullat e radhës që do të vendosë Rama në qeveri. Disa flasin për konflikte brenda PS, grupime të ndryshme, por besoj se ata janë përgjithësisht të nënshtruar ndaj vullnetit kryesor. Edhe vetë qeveria, ministrat, nuk janë vendimmarrësit. Vendimmarrja bëhet në tryeza jashtë qeverie midis kryeministrit dhe ndoshta një grupi të ngushtë njerëzish të tij dhe të gjithë ata që i quajmë oligarkë, krim të organizuar. Ata vendosin, të tjerët janë aty sa për figurantë. Kemi institucione fasadë si puna e atyre në Afganistan, që 300 mijë ushtarë të armatosur me armatim amerikan u mundën nga 50 mijë talebanë.
LSI-ja sipas mendimit tim ishte targeti i radhës i zhdukjes si opozitë nga Rama dhe rilindasit dhe ja kanë arritur qëllimit. Sigurisht kjo s’është meritë vetëm e Ramës, por edhe se vetë LSI-ja ka qenë një parti e sistemit e ndërtuar mbi lidhjet, të fortët, të pasurit dhe ku i gjithë pushteti shkoi me një parti, e nga ana tjetër partia tjetër e vogël LSI-ja në këtë rast ka pak lidhje me njerëzit, përveç zërave që ngrinte si proteste për lidhjet që ndërtonte si parti e një grupimi social, ekonomik etj etj. Ne kemi pasur vetëm parti oligarkësh, të pasurve. Në këtë proces LSI, u pastrua, PD është në pastrim e sipër. Nëse nuk ndryshon si parti, që do të thotë të jetë parti që del nga ky lloj sistemi që thashë, siç ka qenë. A mbani mend 4 a 5 oligarkë që kanë qenë me PD e kanë qenë kryesore. E Rama i thoshte që ‘po mirë, flisni për oligarkë, por këta kanë qenë me juve, tani janë me Ramën të gjithë.
Siç i kanë ikur këta, i kanë ikur dhe të tjerë. Ky ishte procesi. Nëse partia mbështetet te këta të pakët që janë besnikë në thonjëza, sepse ata janë lidhur me qeverinë, sepse s’kemi ndërtuar ekonomi të pavarur, por kemi krijuar ekonomi mes parave publike, formave korruptive. Nëse levat i ka partia në pushtet, kjo është zhdukja e partisë, sepse nuk arrin të konkurrojë me të, e as t’i shkojë të mbështetet te populli për të bërë përfaqësimin e atyre që janë të përfaqësuar, tha Lubonja.