Presidenti Ilir Meta ka kujtuar sot 8 gushtin e 1991, që shënon një nga momentet e eksodeve më të mëdha të shqiptarëve, që vijojnë të largohen nga vendi, pasi iu është vrarë shpresa.
Meta shkruan në postimin e tij se vendi po shpopullohetdhe kjo është drama më e madhe që po i ndodh vendit.
Presidenti Meta ka përkujtuar me foto dhe ka kthyer në kujtesën e të gjithëve, eksodin e shqiptarëve të tetë gushtit 1991, kur mijëra vetë u kacavorën në anijen e mallrave Vlora dhe në mungesë të vendit, deri edhe tek shtiza e flamurit për të lëshuar thirrjen se ajo ngjarje kërkon një reflektim të thellë.
“Si sot 30 vite më parë, – shkruan Meta në Fb, – më 8 gusht 1991, rreth 20 mijë shqiptarë zbarkuan në brigjet e Italisë, në kërkim të lirisë dhe shpresës, duke i dëshmuar botës tragjedinë dhe mjerimin e popullit më të shtypur dhe të izoluar të kontinentit.
Anija ‘Vlora’, me të gjithë simbolikën, emocionet e forta dhe kujtimet e gjalla që risjell, na fton për një reflektim të thellë mbi sakrificat e jashtëzakonshme njerëzore, në emër të së cilave duhet të punojmë, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe dinjitoze për qytetarët tanë, veçanërisht kur shpopullimi është drama më e madhe, që po i ndodh vendit.”













