Në një nga konsultimet në ambientet e Shoqatës së Diabetit, u paraqit një person me diabet, të cilin e kishin diagnostikuar ditët e fundit edhe me insuficencë të zemrës.
Nuk do të kishim shkruar për këtë problem, por na tërhoqi vëmendjen fakti se personi në fjalë u ankua sepse konsultohej shpesh nga endokrinologu, konsultohej gjithashtu shpesh nga mjeku i familjes, por ata nuk kishin arritur ta diagnostikonin në kohën e duhur. Diagnostikimi u bë me shumë vonesë, madje në kushtet e urgjencës, pasi u hospitalizua urgjent në spital.
Kjo është edhe arsyeja përse vendosëm të shkruajmë për këtë problem edhe me qëllim për të tërhequr vëmendjen e mjekut të familjes, atij endokrinolog, por edhe për vetë diabetikët, për praninë e kësaj sëmundjeje. Është shumë mirë e kuptueshme se për një problem të tillë mund të shkruhej edhe më mirë edhe më saktë nga mjeku kardiolog, por qëllimi është që shkëmbimi i përvojës të jetë paralele, midis kolegësh të barabartë. Është ndryshe kur vërejtjen e bën kolegu i barabartë me ty e ndryshe kur kjo kritikë vjen nga lart, nga kardiologu si në formën e urdhrit.
Fillimisht do të përshkruajmë se ç’duhet të dihet e të njihet mbi pamjaftueshmërinë e zemrës, si arrihet të vendoset diagnoza dhe si bëhet mjekimi i saj te diabetikët.
Pamjaftueshmërinë e zemrës e shkaktojnë disa sëmundje dhe si e tillë ajo quhet sindromë. Në mjediset mjekësore përdoret emërtimi pamjaftueshmëri (insuficencë) për atë gjendje kur një organ si zemra, apo veshka etj, për arsye të ndryshme e kanë të pamundur dhe janë të paafta të kryejnë funksionin e tyre. Kësisoj, për shembull veshka, për një arsye apo një tjetër, është dëmtuar aq sa nuk është në gjendje të eliminojë helmet dhe mbeturinat nga organizmi, dhe shkakton insuficencën e veshkës apo azoteminë e kreatininën e rritur në gjak, shkruan gazeta Shendeti.
Në rastin kur zemra për shkaqe të ndryshme nuk është në gjendje (pra, e pamundur të kryejë funksionin e saj) pompimin e gjakut në të gjithë trupin e njeriut, për të furnizuar organizmin me oksigjen dhe produkte ushqimore, ajo ka pësuar insuficencë, nga ana tjetër zemra jo vetëm çon (pompon) gjak në inde, duke i furnizuar ato, por edhe e kthen atë nga indet në mushkëri dhe pastaj në zemër, për ta pastruar nga gazi karbonik dhe mbeturinat metabolike.
Çfarë e bën muskulin e zemrës të humbasë funksionin pompë?
Arsyet janë të shumta, ndër të cilat do të përmendim vetëm defektet e lindura në muret apo valvulat e zemrës, sëmundja reumatizmale e zemrës, që mund të fillojë duke dëmtuar muskulin e zemrës (miokardi reumatizmal) dhe të vazhdojë në mënyrë të heshtur dhe pas shumë kohësh të shfaqet dëmtimi reumatizmal (i fituar) i valvulave të zemrës. Hipertensioni arterial, qoftë parësor apo edhe dytësor, sëmundjet e enëve koronare të gjakut (janë arteriet që furnizojnë zemrën me gjak) duke mos furnizuar siç duhet zemrën me oksigjen dhe produkte ushqimore, bëjnë që muskuli jo vetëm të vuajë, por edhe të dëmtohet deri në pamundësi të kryerjes së funksionit të tij.
Dëmtime të muskulit të zemrës si rrjedhojë e disa shkaqeve të njohura si inflamacioni nga virozat, sëmundjet imune (miokarditet). Grumbullimi në të i lëndëve si hekuri, që dëmton funksionin pompë apo veprimi nga niveli i shtuar apo edhe i ulur i hormoneve të tiroides, shtimi i hormonit të rritjes në gjak (somatotropi), mund të shkaktojë dëmtime të muskulit të zemrës duke e zmadhuar së tepërmi atë. Çrregullime të ritmit të zemrës që janë të shumta, mund të dëmtojnë në përmasa të tilla muskulin e zemrës, sa të shkaktojnë pamundësinë e saj. Nuk duhen lënë pa përmendur edhe dëmtimet e mushkërive nga shkaqe të shumta edhe të ndryshme, që mund të jetë arsyeja e dëmtimit të muskulit të zemrës.
A i kanë diabetikët më të shpeshta dëmtimet e muskulit të zemrës dhe a ka ndonjë sëmundje të zemrës që shfaqet vetëm te diabetikët?
Tek diabetikët, që diabetin e kanë të vjetër dhe të pajtuar mirë, mund të shfaqet një lloj dëmtimi i muskulit të zemrës, pasojë e dëmtimeve të enëve të vogla që furnizojnë zemrën (kardiomiopatia diabetike).
Një sëmundje tjetër është hemokromatoza. Kjo është një sëmundje që ka të bëjë me çrregullimin e metabolizmit të hekurit. Ai grumbullohet në mënyrë të tepërt dhe të pakontrolluar në të gjithë organet e trupit. Vendosja e tij në gjendrën e pankreasit shkakton pamundësinë e tij për të prodhuar insulinë (pra shkakton diabet), ndërsa vendosja e tij në zemër shkakton pamundësinë e saj.
U përmendën disa nga shkaqet e pamundësisë së zemrës, se veç mjekimit të shenjave të sëmundjes, secila prej tyre ka edhe mjekim të veçantë, në përputhje me shkaktarët. Kësisoj defektet e lindura apo të fituara të muskulit dhe të valuvulave të zemrës mjekohen me rezultate të shkëlqyera, nëpërmjet ndërhyrjeve kirurgjikale.
Veçanërisht kur diagnostikimi bëhet sa më herët dhe dëmtimi i muskulit të zemrës është në përmasa të tilla që mund ta rimarrë veten dhe të aftësohet plotësisht pas ndërhyrjes kirurgjikale. Nga ana tjetër, ka sëmundje që kanë shkaktuar pamundësinë e zemrës, që duhen mjekuar nëpërmjet korrigjimit të pakësimit apo shtimit të hormoneve (hormone i rritjes, hormone e tiroides), madje ka sëmundje si hemokromatoza (u përmend më sipër), që mjekohen duke ju hequr gjak dhe duke përdorur medikamente që shmangimin hekurin nga organizmi. Së fundi, duhet bërë kujdes edhe për disa faktorë që mund të ndihkojnë në mbarëvajtjen e mjekimit të pamundësisë së zemrës, si për shembull, prania e anemisë, apo përdorimi I medikamenteve, si kortizoni etj.
Çfarë shenjash klinike ka kjo sindromë apo sëmundje?
Organizmi me qëllim që të kompensojë pamundësinë e zemrës në fillimet e saj ndërmerr një sërë masash, si: takikardia është një ndër shenjat më të hershme të kësaj sëmundjeje (rrahjet e shpeshta të zemrës, mbi 90 rrahje në një minutë). Një dukuri e tillë është e lidhur me faktin se zemra punon më shpesh për të hedhur sa më shumë gjak në njësinë e kohës, për të plotësuar kërkesat e organizmit për oksigjen etj.
Një masë tjetër kompensimi është edhe kufizimi i frymëmarrjes (vështirësia në frymëmarrje) apo siç thuhet rëndom “marrja e frymës”. Edhe shpjegimi i kësaj dukurie, ashtu si edhe rrahjet e përshpejtuara të zemrës, është e lidhur me pamundësinë e zemrës për të furnizuar indet me oksigjen dhe për të larguar nga organizmi gazin karbonik. Këto dy dukuri konsiderohen si mekanizma normal kompenstaorë, që organizmi i përgjigjet zemrës së pamundur.
Diabetikët me pamundësi të zemrës preferojnë të flenë me më shumë se një jastëk për të lehtësuar vështirësinë në frymëmarrje. Marrja e frymës fillon të shfaqet edhe gjatë veprimtarive të lehta fizike, si gjatë ecjes apo edhe në qetësi, çka dëshmon për dëmtime të rënda të funksionit pompë të zemrës. Vështirësia në frymëmarrje mund të shoqërohet edhe me kollë, që tregon se gjaku ka mbetur edhe në mushkëri. Ajo gjithashtu mund të shoqërohet edhe me mavijosje të buzëve apo majave të gishtave, pasojë e grumbullimit të gazit karbonik në gjak. Enjtjet e kyçeve të këmbëve (edema), është një shenjë tjetër e sëmundjes, pra, nuk është një masë kompensatore. E vërteta është se në kyçet e këmbëve është më e lehtë të zbulohen, por mbajtje të ujit në organizëm ka edhe në kofshë apo në bark.
Nganjëherë, para se të duken edemat në këmbë, diabetikët me pamundësi të zemrës ankohen për dhimbje në zonën e mëlçisë, që është edhe kjo një shenjë e mbetjes së gjakut në të. Gjatë ditës sasia e urinimit pakësohet dhe e kundërta gjatë natës, urinimi shtohet. Lodhja e shpejtë, mungesa e oreksit, marramendja, gjendje të fikti (vilani) janë shenja të shpeshta tek këta të sëmurë. Disa ekzaminime që duhet të kryhen, janë të domosdoshme, jo vetëm për të saktësuar diagnozën, por edhe për të ndjekur ecurinë e sëmundjes dhe ndikimin e medikamenteve. Ndër ekzaminimet përfshihet bilanci i plotë laboratorik, elektrokardiograma, monitorimi 24 orë i ritmit të zemrës, prova ushtrimore, ekzaminimi radiologjik i mushkërive, ekokardiografia deri te kateterizimet dhe rezonanca magnetike.
Mjekimi i pamundësisë së zemrës tek diabetikët parimisht nuk ndryshon nga mjekimi që kryhet tek personat pa diabet, pra përdorimi i medikamenteve që eliminojnë ujin nga organizmi (diuretikët)- hydroklorotiazidi është më i rekomanduari dhe i përdoruri, përdorimi i betabllokuesve, frenuesit e enzimës konvertuese (ACE)-enalaprili, ARB-menartan, valsartan ose antiartimikët, antikoagulantët etj. Tek diabetikët nuk këshillohen përdorimi i antidiabetikëve në formën e tabletave nga goja, si metformina, glibenklamidi, glimepiridi etj., por këshillohet fillimi i mjekimit nëpërmjet insulinës në doza të përshtatshme, në vartësi të vetëkontrollit.
Është shumë e rëndësishme ndërprerja e përdorimit të kripës së gjallë, pasi ajo ndihmon në mbajtjen e ujit në organizëm. Nga ana tjetër, veç ushqyerjes së kujdesshme dhe të shëndetshme, duhen konsumuar sasi më të mëdha frutash, të paktën tre porcione në ditë, me qëllim që të sigurohen kripërat minerale, veçanërisht kalium.
Duhet vazhdimisht të kryeni lëvizje të thjeshta streçingu, me qëllim që të nxitni qarkullimin e gjakut dhe të parandaloni trombozat, një dukuri e shpeshtë tek të sëmurët me zemër.