Botohet dosja sekrete e Sigurimit të Shtetit kundër poetit të pushkatuar Vilson Blloshmi. Në Tiranë, sapo ka dalë nga shtypi një libër me dosjen sekrete të Sigurimit famëkeq të Shtetit kundër poetit të pushkatuar Vilson Blloshmi.
Një seri dokumentash provojnë manipulimin e qëllimshëm dhe akuzat e rreme të motivuara politikisht ndaj dy poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, që u pushkatuan 44 vjet më parë, më 17 korrik 1977.
Autori i librit, Bedri Blloshmi, thotë se shoqëria shqiptare ka nevojë urgjente të ndahet nga regjimi komunist, por njerëzit e Sigurimit gjenden kudo dhe pengojnë zbardhjen e krimeve të diktaturës.
Pas 44 vjetëve nga pushkatimi prej diktaturës i dy poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi vëllai i këtij të fundit Bedi Blloshmi arriti të gjejë në arkiva procesverbalin e vdekjes dhe një seri dokumentesh sekrete dhe i publikoi në një libër.
Titulli i librit është vet titulli i dosjes sekrete: mbi përndjekjen, arrestimin, hetuesinë, gjyqin dhe ekzekutimin e Vilson Blloshmit: Dosja Formulare, Kategoria 2°, nr.840.
‘Pas shumë vite kërkimesh, më në fund kam gjetur procesverbalin e pushkatimit të vëllait, ku ka firmosur Spiro Koleka, Haxhi Lleshi e disa të tjerë. Ata kanë diskutuar 5 orë për një dekoratë dhe në fund ishte pika e tretë, kur njëri prej tyre thotë se ‘kemi edhe disa të dënuar me vdekje, dhe si do të bëjmë me ta’. Aty është vetëm një shprehje e Haxhi Lleshit, që ‘këta janë familje armiqsh dhe nuk e duan socializmin’. Kaq ishte’ – thotë zoti Blloshmi.
Dy poetët u pushkatuan më 17 korrik 1977 për motive politike si kundërshtarë të regjimit. Vilsoni ishte 28 vjeç në kohën e arrestimit dhe pushkatimit dhe la pas jetime një vajzë të mitur vetëm 1 vjeç.
Në dosjen formulare të Vilsonit gjenden dokumente të rralla e sekrete nga Sigurimi famëkeq i Shtetit, pseudonimet e spiunëve të tij, vendimi i arrestit, marrja në pyetje nga hetuesit, akt-ekspertimet e poezive të tij nga 3 studiues të letërsisë, akuza për agjitacion e propagandë, vendimet e komitetit të partisë së punës dhe të trupit gjykues për dënimin e tyre me vdekje.