Nga Boldnews.al
Kryeinspektori Ndërtimor i Tiranës, Mariglen Qato, shoqërohej nga dy “Range Rover” të errëta paraditen e së Shtunës, kur u paraqit para gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurimit ‘detyrim për paraqitje”, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Dy ditë më parë, gjykata kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë së Tiranës për arrestimin e tij dhe dy inspektorëve të tjerë.
Gjykata e Tiranës, madje, nuk preferoi ta rëndonte Mariglen Qaton as me “pezullim nga detyra”.
E, pas kësaj procedure jo të qetë mes strukturave të drejtësisë, kryeinspektori ndërtimor i Tiranës u shfaq me nota sfiduese në gjykatë.
Hija e pushtetit të shefit të tij, kryebashkiakut Erion Veliaj, duket se i jep Qatos hapësirë për të prezantuar prepotencë para trupës gjykuese dhe prokurorit të çështjes, i cili më herët kishte kërkuar arrestimin e tij.
Vartësi i rëndësishëm i Veliajt tha para gjykatës se ai ka kryer më së miri detyrën e tij, se ka marrë vendim pezullimi e më tej prishjeje për një kat pa leje, të ndërtuar nga sipërmarrësi Eugert Bregu, mbi një godinë në zonën e preferuar rezidenciale mbi “Komunën e Parisit”.
Por, sipas tij, veprimet e Inspektoratit Ndërtimor, janë penguar nga një vendim i Gjykatës Administrative të Tiranës, e cila ka vendosur pezullimin e prishjes së katit shtesë.
Por, shumë më ndryshe e sheh situatën prokuroria e Tiranës.
Provat e siguruara në dosjen hetimore, tregojnë se Mariglen Qato dhe inspektorët e tij nuk e kanë kryer detyrën si duhet.
Madje, edhe vendimi i Administratives, që Qato citoi në gjykatë, në fakt dëshmon se ai vetë ka shkelur rëndë ligjin në trajtimin e rastit “Bregu”.
Nga çati në kat shtesë
Në mes të Prillit 2020, në kohën e pandemisë, Eugert Bregu dorëzon pranë Bashkisë së Tiranës kërkesën “deklarim paraprak” për riparimin e çatisë së pallatit 5-katësh, në rrugën “Kika”, mbi zonën rezidenciale të “Komunës së Parisit”.
Ai kishte marrë më parë pëlqimin e banorëve, si edhe i vëllai arkitekt, Klevis Bregu, kishte hartuar projektin për sistemin e çatisë.
Disa muaj më pas, në Korrik 2020, oficerët e Policisë së Komisariatit 1 në Tiranë, gjatë një verifikimi, konstatojnë ndërtim mbi godinën 5-katëshe.
Pasi konsultojnë dokumentat, konstatojnë se sipërmarrësi Eugert Bregu kishte tejkaluar lejen e marrë nga Bashkia, duke ngritur mbi tarracë një kat shtesë.
Situata referohet në prokurorinë e Tiranës për “ndërtim pa leje”, si edhe pranë Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë së Tiranës (IMT), të drejtuar nga Mariglen Qato.
Për disa ditë, nuk pati asnjë veprim nga inspektorët e IMT. Në 4 Gusht, oficerët e Komisariatit nr.1 konstatojnë se punimet pa leje po vijonin dhe informojnë sërish strukturat e Inspektoratit të Bashkisë.
Pas këmbënguljes së Policisë, në 10 Gusht 2020, Qato merr vendimin për pezullimin e punimeve, si edhe gjobitjen e Eugert Bregut me 300 mijë lekë të reja.
Më pas, IMT rezulton se nuk ka kryer asnjë veprim të mëtejshëm, ndërkohë që punimet e nisura për riparimin e çatisë, përfunduan në një ndërtim luksoz, tërësisht pa leje.
Ky fakt u konstatua në Shkurt 2021, kur prokuroria, për efekt të hetimit të saj, krijoi një grup verifikimi në terren, me pjesëmarrjen e punonjësve të policisë dhe inspektorëve ndërtimor.
Madje, Selim Bregu, babai i sipërmarrësit të punimeve, kishte aplikuar për leje legalizimi të katit shtesë të paligjshëm.
I gjendur në kushtet e faktit të kryer, Mariglen Qato nxjerr urdhërin e prishjes së ndërtimit të paligjshëm dhe gjobitjen me 5.7 milionë lekë të reja të Klevis Bregut, i cili në fakt ishte vëllai i personit që kishte kryer punimet.
Klevis Bregu e ankimon vendimin e Qatos në Gjykatën Administrative të Tiranës
Shkeljet proceduriale
Gjykata administrative konstatoi një seri shkeljet administrative e proceduriale të kryera nga Inspektorati Ndërtimor i Tiranës.
Sipas gjyqtarit Emiljano Ruli, Mariglen Qato e ka marrë vendimin për prishjen e objektit rreth 8 muaj pas pezullimit të punimeve, ndërkohë që ligji e detyron që të vendosë përfundimisht brenda 2 muajve.
Po ashtu, gjykata konstatoi se aktet e IMT nuk i janë njoftuar personave të penalizuar, duke e konsideruar këtë situatë si shkelje procedurash.
Për më tepër, gjykata konstatoi se Mariglen Qato ka marrë masat penalizuese ndaj Klevis Bregut, ndërkohë që ishte në dijeni të plotë se sipërmarrës ishte Eugert Bregu, për të cilin më parë ishte vendosur një gjobë dhe pezullim i ndërtimit.
Gjykata administrative, duke i qëndruar strikt aspektit procedurial dhe duke mos e shqyrtuar aspak faktin e ndërtimit të paligjshëm, vendosi të pranojë padinë e Klevis Bregut, duke rrëzuar në këtë mënyrë si gjobën 5.7 milionë lekë, ashtu edhe vendimin për prishjen e katit shtesë pa leje.
Të dhënat tregojnë se pretendimet e Mariglen Qatos në gjykatë nuk përkojnë me realitetin.
Hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Tiranës provuan se vartësi kryesor i Veliajt, jo vetëm që ka toleruar ndërtimin e katit shtesë pa leje, por nga ana tjetër edhe ka ndjekur rrugën e gabuar ligjore për të evidentuar paligjshmërinë.
Për këto arsye, prokuroria kërkoi që ai të arrestohej, një masë që është aplikuar së fundmi edhe për kolegë të Qatos në bashki të ndryshme të Shqipërisë.
Por, standarti i fortë, i ndjekur në periferi, duket se nuk aplikohet për zyrtarët e Bashkisë së Tiranës.
Gjykata duket se e ka pasur të vështirë të arrestojë Mariglen Qaton dhe dy vartësit e tij, Adrian Çaushaj dhe Leandro Lamani.
Arrestimi i tyre mund të prishte imazhin e kuruar artificialisht të Erion Veliajt. Ndaj, gjykatësi Albert Meça u mjaftua vetëm me “detyrim paraqitje” për Qaton dhe dy të tjerët.
Pas këtij vendimi, Mariglen Qato i hipi sërish i qetë fuoristradave të zeza dhe u largua nga gjykata e Tiranës.