Policia gjermane është vënë në kërkim të agresorit, një shtetas tunizian 21-vjeçar i identifikuar si Anis A., që përplasi kamionin në tregun e Krishtlindjes në Berlin, ku mbetën të vdekur 12 persona dhe 48 të tjerë u plagosën. Të martën, policia la të lirë të dyshuarin e vetëm të arrestuar, me justifikimin se nuk kishte prova të mjaftueshme për ta lidhur atë me sulmin në fjalë.
Sipas forcave policore tashmë, më shumë se një i dyshuar mund të jenë në arrati, e me shumë gjasë të armatosur, ndaj dhe në kryeqytetin gjerman është përshkallëzuar siguria. I ashtuquajturi Shtet Islamik njoftoi se një prej militantëve të tij kreu sulmin, por nuk dha prova për këtë.
Ish-i dyshuari, pakistanezi i identifikuar nga mediet gjermane si Naved B. kishte mohuar të kishte gisht në sulmin vdekjeprurës. Policia tha se nuk kishte gjetur gjurmë të tij në automjetin e krimit, ndaj dhe hodhën dyshime mbi përfshirjen e tij vetëm pak pas arrestimit që i bënë.
Pas lirimit të tij, zyrtarë të policisë pranuan se përgjegjësit e sulmit mund të jenë ende në arrati. “Askush nuk do të gjejë paqe derisa agresori apo agresorët të kapen”, tha ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, për mediet gjermane.
Kryebashkiaku i Berlinit, Michael Muller tha se siguria në kryeqytet është rritur, me forca shtesë policore dhe barriera të ngritura në tregjet e ngjashme për të parandaluar sulme me natyrë të njëjtë. “Gjëja e duhur që mund të bëjmë aktualisht është të mbajmë sytë hapur, të jemi vigjilentë në këtë situatë të rëndë. Megjithatë, ju mund të lëvizni lirisht në vendet publike. Nuk ka nevojë për panik”, tha ai.
Shteti Islamik mori përsipër përgjegjësinë e sulmit përmes agjencisë së tyre të lajmeve “Amaq”, duke thënë se një prej “ushtarëve” të tyre kishte ndërmarrë sulmin “në reagim të thirrjeve për të shënjestruar shtetasit e vendeve pjesëmarrëse në koalicionin anti-ISIS”.
Gjithsesi, grupi xhihadist nuk dha prova dhe nuk e identifikoi agresorin. Prokurori federal Peter Frank tha për reporterët se, stili i sulmit dhe zgjedhja e objektivit tregonin se këtu ka gisht ekstremizmi islamik. Por De Maiziere reagoi me kujdes ndaj këtij pretendimi, duke thënë se “po ndiqen një sërë pistash hetimi”.
Sulmi ndodhi në tregun e Krishtlindjes “Breitscheidplatz” në Berlin, aty ku kamioni i drejtuar nga terroristi iu drejtua turmës për një distancë prej 80 metrash. Veç 12 të vdekurve pati edhe 49 të plagosur, prej të cilëve rreth 12 janë në gjendje kritike për jetën.
Shoferi i kamionit, polaku Lukasz Urban u gjet i vdekur në sediljen e pasagjerit, e nga sa raportohet ka pasur plagë plumbi dhe thike në trupin e tij. Gjithsesi, asnjë armë nuk u gjet në kamionin në fjalë.
Incidenti i së hënës u duk identik me sulmin me kamion në ditën e Bastijes në qytetin francez të Nicës më 14 korrik, që u mor gjithashtu përsipër nga Shteti Islamik.