Nga Boldnews.al
30 lekë të gjetën në xhep, ndoshta aq kushton edhe barka mitologjike që të shpie në parajsë. Po atje në parajsë a xhehnet, kamarier do të “punosh” Musaen Zeneli? Po rrogën këtu tek “djajtë” sa e kishe?
Një ditë jotja e punës kushton më pak se plumbi që të vrau, po as nuk të lanë ta shijosh një pagë mujore, as të gëzosh nënën dhe vëllanë e vogël që sot të varrosën, për të mos të të pasur më. 20 vjeç ishe, por 30 lekë pate në xhep. Ishe i varfër në të mira materiale, por ti ishe shumë më i pasur dhe më i pastër se çdo bos në politikë apo në biznesin e pisët. Do bashkohesh me babanë në prajsë? Po çfarë do i tregosh?
-Në ditën tënde të parë të punës të vranë armët e kriminelëve në plazhin e Velipojës, shtinë në sytë e pushtetit që mbron këtë surollop njerëzish që nën grykën e armëve dhe me thasët e drogës po vetëquhen biznesmenë. Hapin hotele, resorte turistike dhe presin aty pushtetarin e radhës, shefin e madh të policisë, duke u dhënë sipas rastit, herë votën e herë paranë e fituar po me izmin e tyre, nga gryka e armës që mban dhe bën pushtet.
As edhe një falje për ikjen tënde nuk u kërkua. As kryeministri, as ministri, as kryepolici e sigurisht as ai që të vrau, sepse t’i për ta konsiderohesh “dëm anësor”, ose fare dëm. Por sot duhet ne të gjithë të të kërkojmë falje, edhe pa pasur drejtëpërdrejtë faj. Ndonjëherë i quajmë të zotë këta politikanë që për të mbajtur pushtet bëjnë pakt me “djajtë” sepse vetë janë të tillë. U japim edhe votën, e nuk mjaftohemi vetëm me votën tonë, por shqyejmë edhe atë që mendon ndryshe.
Ata që të vranë do ndanin plazhin e dhuruar nga Zoti. Do e përvetësonin, ndërsa ti do të punoje me kokën ulur dhe me mirënjohje që ta dhanë një mundësi për të derdhur djersë dhe të shpërbleheshe, qoftë edhe për një pagë të vogël, por që për ty ishte e madhe. As këtu nuk të lanë të jetosh. Jemi një popull i çuditshëm, na dhemb në zemër e keqja dhe padrejtësia kur ndodh, por nuk jemi në gjendje që të ndëshkojmë padrejtësinë, edhe kur na jepet ndonjë mundësi.
Sot do ikësh me arkivolin e paguar nga qytetarët, sepse nëna dhe vëllai nuk kishin mundësi as që të varrosnin. Me siguri policia e Shkodrës ia ka kthyer 30 lekëshin që pate në xhep, ata jënë shumë, sepse mbetet kujtimi yt dhe tragjedia e të gjithëve.