Departamenti Amerikan i Shtetit, ka njoftuar se sekretari amerikan Antony Blinken do të zhvillojë këtë të dielë takim me kryeministrin Edi Rama në Bruksel.
Mësohet se takimi do të zhvillohet në orën 17:30.
Pak ditë më parë, Sekretari amerikan i Shtetit, firmosi vendimin për të shpallur “non grata” në SHBA ish-Kryeministrin Sali Berisha dhe anëtarë të afërt të familjes së tij. Berisha reagoi ashpër duke e cilësuar vendimin si të pabazuar, ndërsa kërkoi publikimin e fakteve dhe provave mbi të cilat është marrë ky vendim.
Gjithashtu, Berisha paralajmëroi ngritjen e një padie në një prej gjykatave franceze për Sekretarin Blinken.
Në reagimin e tij, Berisha akuzoi se vendimi është një lobim i George Soros dhe Edi Ramës.