Nga Boldnews.al
Një foto qarkulloi një ditë më parë, ku shfaqej Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili krejt rastësisht bënte xhiro me biçikletë në rrugën ku do të kalonte Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i shoqëruar nga ambasadori i BE-së, Luigi Soreca.
Një moment i inskenuar nga Kryebashkiaku, ndoshta edhe nga zyra e BE-së në Tiranë, për t´i dhënë mundësinë Lali Erit të shtrëngonte duart me Komisionerin për Zgjerimin, i cili fillimisht u hutua kur pa një djalë mbi biçikletë, me zyze, që bënte rolin e mospërfillësit, që përshëndetej përzemërsisht me Sorecan dhe më pas i zgjat dorën edhe Varhelyit.
Nga pamjet që u shpërndanë duket qartazi se Komisioneri për Zgjerimin nuk e njeh Erion Veliajn dhe ndoshta kjo mund t´a ketë mërzitur pak Kryebashkiakun që ka filluar të mendojë se është një figurë botërore politike. Gjithsesi, atje ndodhet Soreca, që luan rolin e prezantuesit të Kryebashkiakut me shefin e tij në Bruksel.
Veliaj e arriti atë që donte: jo thjesht të takonte gjoja si rastësisht Komisionerin për Zgjerimin, por edhe të shpërndante me shumë kujdes fotot e takimit “rastësor”.
Por ajo që u pasua pas shpërndarjes së fotove ishte mosbesimi jo i faktit se Veliaj arriti të shtrëngojë duart me Varhelyi-n, por rastësia që pikërisht në momentin kur zyrtarët e BE-së po kalonin pranë Bashkisë, aty u shfaq djali me bicikletë, që bënte xhiro si një adoleshent, në vend që të rrinte në zyrë, apo të inspektonte ndonjë nga ato projektet që i paraqet si suksese.
Ndoshta gjatë ditës së djeshme Veliaj mund të jetë lodhur shumë duke bërë xhiro derisa arriti që të qëllonte në të njëjtën kohë, në të njëtën rrugë, në të njëjtin vend me delegacionin e BE. Në këtë rast, Veliaj është sjellë si ato adoleshentet, për të mos thënë halabakët e para 30 viteve, kur kalonin disa herë në rrugë, për tu ndeshur me vajzën që kishin piketuar, dhe më pas i propozonin, duke e ndaluar me shprehjen “ më fal 1 minut”.
Ose ndoshta, ai ka qenë i informuar më parë, me detaje mbi lëvizjet e Varhelyi dhe në momentet e fundit, u shfaq majë biçikletës, duke pritur takimin e shumëpritur me Komisionerin.
Dhe nëse është ky version me shumë gjasë, ambasadori i BE-së në Tiranë, duket se ka luajtur rolin e një “patronazhisti” të vogël, njëlloj si ato patronazhistët e Rilindjes që dolën para zgjedhjeve që të gjurmonin hap pas hapi, deri në zbulimin e votës.
Itenerarin e lëvizjes Komisionerit Varhelyi ia ka përcaktuar Soreca, që duket se i ka përmbushur Veliajt dëshirën për një takim “rastësor”. Nëse zyrtari i Brukselit do të kishte interes për të njohur apo për të takuar Kryebashkiakun e Tiranës, ai fare mirë mund të organizonte agjendën e tij dhe të takohej zyrtarisht me Veliajn në zyrën e Bashkisë së Tiranës, apo në një tjetër ambient. Dhe në kushtet kur kjo nuk ndodhi, atëherë u realizua ky takimi i rastësishëm, në rrugë, ku Lali ecte me biçikletë, ndërsa të dërguarit e Brukselit shëtisnin në këmbë.
Por pse prodhoi kaq mosbesim ky takim rastësor?
Kjo për faktin se Kryebashkiaku i Tiranës me shumë sukses ka arritur të krijojë imazhin e një njeriu fals. Falsitetin e tij Veliaj e ka treguar në çdo moment, që nga fotot kur retushon kullat që ngrihen në mes të Tiranës, ashtu edhe kur tenton të ndryshojë edhe motin, herë duke vendosur diellin, dhe herë duke vendosur re, edhe pse në Tiranë mund të bjerë shi me gjyma.
Veliaj që u shfaq dje duke bërë xhiro me biçikletë në zonën pranë Bashkisë, është i njëjti që shoqërohet nga truproja, që në numër ndoshta janë më të shumtë se ato që ka Ministri i Brendshëm, apo çdo ministër tjetër, më shumë se Kryeprokurori apo drejtuesi i SPAK.
Mjafton të shikoni pamjet që janë transmetuar në media, kur pikërisht truprojat e tij kanë ndërhyrë dhunshëm qoftë në rastet ndaj gazetarëve, ashtu edhe ndaj përfaqësuesve të ndryshëm të shoqërisë civile.
Është i njëjti Kryebashkiak, për të cilin thuhet se biçikletën e mban në bagazhin e makinës, dhe kur afrohet pranë institucionit truprojat e tij e nxjerrin, ai i hipën dhe shfaqet si njeriu i thjeshtë.
Në fakt Kryebashkiaku nuk është ky i biçikletës, as ai politikani që nuk ka frikë të lëvizë me biçikletë, as fodulli apo i përuluri.
Veliaj është një arrogant, që sillet keq me qytetarët, me qytetin që fatkeqësisht drejton si Kryebashkiak, që çdo gjë e bën për shoë dhe propogandë, dhe që një ditë më parë, duket se arriti të shtojë në listën e “patronazhistëve” të tij personal edhe një diplomat.