Nga Boldnews
Fushata që nisi për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së ka sjellë risi, debat dhe energji të munguara. Patjetër që do ishte e udhës që zgjedhjet të ishin shtyrë për një periudhë disa mujore, me qëllim debatin dhe diskutimin sa më të mirë mbi të ardhmen e opozitës së Shqipërisë e cila është gati gjysma e qytetarëve shqiptar. Sidoqoftë hapja e diskutimit është fillimi i thyerjes së tabuve. Natyrisht jo çdo gjë është perfekte. Duke nisur nga koha. E pamjaftueshme për të bërë fushatë. Drejtuesi i komisionit zgjedhor të jep çdo gjë përveç garancisë që është i paanshëm. Komision apelimi nuk ka. Pastaj kandidatët. I pari që e shpalli, Kadilli. Ka platformë, ka eksperiencë partiake, i mungon besueshmëria. Zor të votohet dhe nga familjarët e vet. Pastaj Edit Harxhi. Risi që është grua, del në emër të një grupimi, por më shumë fushatë ka bërë anti-Basha se anti-Rama. Mandej Agron Shehaj. Biznesmen i suksesshëm, ka financuar projekte që nxjerrin në pah krimet e komunizmit, i mungon statura politike. Pa eksperiencë dhe me ngërç në të folur. I panjohur nga strukturat.
Natyrisht Basha është kryetari-kandidat që ka pak gjasa të prodhojë ndonjë surprizë të pakëndshme për të vetët. I padiskutuar që fiton një mandat të ri. Ka nisur shumë beteja politike, por me përjashtim të fitores në foto-finish të garës për kryebashkiak dhe fitoreve të mëparshme si kandidat për deputet, shumë nga betejat nuk i ka përfunduar. Hiq atë të dekriminalizimit, në beteja të tjera janë ose fitore gjysmake ose dështime totale. Hap çadrën, mbyll çadrën, nis Astirin, mbyll Astirin, mbro teatrin si linjë të kuqe, ra teatri bashke me vijat e kuqe. Nga luftë oligarkëve në mospërmendje asnjë emri oligarku. Nga Rama ik, në Gjiknuri ik. Sa Rama iku, por edhe Gjiknuri u faneps si inxhinier elektoral. Do i fitojmë zgjedhjet, nuk kam plan B, në zgjedhjet i vodhën, masakër zgjedhore.
Më shumë sesa te gara se kush do jetë në krye të selisë blu pas 13 qershorit, kandidatët, por edhe elita e kësaj partie duhet të fokusohen në ndryshime statutore.
1 – Kryetari i PDSH që i humbet zgjedhjet, për shkak të mos pëlqimit të qytetarëve, ose se nuk mbron dot votën me të gjitha format që paraqitet shoqëria shqiptare duhet të japë dorëheqjen. Në fund të fundit opozitës dhe Shqipërisë nuk i duhet një kryetar i cili thotë ‘nuk dua të bëhem pis si Rama’, po ndërkohë ky i fundit vazhdon të qeverisë Shqipërinë dhe ta trajtoj si çiflig të vetin.
2 – Krijimi i fraksioneve në parti. Ndjekja e një modeli perëndimor ku një grupim ka një numër të caktuar mbështetësish duhet që kjo të rrezatojë edhe në këshillin kombëtar, kryesi, sekretariate dhe organet e tjera drejtuese të partisë.
3 – Votimin nëpërmjet anëtarësisë të listës së kandidatëve për deputet, për kryetar bashkie dhe anëtarëve të këshillave bashkiak. Në zgjedhjet lokale, Partia Demokratike duhet ti japë peshë dhe të lejojë të votojnë dhe simpatizantët apo qytetarët e thjeshtë, të cilët mund të jenë përcaktues në fuqizimin e opozitës. Partia Demokratike duhet ti ikë paranojës se vota e qytetarëve të lirë do ndikohet nga qeveria edhe në qoftë kështu, nëse do ketë pak ndikim kjo do shërbejë si një demokratizim dhe rritjes së kulturës politike në shoqëri.
4 – Partia Demokratike duhet të ankorohet djathtas dhe të mbajë një qëndrim të qartë, të prerë dhe të vazhdueshëm ndaj ish-përfaqësuesve të organeve të sigurimit të shtetit të cilët sot janë në Kuvend, në organet e drejtësisë dhe në ekzekutiv. Partia Demokratike duhet të dalë fjala vjen për drejtorë të rëndësishëm të Policisë së Shtetit çdo ditë dhe të thotë që krimineli filan i Sigurimit të Shtetit sot Drejtor në Policinë e Shtetit ka bërë këto krime. Duhet ti përsërisë çdo ditë këto akuza, duhet tu bëjë thirrje qytetarëve ta pështyjnë në rrugë monstrën. Pra duhet ti marrë monstrat në polici, në drejtësi në politikë dhe tua çjerrë maskën. Është luftë e gjatë dhe e vështirë por e domosdoshme.
5 – Ndarja nga oligarkia ekonomike që ka kapur ekonominë e vendit për fyti. Kjo mund të bëhet me denoncime, por edhe me deklarata ku opozita mund ti bëjë thirrje mbështetësve të vetë të bojkotojnë produktet e filan oligarku. Nëse e bën, atëherë oligarku le të vazhdojë ti bëjë fresk Ramës, por minimumi me 500 mijë klientë potencialë minus, e sigurt që do kthehet në varrin ekonomik të oligarkut që mbështet keqqeverisjen.
Këto dhe shumë të tjerat janë imediate për Partinë Demokratike të shpëtojë vetveten dhe ti japë sinjal shprese shoqërisë. Nëse debati kanalizohet thjesht te emrat për kryetar dhe te anturazhi i tyre atëherë le të bëhemi gati për mandatin e katër e të pestë të Ramës duke pritur me shpresë se neokomunizmi do të bjerë një ditë.
Për dy vjet vijnë zgjedhjet lokale. Ende i njëjti lidership i stër-konsumuar rreth e rrotull kryetarit. Njerëz që nuk inspirojnë, nuk kanë ide, kurajo personalitet, vetëm vegjetojnë. As ekip i ri, as frymë, as besueshmëri. Në fushatën zgjedhore për kryetar as program, as plan, as propozim për zgjidhje problemesh. As kush do jetë ekipi i ri, me kë do këshillohet tash që izraelitët mblodhën plaçkat e ikën. Zgjedhjet e ardhshme do jenë holokaust elektoral? Çfarë sugjerohet për ta bërë partinë më të madhe se kryetari? Të ikë Prena e të vijë Lena apo hapje reale e partisë? Programi do jetë i një partie konservatore apo liberale? Lidership të vjetër apo të ri? Elektorati do zgjerohet apo do tkurret? Këto dhe të tjera pikëpyetje do vazhdojnë të zukasin veshëve të mbyllur deri sa të kthehen në këmbana alarmi.