“Do më dëgjosh”, “Nuk më heq dot as Bilali as kurrkush”, roja i selisë së PS Shkodër debat me shoferin e deputetes: Ka 7 vjet që jam pa rrogë, ia kaloj Sali Berishës (Video)
Një debat mes dy nëpunësve të selisë së PS në Shkodër për një televizor dhe një akuzë për vjedhje nga pas.
Roja i selisë së PS Shkodër Spartak Sofija i cili punon prej 7-8 vitesh aty ka akuzuar shoferin e deputetes së zgjedhur të PS Shkodër Edona Bilali se ai ka vjedhur një televizor në seli, por televizori është kthyer pas pak ditësh.
Sipas debatit që dëgjohet në video mes rojës dhe shoferit të deputetes, ky i fundit me kërkesë të koordinatores së PS Shkodër Xheni Halili ka rikthyer televizorin që kishte marrë pa i thënë askujt.
Në video shoferi i deputetes pranon se ka marrë televizorin, por thotë se e ka marrë për ta riparuar dhe jo vjedhur. Nga ana tjetër Sofija e akuzon atë se kjo nuk është e vërtetë dhe se ai ka dashur që ta vjedhë televizorin. Në debat secili tregon forcën, duke përmendur ‘të mëdhenjtë’ e PS, ndërsa Sofija deklaron se është aty me vendim të Taulant Ballës.
Nga ana tjetër shoferi thotë se është më i rëndësishëm se ai.
Roja pretendon se shoferi i deputetes ka bërë një tentativë për ta hequr nga puna, por i bën të ditur atij se nuk e ka këtë forcë dhe se roja ka njohje deri në nivelet më të larta, duke përmendur edhe kryeministrin Rama. Roja kërcënon se mund të denoncojë dhe tek ish-kryeministri Sali Berisha se ka 7 vjet që nuk paguhet.
Ja debati i plotë në video mes rojës së PS Shkodër Spartak Sofija dhe shoferit të deputetes së zgjedhur të PS Shkodër Edona Bilali, Ditmir Thikaxhija dhe akuzat ndaj njëri-tjetrit.
Roja: Unë jam përgjegjësi, më ka caktuar Luan Harusha dhe Taulant Balla.
Shoferi: Luan Harusha thotë nuk e kam caktuar unë.
Roja: Hajde në Tiranë pra, shkojmë në Tiranë.
Shoferi: Merre në telefon.
Roja: Hajde në Tiranë.
Shoferi: Unë me ardh në Tiranë? Jam në Shkodër.
Roja: Taulant Balla është për gjithë Shqipërinë, Luani më ka prurë këtu. Unë kam shku në Tiranë tek PS. Më kanë thënë çfarë ke bërë ti për PS nuk e ka bërë kush në botë.
Shoferi: Zgjidhini vetë ato punë, mua s’më intereson hiç. Por ta dish, të jesh në dijeni shoku jot ka luftuar për të mbajt njerëz në punë këtu.
Roja: Ti ke luftu?
Shoferi: Po, pyete.
Roja: Kush e hoqi Zefin?
Shoferi: Shif kush është mbi Zefin njëherë.
Roja: Xheni është, por Xheni ia ka shtru Bilalit se i kam marrë vesh të tana. Më ka thënë ai, për hatrin tim ka ik Diti, ka shku tek Xheni.
Shoferi: Ti ke bërë një gabim, ke transmetu një mesazh, ai mesazhi gabim ka djeg të tjerët.
Roja: Pse gabim? Nuk është gabim, se me ul një televizor pa dijeninë time…
Shoferi: Kush je ti në letra, këtu në seli, përgjegjës…
Roja: Edhe ti si shofer që je..
Shoferi: Nuk jam shofer.
Roja: Ça je ti?
Shoferi: Ça rëndësi ka ça jam unë.
Roja: O ka rëndësi se me ul televizorin, pa qenë në dijeni unë…
Shoferi: Jam më i rëndësishëm unë se ti.
Roja: Por jo mo nuk je ti më i rëndësishëm, kam tërë numrat e të mëdhenjve unë.
Shoferi: E ça domethënë, numrat e të mëdhenjve i gjej dhe unë?
Roja: Shko gjeje ti, a të ktheu ty kryeministri Rama mesazh, a ta ktheu?
Shoferi: Mua? Më shumë se ta pret mendja ty.
Roja: Por jo mo se s’ta kthen ty, e kam aq forcë unë, e di sa forcë e kam?!
Shoferi: Ti me forcë, por do më dëgjosh pra. Kur të kesh aq forcë sa çke ti ke me kuptu.
Roja: A lejohet me e ul televizorin pa procesverbal?
Shoferi: Nuk më ka thënë kush gjë. E kam marrë në mes të ditës pse e thu ti fjalën vjedh?
Roja: Si nuk të ka thënë kush gjë? Pse të thirri Xheni? Pse të tha vrap televizorin këtu?
Shoferi: Kam bërë 7 vjet shkollë nuk mund të më thuash vjedh.
Roja: Për mua bëj dhe 100 vjet shkollë, po s’ke bërë për hajni ke bërë për rregulloren tënde.
Shoferi: Se nuk kam bërë për atë punë, shokët tuaj, ky që vjen e më hipën e kërcën mbi tarraca.
Roja: Tarraca nuk është e selisë.
Shoferi: Pse ka hipur në tarracë pra?
Roja: Në tarracë mund të hipë dhe prej shkollës andej.
Shoferi: A mund? Po të them unë që ka hipur prej këtej.
Roja: Filmoji, kaloji tek Policia e Shtetit.
Shoferi: Dukem kështu ndoshta, por jam shumë më shumë i rëndësishëm se ti.
Roja: O zotëri mu ma marrin të tërë për bazë se jam me statusin e jetimit dhe unë këtë seli e hedh krejt në tokë sepse ka 7 vjet që jam pa rrogë, ja kaloj Sali Berishës shiko çfarë bën selia me jetimin, që ka 7 vjet pa rrogë. E di si e bëj këtë Shkodër?
Shoferi: E di se me lujt viktimën je njësh.
Roja: Po jo mo se jam me status e të tana.
Shoferi: Statusi ti je bobi, më i miri në botë, je perfekt. Fjalën vjedh me mu ke bërë gabim që e ke përdor.
Roja: Po pse e ka marrë për bazë Tirana?
Shoferi: Kam qenë duke e rregullu. Ishte roja, kamerat të gjitha dhe unë të vjedh?
Roja: Duhet të bëjë procesverbal.
Shoferi: Kush je ti që më kërkon procesverbal.
Roja: O jam roje mor zotëri.
Shoferi: Unë nuk të njoh për roje.
Roja: Shko merre Taulant Ballën, foli Taulant Ballës, ta jap unë numrin.
Shoferi: S’ka nevojë.
Roja: Dhe shihe a ke shanse ti me hy? Jo ti, por me u çu Bilal e kërkush nuk më heq mua prej këtu. Jam tash 8 vjet me seli. Kur u djeg selia pse nuk i fute ti duart në gastare këtu? Pse nuk i fute gastaret ti? I kam futur unë duart këtu.
Shoferi: E di më mirë se ti kush e ka djeg selinë.
Roja: E din? Shko raporto tek policia dixhitale.
Shoferi: Mos rrej.
Roja: Dhe Ardi Veliut ta jap unë numrin, shko thuaj kush e ka djeg nëse ke prova. Paske gisht dhe ti.
Shoferi: Je shumë rrencak.
Roja: Ti je rrencak.
Shoferi: Unë nuk heki kënd se nuk kam forcë, por me rrejt për mua ke bërë shumë gabim.
Roja: Hiqëm po deshe. Nëse më heq prej këtu hallall!
Shoferi: Ka pas dëshmitarë. Si e kam vjedh. /BW