Ish-prokurori i përgjithshëm, Adriatik Llalla, në një intervistë për Çim Peka LIVE, tregoi pasuritë e tij. Ai tha se persona të tjerë të pushtetshëm kanë blerë pasuri të ngjashme edhe më lirë, por nuk janë hetuar.
Sa është blerë apartamenti në Durrës?
Apartamenti në Durrës është blerë 22 mln lekë të vjetra në vitin 2012. Në kohën kur e kam blerë, duke iu referuar pallatit ku është blerë apartamenti im, çmimi shkon në 600 mijë lekë të vjetra metri katrorë, kurse prej meje është blerë me 35 mijë lekë metri katror. Është blerë më lirë se apartamentet e tjera.
Pse më lirë?
Është një marrëveshje që u lidh me ndërtuesin e objektit, dëshmi të cilën ai e bëri edhe para trupës gjyqësore. Është një marrëveshje e lidhur me vullnetin tonë të lirë, në një moment të vështirë që ai ndodhej, ku unë isha i interesuar të bleja një apartament në Durrës. Ramë dakord dhe unë deri para daljes së vendimit gjyqësor, kisha në pronësi këtë apartament.
Keni qenë Prokuror i Përgjithëm në atë kohë?
Jo, kam qenë në Insepektoriatin e deklarimit të pasurive.
Nuk është një favor që i është bërë prokurorit të përgjithshëm?
Nuk ka lidhje me funksionin e fundit që kam pasur.
Me informacionet që kam unë, prokurorja që ka nisur çështjen edhe ajo ka blerë një apartament në atë zonë me rreth 14 mln, pra në vlerën më të ulët se sa ju.
Ky është një realitet i bërë publik në momentin kur kjo ish-prokurore tashmë ishte në procesin e vettingut. Nga të dhënat e bëra publike rezultoi se ajo kishte blerë apartamentin 14 mln lekë dhe brenda 9 muajsh, pra bëhet fjalë për prokuroren Donika Prela, në atë kohë e komanduar nga Arta Marku, si drejtuese e Prokurorisë së Durrësit dhe filloi për këtë arsye, sepse apartamenti im ishte blerë me çmim më të lirë se zona.
Pra, Donika Prela që ka nisur hetimin ndaj jush për këtë apartament, vetë ka deklaruar në vetting se ka blerë një apartament gati në gjysmën e çmimit të apartamentit tuaj.
Gati në gjysmën e çmimit tim dhe në 9 muaj e ka shitur në 3-fishin e çmimit, ndërsa apartamenti im i blerë në vitin 2012 vazhdon të qëndrojë aty.
Donika Prela ka qenë prokurore e emëruar nga ju?
Ka qenë prokurore brenda sistemit në prokurorinë e Durrësit.
Flasim pak për tokën. 22 mijë metra2. Me çfarë çmimi është blerë?
Çmimi mesatar i tokës është 67 mijë lekë metri katror.
Ju akuzoheni se e keni blerë më lirë?
Akuza bazohet pikërisht në këtë se është blerë më lirë se sa tregu. Ndërkohë që sipas të dhënave të mbledhura nga vetë eksperti gjatë hetimit rezulton se në vetëm 1 rast, pronat kanë qenë më të lartë se sa i pronës time, dhe të gjitha rastet e tjera kanë qenë me çmimin më të ulët.
Pra në zonën ku keni blerë këtë tokë, çmimi është më i ulët…
Bëhet fjalë për një fshat rreth 10 km jashtë Tirane që është një zonë me infrastrukturë jo normale.
A ka emra të tjerë të njohur ngjitur me pronën tuaj që mund ta kenë blerë më lirë?
Në dijeninë time, ka shumë emra të njohur, personazhe publike, zyrtarë, të dhënat e të cilëve mund të gjenden lehtësisht brenda deklarimit të pasurive, ku çdo kush mund t’i gjejë. Ashtu siç ka pasur mundësinë prokuroria që krahas rastit tim, ku janë mbledhur të dhënat për të gjithë tokat kufitare, ku çmimi është më i ulët, ku kanë dalë edhe emrat e zyrtarëve apo ish-zyrtarëve, në asnjë rast tjetër nuk është filluar hetimi, përfshirë ministra dhe ish-ministra.
Është komshi me ju Damian Gjiknuri?
Nuk mund të them me saktësi, se cili është komshi apo jo.
Kur është bërë hetimi, rezulton se Gjiknuri është komshi me ju dhe e ka blerë me rreth 3 mijë lekë, pra me gjysmën e çmimit tuaj. A keni dijeni se ka nisur hetimit për Gjiknurin?
Nuk di të ketë nisur hetim si për Gjiknurin, apo rast tjetër të kësaj natyre.
Gjergj Bojaxhi?
Unë jam rast i vetëm që ka nisur hetimi, prandaj këmbëngul se hetimi ndaj meje ka qenë i paravendosur dhe vendimi nga gjykata atë ditë ka qenë i paravendosur.
Do të vijmë tek arsyet e hetimit ndaj jush, por kalojmë të pjesa e tretë. Tek akuza e 3-të. Kati i 3-të i banesës tuaj, për çfarë akuzoheni?
Kati i 3-të i banesës, gjykata bazohet në faktin se pretendon sipas ekspertes se kati i 3-të nuk është ndërtuar në vitin e deklaruar prej meje. Unë e kam deklaruar të përfunduar në vitin 2006, sipas ekspertes pretendohet se ndërtimi është përfunduar në vitin 2002 dhe vlera e ndërtimit ka qenë më e larta. Duke llogaritur këtu krahun e punës apo shpenzimet e tjera. Ndërkohë që puna në banesën time, që nga themelet deri në ndërtimin përfundimtar është bërë me punë vullnetaren time, të familjarëve të mi. Përveç kostos së ndërtimit, çdo shpenzim tjetër ka qenë puna jonë.
Kur është bërë ky apartament, çfarë funksioni keni pasur?
Kam qenë oficer prokuror në disa rrethe të vendit.
Këto janë 3 akuzat që gjykata ju ka dënuar.
Pretendohet se prej meje nuk është deklaruara vlera reale. Bëhet fjalë edhe për dy raste të tjera lidhur me shpenzimet më pas. Si shpenzimet për lindjen e djalit tonë nga bashkëshortja në SHBA dhe shpenzimet për pagesën e një qiraje 6 mujore në Gjermani.
Çfarë shpenzimesh ka pasur lindja e djalit në SHBA?
Lindja e djalit sipas marrëveshjes së nënshkruar nga gruaja me spitalin përkatës ku është realizuar lindja, e nënshkruar në datën 2 janar 2017, në bazë të cilës bashkëshortja merrte përsipër që mbasi të faturohej nga spitali, do të paguante menjëherë detyrimet spitalore. Në atë vit, adresa ishte e një mikut tonë që jeton në SHBA, ku shkon dhe fatura spitalore. Fatura e parë ka shkuar në 17 maj të vitit 2017, ditë në të cilën është pagesa prej tij. Fatura nuk kalonte shifrën prej 300 mijë lekësh të cilat janë detyrim që subjekti e deklaroi më pas në Inspektoriatin e Deklarimit të Pasurive. Shifra tjetër prej 5 mijë dollarësh është paguar pasi unë jam larguar nga funksioni dhe nuk kisha më detyrime deklarimi.