Nga Boldnews.al
Personat që raportojnë nga Tirana për Departamentin e Shtetit u kanë dhënë fuqinë e ligjit disa publikimeve nga media pro-qeveritare apo organizma të rrjetit Soros, në bazë të të cilave Sekretari i Shtetit, Antoni Blinken ndërmori veprimin ekstrem për ndalimin e udhëtimit në SHBA të ish-kryeministrit Sali Berisha si i përfshirë në korrupsion, pavarësisht se ndaj tij nuk ka asnjë hetim penal në vendin tonë apo kudo gjetkë.
Burime zyrtare nga Departamenti i Shtetit e kanë pranuar si burim të besueshëm informacionet e publikuara në median e Tiranës, e cila, në shumicë absolute, është nën kontrollin ose joshjen qeveritare.
Megjithatë, informatorët diplomatikë janë sjellë shumë më ndryshe kur media të rëndësisë globale, të cilave nuk u vihet aspak në dyshim integriteti në raportim, kanë publikuar atë që konsiderohet si “afera e fotos 80 mijë dollarë Rama-Obama”.
Ky rast përbën një abuzim ligjor që ka ndodhur në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe që ka cënuar edhe ish-kreun e Shtëpisë së Bardhë.
Reuters, New York Times, Fox News, Zëri i Amerikës dhe të tjera media ndërkombëtare kanë raportuar mbi dënimin e dy emigrantëve në SHBA, Bilal Shehu dhe Uilliam Argeros, pasi në vitin 2012 kishin paguar 80 mijë dollarë, me qëllim që të realizohej një takim mes Barak Obamas dhe një shtetasi të huaj.
Sipas raportimeve të medias ndërkombëtare, avokati i njërit prej të dënuarve e emërtoi shtetasin e huaj në gjykatë si “drejtuesi i opozitës në Shqipëri, Edi Rama”.
Çështja e fotos “Rama-Obama” u përmend fillimisht në vitin 2013 nga kongresmeni republikan Dana Rokabaher, një prej kundërshtarëve më të fortë të rrjetit Soros në politikën amerikane.
Më pas, rasti u mor në shqyrtim gjyqësor, pasi qytetari amerikan me origjinë shqiptare Bilal Shehu, i cili mendohet se ndihmoi në atë kohë Ramën të realizonte foton, pasi kishte derdhur 80 mijë dollarë kontribute për fushatën e presidentit Obama, pranoi se kishte shkelur ligjet amerikane.
Në nisje të procesit gjyqësor, “Zëri i Amerikës” raportoi se burimi i parave ka qenë nga Shqipëria.
Rama, i cili në 2016 ishte kryeministër, e mohoi përfshirjen e tij në këtë rast dhe e konsideroi si “manipulim mediatik”.
Në një deklaratë publike, Rama, nëpërmjet zyrës së shtypit, u shpreh se “as nuk ka marrë pjesë në ndonjë organizim elektoral të Presidentit Obama dhe as nuk ka kryer ndonjë pagesë, për të marrë pjesë në një organizim të kësaj natyre”.
Megjithatë, ai nuk sqaroi nëse ka qenë në dijeni apo jo nëse një subjekt tjetër ka kryer pagesën për të mundësuar pagesën apo fotografinë e tij.
Po ashtu, ai nuk përmendi se ku e ka bërë takimin me Bilal Shehun.
Ndërkohë që rrjeti BIRN, ka raportuar se Bilal Shehu ka publikuar një foto me Edi Ramën në 8 tetor 2012, në të njëjtën ditë që është shkrepur edhe foto e Ramës me Obamën, në atë kohë në fushatë elektorale për mandatin e dytë si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Qartësisht, ka shumë të dhëna që e përfshijnë Edi Ramën në një aferë, e cila ka prekur jo pak, por vetë garën për Shtëpinë e Bardhë.
Por, megjithatë, raportuesit nga Tirana për Departamentin Amerikan nuk duket se e kanë konsideruar “korrupsion madhor”.
Mjafton ky rast standarti të dyfishtë për të kuptuar qartë se vendimi i Blinken ndaj Berishës nuk ka lidhje aspak me atë që konsiderohet si “korrupsion madhor”, cilësim të cilin ish-kryeministri shqiptar e konsideron shpifje dhe ka ngritur padi në Gjykatën e Korreksionit në Paris ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit.
Duket se gjithçka lidhet me politikën e brendshme në Shqipëri pas denoncimeve të shumta që ka bërë ish-kryeministri për korrupsionin e qeverisë “Rama”, si edhe për kundërshtimit me forcë të projektit Rama-Soros-Vuçiç për ndryshimin e kufijve në Ballkan.