Dy çështje të njëjta të shqyrtuara nga Gjykata Kushtetuese gjatë muajit mars detyruan këtë të fundit të konstatojë se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve si dhe gjykatat administrative kanë injoruar në tërësi vendimet e kësaj gjykate duke cënuar të drejtën për proces gjyqësor të rregullt dhe të drejtën kushtetuese të pronës. Çështjet në fjalë lidhen me të ashtuquajturat “supergjobat tatimore”.
Në shtator të vitit 2015 qeveria shqiptare, nën presionin e deficitit në zgjerim dhe akuzave se po toleronte në evazion dhe kontrabandë në mallra kyçë si nafta dhe cigaret, nisi një aksion “kundër informalitetit”, ku përfshiheshin arrestime policore si dhe “supergjoba”. Një nga gjobat e miratuara në ligj, ishte vendosja e një gjobe në masën 500 mijë lekë në rast se inspektorët tatimorë gjenin një të punësuar në të zezë në një biznes të caktuar. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e rrëzoi këtë masë si antikushtetuese dhe në shkelje të të drejtave themelore të njeriut, të përcaktuara nga standardet e vendosura nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Duket sikur situata merr fund këtu. Në dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese e pezulloi zbatimin e ligjit në fjalë dhe në qershor 2016, e rrëzoi atë përfundimsht por për disa kompani që ishin përballur sakaq me gjobat antikushtetuese, kalvari gjyqësor sapo kishte filluar.
Gjatë muajit të fundit, Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar dhe pranuar dy kërkesa të njëjta nga dy kompani të ndryshme, në të cilat, kompanitë kanë kërkuar rikthimin e gjobave të paguara në Administratën Tatimore duke argumentuar shkeljen e parimit të procesit të rregullt gjyqësor dhe shkeljen e të drejtës së pronës.
Historia e tyre ngre pikëpyetje mbi efikasitetin e proceseve gjyqësore në tërësi dhe aftësisë së gjykatave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për të kuptuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Megjithëse vendimet e GJK për pezullimin dhe më pas shfuqizimin e neneve përkatëse të ligjit fiskal për supergjobat ishin të qarta, tatimet vijuan të vendosin gjoba bazuar në këto ligje ndërsa gjykatat më të ulëta në raste të ndryshme i dhanë të drejtë tatimeve, pavarësisht ekzistencës së vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Nga ana e tyre, kompanitë, të cilat besohet se janë nga të paktat viktima të supergjobave që patën nervin për të ndjekur procesin në rrugë gjyqësore, u detyruan të presin katër vjet para se të fitojnë të drejtën që GJK ia kishte shpallur që në fillim.
Njëra prej kompanive, ishte gjobitur në dhjetor të vitit 2015. Në janar të vitit 2016, pasi Gjykata Kushtetuese kishte vendosur pezullimin e supergjobave dhe kishte njoftuar për këtë vendim qeverinë, Drejtoria e Apelimit Tatimor kishte vendosur lënien në fuqi të gjobës. Kompania iu drejtua Gjykatës Administrative, e cila në Shkallën e Parë i dha të drejtë dhe urdhëroi tatimet të kthejnë shumën e gjobës së paguar. As vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili në këtë kohë ishte bërë final, dhe as vendimi i shkallës së parë nuk e pengoi Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve që në qershor të vendosë të apelojë vendimin e Gjykatës Administrative. Fakti që Gjykata Kushtetuese ishte shprehur për këtë çështje, nuk e pengoi Gjykatën Administrative të Apelit që ta rrëzojë kërkesën e kompanisë dhe të lërë në fuqi kërkesën e tatimeve.
Tatimet vijuan të këmbëngulin se kishin të drejtë për supergjobat edhe në pretendimet e tyre finale në mars të këtij viti para Gjykatës Kushtetuese. Sipas pretendimit të tyre, fakti që Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar ligjin, nuk shfuqizon gjobat e vëna para vendimit të pezullimit të ligjit.
Gjykata Kushtetuese, pasi pranoi kërkesën e kompanisë dhe urdhëroi rishqyrtim të çështjes në Gjykatën Administrative të Apelit, u detyrua të rikujtojë edhe një herë rëndësinë që ka në një vend demokratik, zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Duke marrë shkas nga çështja në shqyrtim, Gjykata rithekson ndikimin e padiskutueshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, i cili është i tillë që iu imponon të gjitha organeve shtetërore, duke mos përjashtuar as gjykatat, fuqinë detyruese të arsyetimit të vendimeve të saj,” thuhet në vendimin 18 datë 30.03.2021.
“Çdo qëndrim i kundërt krijon një precedent të rrezikshëm në marrëdhëniet institucionale,” argumenton më tej Gjykata Kushtetuese.
Sa i përket një kompanie të dytë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e lëshoi fletën e gjobës më 6 janar 2016, në një kohë kur Gjykata Kushtetuese e kishte vendosur sakaq pezullimin e ligjit. Në këtë rast, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë ishte ajo që e la në fuqi vendimin e tatimeve duke injoruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ndryshe nga rasti i parë, kur subjekti ishte ankuar në Gjykatën Kushtetuese për shkelje të procesit të rregullt gjyqësor, në rastin e dytë, ankuesi argumentoi edhe cenimin e të drejtës së pronësisë. Në fakt, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka përcaktuar se gjobat në masë të ekzagjeruar nga autoritetet tatimore përbëjnë cenim të të drejtës së pronësisë. Gjykata konstatoi në këtë rast se tatimet kanë shkelur të drejtën e pronësisë së ankuesit dhe se gjykatat administrative kanë dështuar të kryejnë detyrën e tyre.
“…gjykatat administrative nuk e kanë përmbushur detyrimin kushtetues për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ligjit, vendim i cili ka fuqi detyruese të përgjithshme dhe forcën e ligjit për të gjitha organet publike, duke përfshirë edhe gjykatat,” argumenton Gjykata Kushtetuese.
Në këtë rast, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, jo vetëm që veproi në shkelje të kushtetutës, por duket se e injoroi Gjykatën Kushtetuese, e cila shkroi në vendim se ajo “’evidenton se subjekti i interesuar, Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë jo vetëm nuk ka paraqitur parashtrime me shkrim, por edhe nuk u paraqit në seancë”. /BIRN/