Nga Eric Betz
Jeta është rezistente. Sipas disa shkencëtarëve, gjërat e para të gjalla në Tokë u shfaqën 4 miliardë vjet më parë. Në atë kohë, planeti ynë po goditej ende nga shkëmbinj të mëdhenj hapësinorë. Por jeta vazhdonte gjithsesi. Dhe gjatë gjithë historisë së Tokës, janë përjetuar të gjitha llojet e kataklizmave.
Ditët e ndryshme të Apokalispit – nga shpërthimet e Supernovave dhe goditjet e asteroideve, deri tek shpërthimet e mëdha vullkanike dhe ndryshimet e papritura të klimës – kanë vrarë forma të panumërta të jetës. Disa herë, këto shfarosje masive kanë eleminuar madje shumicën e specieve në Tokë.
E megjithatë, jeta ka reaguar gjithmonë. Janë shfaqur llojet e reja. Është përsëritur cikli. Atëherë, çfarë do të duhej për ta vrarë plotësisht jetën në Tokë? Edhe pse njerëzimi mund të jetë çuditërisht i brishtë, nuk është e lehtë të shfarosësh një planet të tërë. Gjithsesi, ja cilat janë disa ngjarje të mundshme të ditës së Apokalipsit që mund të zhdukin përgjithmonë gjithë jetën në Tokë, madje ajo e fundit ka të ngjarë të jetë e pashmangshme.
Një Apokalips si pasojë e përplasjes së asteroideve
Kur një asteroid me përmasat e një qyteti goditi Gjirin e Meksikës 66 milionë vjet më parë, ajo ngjarje solli zhdukjen e dinozaurëve, si dhe shumicën e specieve të tjera në Tokë në atë kohë. Dhe ndërsa paraardhësit tanë nuk kishin evoluar ende, ajo përplasje ishte ndoshta ngjarja e vetme më e rëndësishme në historinë njerëzore.
Pa atë përplasje, dinozaurët mund të kishin vazhduar të sundonin Tokën, duke na lënë në hije ne gjitarëve më të vegjël. Një asteroid i ardhshëm mund të shkaktojë po aq lehtë edhe zhdukjen e çdo qenie njerëzore në Tokë. Fatmirësisht, kjo nuk ka gjasa të ndodhë së shpejti. Bazuar në regjistrin gjeologjik të përplasjeve kozmike të NASA-s, Toka goditet nga një asteroid i madh afërsisht çdo 100 milionë vjet.
Por përplasje më të vogla të asteroideve ndodhin gjatë gjithë kohës. Ka madje prova që disa njerëz mund të jenë vrarë nga përplasje të vogla meteoritësh mijëra vitet e fundit. Por cilat janë shanset që planeti ynë të goditet ndonjëherë nga një asteroid kaq i madh sa të zhdukë gjithë jetën në Tokë?
Simulimet e botuara në revistën“Nature” në vitin 2017, sugjerojnë se do të duhej një shkëmb hapësinor vërtet gjigant për të shkaktuar diçka të tillë. Zhdukja e gjithë jetës në Tokë do të kërkonte një përplasje që do të zhdukte oqeanet.
Dhe vetëm asteroidë të tillë si Palas dhe Vesta – më i madhi i sistemit diellor – janë mjaftueshëm të mëdhenj për ta bërë këtë. Ka prova që Toka u godit në fillimet e veta nga një planetoid i madh i quajtur Teia. Por sot që flasim përplasjet e objekteve kaq të mëdha nuk janë shumë të mundura.
Vdekja nga de-oksigjenimi i planetit
Gati 2.5 miliardë vjet më parë, një periudhë e quajtur Ngjarja e Madhe e Oksidimit i dha Tokës atmosferën nga e cila varet e gjithë bota e gjallë. Një mori cianobakteresh, nganjëherë të quajtura alga me ngjyrë jeshile në blu, e mbushi atmosferën tonë me oksigjen, duke krijuar një botë ku mund të jetonin forma jetësore shumëqelizore, mes tyre edhe njerëzit.
Sidoqoftë, një nga shkatërrimet e mëdha të Tokës, një ngjarje që ndodhi 450 milion vjet më parë e quajtur zhdukja masive e Ordovikianit të Vonë, ka të ngjarë të ketë ndodhur sepse ndodhi e anasjellta. Planeti përjetoi një rënie të papritur të niveleve të oksigjenit që zgjati për disa miliona vjet.
Çfarë mund të kishte shkaktuar një ngjarje kaq ekstreme? Gjatë periudhës Ordovikian, kontinentet ishin të bashkuara në një masa tokësore gjigante të quajtur Gonduana. Shumica e jetës në Tokë ende jetonte në oqeane, por bimët kishin filluar të dilnin në Tokë. Pastaj, afër fundit të asaj epoke, një ndrysim i klimës e mbuloi super-kontinentin me akullnaja.
Vetëm kjo ftohje globale ishte e mjaftueshme për të filluar shkatërrimin e specieve.
Sipas disa vlerësimeve, më shumë se 80 për qind e jetës në Tokë u shfaros gjatë zhdukjes masive të Ordovikianit të Vonë.
Pra, ka ndodhur më parë, por a mund të ndodhë sërish një ngjarje e tillë? Në një krahasim të frikshëm me situatën aktuale, studiuesit thonë se ndryshimi i klimës po i ul tashmë nivelet e oksigjenit në oqeanet tona, duke vrarë potencialisht speciet detare.
Zhdukja nga rrezet gama
Edhe nëse një valë e papritur e ftohjes globale do të ketë shkaktuar zhdukjen masive të Ordovikianit të Vonë, çfarë e nxiti vetë atë? Përgjatë viteve, shumë astronomë kanë sugjeruar se fajtori mund të ketë qenë një shpërthim i rrezeve gama (GRB).
GRB-të janë ngjarje misterioze, që cilësohen si shpërthimet më të dhunshme dhe energjike në kozmos. Astronomët dyshojnë se ato janë të lidhura me Supernovat ekstreme. Gjithsesi,ne nuk kemi parë ende një shpërthim të afërt të tyre, për të kuptuar plotësisht se çfarë po ndodh. Deri më tani, GRB-të janë parë vetëm në galaktikat e tjera. Por nëse një ngjarje e tillë do të ndodhte në Rrugën e Qumështit, siç ka të ngjarë të ketë ndodhur në të kaluarën, kjo mund të shkaktojë një zhdukje masive në Tokë. Një GRB i drejtuar nga planeti ynë mund të zgjasë vetëm 10 sekonda ose më shumë, por gjithsesi mund të shkatërrojë të paktën gjysmën e ozonit të Tokës në atë periudhë të shkurtër kohore.
Dhe siç e kemi mësuar dekadat e fundit, edhe një sasi relativisht e vogël e pakësuar e ozonit mjafton për të zhdukur “kremin diellor natyral” të planetit tonë, duke na shkaktuar probleme serioze. Zhdukja e ozonit në një shkallë mjaft të madhe mund të shkatërrojë zinxhirët ushqimorë, duke zhdukur një numër të madh speciesh.
Shkatërrimi i Diellit
Studiuesit sugjerojnë që atmosfera jonë e pasur me oksigjen, nuk është një tipar i përhershëm i planetit. Pas rreth 1 miliardë vjetësh, aktiviteti diellor do të bëjë që oksigjeni atmosferik të bjerë sërish në nivelin në të cilin ishte para Ngjarjes së Madhe të Oksidimit.
Për ta përcaktuar këtë, autorët kombinuan modelet klimatike dhe modelet e bio-geokimisë për të simuluar se çfarë do të ndodhë me atmosferën ndërsa Dielli plaket, dhe çliron akoma më shumë energji. Ata zbuluan se Toka do të arrijë përfundimisht në një pikë ku dioksidi i karbonit atmosferik do të shpërbëhet.
Në atë pikë, bimët dhe organizmat prodhues të oksigjenit që mbështeten tek fotosinteza do të zhduken. Planeti ynë nuk do të ketë forma të mjaftueshme të jetës për të mbështetur atmosferën e pasur me oksigjen që kërkojnë njerëzit dhe kafshët e tjera.
Koha e saktë se kur fillon kjo dhe sa kohë duhet – procesi i de-oksigjenimit mund të zgjasë deri në 10.000 vjet – varet nga një gamë e gjerë faktorësh. Por, në fund të fundit, autorët thonë se kjo kataklizëm është e pashmangshme për planetin. Për fat të mirë, njerëzimi ka akoma 1 miliardë vjet të tjera për të zbuluar planetë të tjerë. / “Discover Magazine”