Ish-deputeti Kastriot Islami në një intervistë të gjatë për Syri Tv me gazetarin Bledi Marku, ka komentuar në një analizë të shteruar atë se çfarë ndodhi me zgjedhjet dhe situatën postzgjedhore.
Ndërsa shtroi shumë argumente se përse opozita duhet të ndihet e vjedhur nga këto zgjedhje, Islami tha ndër të tjera se ‘opozita krahas angazhimit maksimal për të ngritur frymën e fitores, duhet të kishte marrë edhe masa më të forta për mbrojtjen e suksesit dhe denoncimin dinamik’.
Po kështu Islami thotë gjatë intervistës se: ‘Nëse Këshilli Europian do ti qëndrojë strikt kërkesave që i ka bërë vendit tonë, veçanërisht atyre që lidhen me zgjedhjet, por edhe me korrupsionin, trafiqet, shtetin ligjor, demokracinë, zgjedhjet e tjerë atëherë vendimi i tij do të jetë ai i shtyrjes së hapjes së negociatave. Rama duket se e ka ndjerë një vendim të tillë dhe ka filluar të reagojë si brenda me kërkesën për bashkëqeverisje ashtu edhe ndaj BE si edhe me parë duke e akuzuar se ka forca euroskeptike që e pengojnë të zgjerohet.’
Në një analize tuajën të fundit, ju shpreheni se prishja e marrëveshjes së 5 qershorit 2020 përbën një nga “dhunimet” kryesore të standarteve demokratike që përcaktojnë zgjedhjet e lira e të ndershme. Si ndikoi prishja e kësaj marrëveshje dhe ndryshimet kushtetuese në cënimin e zgjedhjeve që u zhvilluan 6 muaj më vonë.
Në shumë intervista para 25 prillit, një prej të cilave edhe në TV tuaj, kam treguar përse nisur nga prishja e marrëveshjes së 5 qershorit zgjedhjet nuk do të mund të jenë të lira e të ndershme dhe në përputhje standartet demokratike. Kam deklaruar se ato do të mund të jenë vetëm të pranueshme, por jo të lira e të ndershme.
Po e zhvilloj këtë analizë logjike përsëri edhe me ju. Prandaj kjo analizë s’është si kofini pas të vjelave, por edhe sikur të ishte e tillë ka vlerë që të nxirren mësimet e duhura për të ardhmen qoftë e afërt apo qoftë të largët.
Së pari në 30 vjet pluralizëm gjithnjë, ngul këmbë gjithnjë, edhe kur PD por edhe kur PS kanë pasur shumicën e cilësuar në parlament, me insistimin ndërkombëtar është ngritur Komisioni i Reformës Zgjedhore, me përbërje të barabartë maxhorancë-opozitë dhe me vendimarrje konsensuale, madje dy partitë drejtuese të maxhorancës e opozitës kishin të drejtën e vetos për të penguar çfarëdo lloj loje për të anashkaluar konsensusin maxhorancë-opozitë. Dhe pastaj parlamenti, pavarësisht cila forcë politike e kishte shumicën e cilësuar ishte i detyruar të vendoste ato ndryshime në Kodin Zgjedhor që ishin miratuar me konsensus në Komsionin e Refomës Zgjedhore. Nëse ndonjë deputet apo grup parlamentar do të kishte eventualisht ndonjë propozim për ndryshime në Kodin Zgjedhor, ato duhet paraprakisht të miratoheshin në KRZ…
Përse e gjitha kjo?
Sepse së pari, miratimi nga parlamenti i ndryshimeve në kodin zgjedhor duhet bërë me konsensus meqë bëhet fjalë për rregullat e lojës, sepse vetëm kështu mund të vendoset besimi i palëve të procesi zgjedhor. Ky është synimi kryesor i këtij ushtrimi që teknikisht është i thjeshtë por politikisht është kompleks. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë palët shkojnë në zgjedhje me mosbesim apo besim të pamjaftueshëm të procesi zgjedhor, gjë që ndikon në integritetin e zgjedhjeve…
Së dyti, nisur nga parimet e Kodit Etik të Këshillit të Europës për zgjedhje të lira e të ndershme nuk duhet të bëhet asnjë ndryshim më shumë se një vit nga data e zgjedhjeve. Edhe marrëveshja e 5 qershorit e ka thyer këtë kod por të paktën marrëveshja u miratua në Këshillin Politik me konsensusin e palëve… kurse prishja e njëanshme e marrëveshjes dhe miratimi i njëanshëm i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, janë një dhunim i rëndë i këtij Kodi…
Së treti, duhet patur mirë parasysh sesi është arritur deri te marrëveshja e 5 qershorit…
Opozita kishte përcaktuar qëndrimin se me Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme, madje në vijim të këtij qëndrimi propozoi që zgjedhjet të përgatiteshin nga një qeveri kujdestare e ngritur 3 muaj para zgjedhjeve, siç kishte ndodhur në Maqedoni. Partnerët kryesorë tentuan të gjenin një zgjidhje mes këtyre kërkesave të opozitës dhe qëndrimeve të Ramës që refuzonte kategorikisht këto kërkesa. Në fund partnerët kryesorë propozuan ngritjen e Këshillit Politik me pjesëmarrjen gjithëpërfshirëse dhe vendimarrje konsensuale, saktësisht siç ishte vepruar për 30 vjet me KRZ. Opozita u detyrua të pranonte këtë zgjidhje ndërkohë që kishte marrë vendimin se do të futej në zgjedhje në çdo rast me besimin se vota masive qytetare do të tejkalonte të gjithë marifetet e Ramës. Për më tepër që opozita nuk mund të kishte qëndrim tjetër veçse të merrte pjesë në zgjedhje, natyrisht duke denoncuar më fuqimisht çdo dhunim të ligjit apo cdo tentative për tjetërsimin e rezultatit; kjo mund dhe duhet të ishte bërë në mënyrë më efikase…por edhe kjo i mbetet diskutimeve të brendshme për t’u evidentuar dhe analizuar me qetësi…
Por Rama realisht e prishi në mënyrë të njëashme marrëveshjen dhe miratoi i vetëm me bishtat klienteliste antiopozitare ndryshimet në Kodin Zgjedhor, madje edhe në sistemin zgjedhor, me një synim të qartë për të mundësuar grabitjen e mandatit të tretë. Ndër të tjera duhet të kujtohen dy ndryshime: 1) ndalimi i konkurimit me koalicionin e përbërë që e ndëshkonte rëndë një opozitë shumëpolare si kjo e 25 prillit përballë një copëze të vetme unike dhe 2) gjoja hapja e listave që ishte një mashtrim për të prodhuar atë që të gjithë e panë në 25 prill dhe po e shikojnë me përbërjen e parlamentit të ri.
Personalisht më ka shqetësuar më shumë fakti se këto ndryshime janë bërë në mënyrë të njëanshme dhe kundër opozitës reale, natyrisht edhe përmbajtja e tyre.
Miratimi i njënashëm i ndryshimeve në sistemin zgjedhor, pa opozitën reale dhe kundër saj, është një veprim i dukshëm, në mes të ditës dhe për më tepër me ligj i grabitjes së mandateve… Kjo quhet kapje e zgjedhjeve… Opozita besoj e kishte të qartë këtë fakt por ajo mendoi në atë kohë se numri i mandateve që do të grabiteshin nga këto ndryshime do të perballoheshin nga vota masive qytetare dhe nga sistemi i mbrojtjes nga veprimet e tjera manipuluese si blerja e votës, kërcënimi i zgjedhësve, miratimi një flete votimi që prodhoi mbi 83 mijë fletë të pavlefshme, e tjerë e tjerë…
Ka dy mundësi për ta shpjeguar këtë: ose opozita nuk arriti të mirëllogariste dimensionin e ndikimit të marifeteve në tjetërsimin e rezultatit zgjedhor ose marifetet për tjetërsimin e rezultatit zgjedhor do të ishin aq të konsiderueshme sa do të rezultonte e pamundur për një grupim politik që ti përballonte. Këto përfundime duhet ti nxjerrë opozita nga analiza që besoj do të bëjë në ditët në vijim…
Nëse heqim faktorët si blerje vote, përdorim asetesh publike, përdorim administrate, përfshirje e krimit në zgjedhje etj dhe marrim për bazë rezultatin e shpallur nga KQZ, si do ishte shpërndarja e mandateve në Kuvend në rast se mazhoranca nuk do prishte koalicionet?
Nëse nuk do të ishte bërë ndryshimi i njëanshëm i sistemit zgjedhor, që është një dhunim i paprecedentë jo vetëm në Shqipëri, opozita do të kishte dalë me koalicion të përbërë siç e parashikonte sistemi i mëparshëm zgjedhor, dhe kështu nuk do të kishte konsumuar energji duke debatuar nëse duhet të konkuronte me 1-listë apo me 2-lista.
Nëse bëhen llogaritë e sakta me votat aktuale, që nuk është një llogari fort realiste, sepse kemi bërë supozimin se në të dy rastet do të merreshin të njëjtat vota nga opozita dhe Rilindja, del se Rama do të kishte 69-70 mandate dhe opozita 67-69 mandate… Kjo do të thotë ndryshe se opozitës, vetëm nga prishja e kësaj marrëveshje i janë grabitur rreth 4-6 mandate. Sipas po të njëjtave llogarive LSI i janë grabitur rreth 6-7 mandate.
Ajo që është më thelbësorja, nëse do të ishte zbatuar marrëveshja e 5 qershorit, Rama nuk do të mund të zotëronte i vetëm shumicën parlamentare, që ishte një synim i qartë i tij.
Kujtoj se në këto llogari është marrë parasysh vetëm ndryshimi i njëanshëm i sistemit zgjedhor, sepse po të futen në llogari edhe faktorët e tjerë, të paktën ato që përmenden qartas në raportin e OSBE/ODHIR me shumë gjasa tjetërsimi i rezultatit zgjedhor është edhe më i madh; mund të shkojë edhe deri në 12-15 mandate, që janë shumë për tu përballuar nga një grupim politik i gjëndur përballë makinerisë-shtet që kishte shumë para, shumë individë me rekorde kriminale dhe përdori buxhetin e shtetit e mekanizmat administrativë të shtetit…dhe në rrethanat e sistemit akatual zgjedhor, proporcional…
Në raportin paraprak të ODIHR shihet me shqetësim përdorimi i administratës në zgjedhje për interesat e Partisë Socialiste ndërkohë që shefja e misionit vëzhgues Ursula Gacek në një intervistë për Dojce Velle e quan shqetësues qëndrimin jo të qartë ndaj kufirit mes partisë e shtetit. Ç’po ndodh në këtë drejtim kur Shqipëria ka 30 vjet që De Jure presupozohet të jetë ndarë nga sistemi totalitar.
Fatkeqësisht siç thuhet edhe në raportin e OSBE/ODHIR Rilindja që drejton vendin po kthehet në parti-shtet, ose e thënë me terma të zbukuruar nga partnerët, kemi të bëjmë me qëndrim jo i qartë i kufirit parti-shtet, që është e njëjta gjë. Partia-shtet ekziston dhe vepron prej 8 vitesh në mënyrë të dukshme…
Ky kthim prapa nuk është një kthim i thjeshtë në komunizëm por një kthim në një qeverisje autoritare të një pakice miliarderësh apo e një grupi të pasurish që në shumë nga vendet e lindjes quhen oligarkë…
Përfundimi është evident: Partia-shtet tani nuk është më partia komuniste-shtet por është partia-shtet e oligarkëve, kriminelëve dhe trafikantëve të cilët janë kudo, edhe në parti edhe në shtet, kontrollojnë gjithçka edhe në parti edhe në shtet, dhe nuk është e lehtë të munden vetëm nga një grupim politik që zotëron kapacitetet dhe mjetet politike të një organizimi politik të një vendi të varfër e me shumë probleme. Aq më tepër të pa mbështetur siç duhet nga partnerët dhe i mbështetur nga një komunitet i varfër, një pjesë madhe e të cilit është në mbijetesë dhe një pjesë jo e vogël tenton ta gjejë zgjidhjen te emigrimi; dhe pothuajse të gjithë kanë tradita demokratike minore, madje që e kanë të pamundur të kuptojnë e realizojnë detyrën që buron nga termi demokraci që do të thotë qeverisje e popullit apo që Çurçilli e ka thënë ndryshe: çdo popull meriton qeverinë e tij….
Teksa DASH ka uruar Kryeministrin Rama për fitoren, SHBA, përmes ambasadores së tyre në OSBE, shprehen se partia në pushtet mori përparësi të konsiderueshme përmes kontrollit të administratave lokale dhe keqpërdorimit të burimeve administrative. Po kështu, shprehet ambasadorja vërejmë konstatimin se praktikat e përhapura të blerjes së votës mbetën një problem dhe përforcohet shqetësimi mbi rrjedhjet e të dhënave personale të ndjeshme, duke përfshirë preferencat politike të votuesve. Së pari a janë kontradiktore këto qëndrime, dhe në përgjithësi si do e gjykonit qëndrimin e faktorit ndërkombëtar ndaj procesit zgjedhor të 25 Prillit.
Së pari edhe ambasadori i SHBA në OSBE është pjesë e Departamentit të Shtetit; kjo nuk duhet harruar. Së dyti për momentin shikoj disa diferenca deri diku të qenësishme; të cilat duhen ndjekur me vëmendje nga opozita. Së treti duhet të kemi parasysh se në misionin ndërkombëtar të vëzhgimit të zgjedhjeve janë të gjithë vendet “partnere” të Shqipërisë, SHBA dhe vëndet e BE por edhe disa vende kryesore. Kështu që deklaratat apo raportet e OSBE/ODHIR janë burimi prej nga rrjedhin të gjithë qëndrimet e tjera, por SHBA e BE e vende të tjera kanë edhe burimet e tyre të informacionit. Unë kam qenë pjesë e shumë prej këtyre misioneve, do të veçoja prezencën time gjatë 5 vjetëve si raportues i KiE në të gjithë zgjedhjet në Gjeorgji dhe e kam parasysh shumë mirë sesi hartohen deklaratat edhe raportet. Qëndrimet e ndryshme për këto zgjedhje janë atipike, jo si ato që kemi parë pak a shumë gjatë 30 viteve në Shqipëri apo edhe në vende të tjera të ngjashme me Shqipërinë. Duhet patur parasysh se raporti ka shumë kritika, e mes qëndrimeve apo deklaratave te ndryshme ka shumë diferenca që duhen të ndiqen me vëmendje nga opozita.
Dihet se zgjedhjet parlamentare ishin një ndër kushtet që BE i ka vendosur Shqipërisë për hapjen e negociatave. E pyetur për këtë çështje, shefja e diplomacisë portugeze, vend i cili merr presidencën e rradhës, u shpreh se thelbësor është respektimi i shtetit ligjor. Si do e deshifronit këtë deklaratë dhe a mendoni që ka shanse reale për thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Për pjesën e parë të përgjigjes nga shefja e diplomacisë portugeze mund të them se ajo me një gjuhë të drunjtë nuk i është përgjigjur direkt pyetjes, ose thënë ndryshe i është shmangur pyetjes duke dhënë një përgjigje të saktë por që ska lidhje me pyetjen. Përsa i përket pjesë së dytë të pyetjes suaj, përgjigja nuk është e thjeshtë. Sepse hapja e negociatave me një vënd të BP është shumë komplekse dhe varet nga shumë faktorë. Nëse Këshilli Europian do ti qëndrojë strikt kërkesave që i ka bërë vendit tonë, veçanërisht atyre që lidhen me zgjedhjet, por edhe me korrupsionin, trafiqet, shtetin ligjor, demokracinë, zgjedhjet e tjerë atëherë vendimi i tij do të jetë ai i shtyrjes së hapjes së negociatave. Rama duket se e ka ndjerë një vendim të tillë dhe ka filluar të reagojë si brenda me kërkesën për bashkëqeverisje ashtu edhe ndaj BE si edhe me parë duke e akuzuar se ka forca euroskeptike që e pengojnë të zgjerohet.
Folëm për problemet e shumta që shoqëruan procesin zgjedhor dhe përgjegjësitë e qeverisë e Partisë Socialiste. Do doja të dija një opinion tuajin për sjelljen e opozitës e në veçanti Partisë Demokratike. Çfarë mund të bënte më mirë opozita në këto zgjedhje dhe si e shihni prespektivën e Partisë Demokratike në vazhdim.
Së pari duhet një emision tjetër shumë më i gjatë për tju përgjigjur vetëm kësaj pyetjeje. Se dyti, opozita krahas angazhimit maksimal për të ngritur frymën e fitores, duhet të kishte marrë edhe masa më të forta për mbrojtjen e suksesit dhe denoncimin dinamik, pra gjatë të gjithë kohës, me fakte e prova të asaj që ajo sot e cilëson grabitja e madhe. Duke filluar nga denoncimi i fuqishëm i prishjes së njëanshme të marrëveshjes së 5 qershorit….Tani opozita duhet që me qetësi e racionalitet të analizojë se cfarë ka ndodhur dhe të zbulojë shkaqet që çuan në këtë situatë, si dhe ku ka grabitur kundërshtari por edhe ku ka çaluar organizimi i brendshëm e nuk jane arritur objektivat e vendosur, e tjerë e tjerë… Po e mbyll me kaq se kjo është një temë shumë e gjatë…