Gjykata e Krimeve të Rënda e ka refuzuar sot kërkesën e grupit të trafikantëve të cilët u arrestuan për laboratorin e kokainës në Xibrakë, për gjykim të shkurtuar.
Ndërmjet 9 të arrestuarve ndodhet edhe nipi i Enver Hoxhës, Ermal Hoxha. Grupi që akuzohet për “trafik droge” dhe “grup i strukturuar kriminal” përbëhet nga Gentian Gjonaj, Arjan Dalipi, Ilir Hyseni, Kelmend Dalipi nga Elbasani; Ermal Hoxha dhe Sajmir Pitaku nga Tirana si dhe Cezar Avila dhe Walter Morena nga Kolumbia.
HETIMI DHE ARRESTIMET PER LABORATORIN E KOKAINES NE XIBRAKE
Në datën 17.12.2014, ka mbërritur në Prokurorinë për Krime të Rënda një informacion nga ana e autoriteteve gjermane mbi organizimin e një aktiviteti të trafikimit të një sasie lënde narkotike, të dyshuar si kokainë, nga Shqipëria drejt Gjermanisë. Nga hetimi i kryer përmes përgjimeve telefonike dhe vëzhgimeve, rezultoi se Ilir Hyseni, pas mbërritjes në Shqipëri kishte kontakte me shtetasin Kastriot Imeri.
Në vijim të veprimeve të tij, Ilir Hyseni përveç kontakteve me Kastriotin kishte kontakte edhe me Ermal Hoxhën, përdorues i celularit 069 64 xxx 949. Në këto kushte policia gjyqësore vazhdoi me vëzhgimin e lëvizjeve të Ilir Hysenit dhe Ermal Hoxhës, derisa në datën 13 janar 2015, u zbulua se këta shtetas udhëtuan nga Tirana për në ish-magazinat e Rezervave Shtetërore në Xibrakë të Elbasanit. Në këto kushte vazhdoi vëzhgimi i këtyre ambienteve, nga ku rezultoi se, përveç Ilir Hysenit dhe Ermal Hoxhës, aty kishin akses edhe Klemend Dalipi, pronari i magazinës, Arjan Dalipi, Gentian Gjonaj dhe Saimir Batku. Rezultoi nga përgjimet telefonike se personat e mësipërm kishin komunikime të shpeshta me njëri-tjetrin.
Gentian Gjonaj rezultoi të ishte përdorues i numrave celularë 06 20 xx 189 dhe 067 20 xx 189, Arjan Dalipi përdorues i numrit 069 57 xx 975, Klemend Dalipi përdorues i numrit 068 40 xx 645 dhe Saimir Batku përdorues i celularit 067 46 xx 365. Personat e mësipërm komunikonin për vajtjet në Elbasan dhe lëvizjet e tyre. Nga vëzhgimet u konstatua se dhe dy shtetas të huaj, të cilët më pas rezultuan se ishin kolumbianë, Cesar Avila dhe Valther Moren Moreno, kishin akses tek ambientet. Nga vëzhgimet e datës 13 janar 2015, rezultoi se Ermali me automjetin e tij “Volvo”, me targë AA258KO, në orën 10:15 ka hyrë në Elbasan.
Në orën 10:30 është futur te magazinat në Xibrakë, prej ku ka dalë në orën 10:45 së bashku me dy persona të tjerë, që u identifikuan si Cesar Avila dhe Valther Moren Moreno, dhe është nisur drejt Tiranës. Edhe nga përgjimet telefonike të numrit celular në përdorim të Ermal Hoxhës, rezulton se për marrjen e tyre në Elbasan ai kontaktoi Genci Xhixhën, përdorues i numrit 069 65 xx 888, pasi ky i fundit do i takonte ata në Tiranë.
Në orën 10:54, nga numri 069 64 xx 949 Ermali telefonon Gencin në numrin 069 65 xx 888. Ermali, që ishte nisur ndërkohë nga Elbasani, i thotë se vjen për 40 minuta dhe e pyet nëse do ta takojë dikë që ai e kishte me vete, duke nënkuptuar shtetasit kolumbianë. Në orën 11:33, Genci telefonon Ermalin.
Në bisedë, Genci i kërkon që të ngjitet lart në shtëpi të zbresë çantat dhe të ikin, pasi do lëvizin shpejt. Nga vëzhgimet rezultoi se në orën 11:40, Ermali ka çuar dy personat në një pallat në rrugën “Milto Tutulani” dhe të tre, duke mbajtur dy çanta dore, janë ngjitur te kati i dytë i pallatit, prej ku kanë zbritur në orën 11:45.
Në orën 11:48, Ermali së bashku me dy kolumbianët takojnë Gentjan Gjonajn dhe Genci Xhixhën. Më pas kanë shkuar të hanë drekë në restorant. Edhe në mëngjesin e datës 14.1.2015, Ermali ka komunikuar me Gencin për transportimin e dy personave në Elbasan. Në orën 8:57, Genci telefonon Ermalin dhe i thotë se do të shkojë në Shkodër, por në fakt niset drejt Elbasanit. Duket qartë se Shkodra përdoret si emër i koduar për Elbasanin. Të njëjtin kod përdor Ermali, teksa në bisedën e datës 13.1.2015 i thotë Gencit se kishte ikur gjer në Shkodër dhe po vinte, ndërkohë që po kthehej nga Elbasani me dy kolumbianët.
ZBULIMI
Në magazinë u sekuestruan edhe një numër i madh enësh qelqi, bidonësh, kontejnerësh, fuçish, qesesh me pluhur, ku në një pjesë të tyre rezultoi se kishin brenda tyre, lëndë në të cilat në përmbajtje kishin kokainë, ishin prekursorë dhe po i rendisim më poshtë:
-Sipas aktit të ekspertimit kimik nr. 2241, ka rezultuar prani e kokainës në provat me numër…, 4 paketime të mbushura me material të përbërë nga grimca të bardha ose material të ngurtë ngjyrë pana, me peshë respektivisht 14,584 gr, 32,761 gr, 30,406 gr, sekuestruar në xhep Gentian Gjonajt.
-Sipas aktit të ekspertimit kimik nr.2132, datë 10.3.2015, ka rezultuar prania e kokainës në provën e emërtuar X 0004915 (presë metalike).
-Sipas aktit të ekspertimit kimik nr.2134, datë 10.3.2015, ka rezultuar prania e kokainës në provat e emërtuara B 0007681 dhe B 0007682 (dy prova mikrovale).
-Sipas aktit të ekspertimit kimik nr.2131, datë 10.3.2015, ka rezultuar prania e kokainës në provën e emërtuar 0024915 (tre kontejnerë me sasi lëngu).
-Sipas aktit të ekspertimit kimik nr.1942, datë 4.3.2015, ka rezultuar prania e kokainës në rrobat e Cezar Avila dhe Valter Moreno.
-Sipas aktit të ekspertimit kimik nr.1941, datë 4.3.2015, provat e emëruara B 0003185 dhe B 0007670 (dy paketime me pluhur të bardhë me peshë 3296 gr) kanë rezultuar levamisol.
-Sipas aktit të ekspertimit kimik nr.22489, datë 12.3.2015, në provën e emëruar C 0018247 (5 pako me pluhur me ngjyrë të bardhë) ka rezultuar benzokainë në pakot nr.1 dhe 3, dhe levamisole në pakot 3, 4 dhe 5