Nga Ilir Kalemaj
Këto zgjedhje nxorrën në pah disa elementë të përsëritur për të cilat ende nuk janë nxjerrë leksionet e duhura dhe nëse nuk reflektohet në kohë por persistohet në gabim, do jetë absurde të pretendohen rezultate të ndryshme. Sikundër thotë me të drejtë Ajnshtajni: “definicioni i marrëzisë është të bësh të njëjtën gjë përsëri dhe përsëri dhe të presësh rezultate të ndryshme”. Disa gjëra nga ky film ne i kishim parë dhe më parë. Nga disa të tjera opozita duhet të kishte nxjerrë leksionet e duhura me kohë dhe me vakt.
Pikësëpari, aksionet opozitare kanë qenë shpesh kuturu, pa një vizion, pa strategji, pa objektiva të qartë. Të dalë ku të dalë. Si rrjedhojë, shpesh i ka braktisur dhe ka nisur të tjera po me atë lehtësi me të cilat i niste por nuk i bitiste. Koordinimi lihej gjithnjë për në fund, madje dhe koordinimi për të pasur një reagim të fortë ndaj akteve unilaterale dhe të mirëmenduara të mazhorancës. Një opozitë laramane që nuk kishte ndarë mendjen në këto tetë vite nëse do ishte parlamentare apo jashtëparlamentare, as konstruktive apo destruktive, do luante institucionalisht dhe luajalisht apo do përpiqej të shfrytëzonte çdo të çarë të sistemit për t’iu përgjigjur diversionit me hilet e veta. Do frymëzonte duke u përpjekur të mbillte frymë apo do të luante në mbrojtje në pritje që t’i binte pushteti në pëqi.
Një opozitë që nuk nuk vendoste dot deri në minutën e fundit të dilte me listë të përbashkët apo lista të ndara. Që edhe i shkriu siglat e aleatëve brenda vetes por edhe nuk diti të nxiste mekanizma që do të maksimizonin votën brenda thesit të përbashkët. Brenda opozitës natyrisht ka dhe diferenca jo të vogla. Partia Demokratike arriti të prezantonte një program të qartë politik, ndonëse jo dhe aq të qartë ideologjik. Ishte e vetmja parti që arriti të shpaloste një program në fusha nga ekonomia dhe arsimi te shëndetësia dhe energjia. Pavarësisht se shumë pika nuk ishin kolauduar sic duhej me njëra-tjetrën apo kishte plot premtime fluturake që vështirë se mund të realizoheshin në praktikë. Krahasuar me një mungesë bilanci dhe programi nga pala tjetër që i mëshoi vetëm retorikës denigruese për kundërshtarin, batutave dhe qyfyreve elektorale gjithsesi kishin një theks më tepër në këtë drejtim.
Por gjithsesi nuk kishte një sinergji të qartë programesh ne spektrin opozitar. Artikulimi qe shpesh artificial, i sforcuar, pa një mesazh qëndror që do të adresonte nevojat e “shumicës së heshtur”, që do të rrezatonte frymë, shprese, besim. Nuk pati reflektim nga humbja e zgjedhjeve të mëparshme, nuk u nxorrën leksionet nga mungesat dramatike në organizim, për të organizuar rrjetet kapilare të strukturave në territor, për të përgatitur antarësine digjitale, për të pasur të dhëna të besueshme nga terreni dhe aftësinë për të përcuar mesazhin në kohë reale. Nuk u arrit as të krijohej një fabulë e besueshme elektorale dhe të nxitej optimizmi se fitorja ishte një realitet i pritshëm. Thjesht u bazuar më tepër te shpresa se konsumi politik i partisë në pushtet do të bënte të sajën dhe lodhja do të sillte rotacion sikundër kishte ndodhur më parë ku asnjë parti në këto tre dekada nuk kishte mbajtur pushtetin për më tepër se dy mandate. Shpresë që rezultoi fatale.
Nuk panë dhe nuk nxorrën leksioni as nga kundërshtari përballë që kishte arritur të krijonte një tapet mbulimi celulë më celulë në territor, duke shfrytëzuar patronazhistat e punësuar në shtet me paga që paguhen nga taksapaguesit por punojnë për llogari politike të njërës palë. Që gjithashtu kishin krijuar një antarësi të dixhitalizuar, me mesazhe qëndrore që përhapeshin me lehtësi, me ushtri trollesh që punonin parreshtur nëpër rrjetet sociale, me një lidhje me territorin përfshirë zonat rurale dhe periferike mjaft më të konsoliduar se opozita me njëmijë hallet e veta e cila zgjodhi të riqarkullonte figura në vend që të dinte të zgjidhte njerëz dinamikë, me vizion, të përkushtuar dhe të zotë.
Nuk u nxorrën leksionet nga 2017 as për faktin që listat nuk dorëzohen në minutë të fundit, që ato duhet të jenë përfaqësuese, që duhet të bazohen në meritokraci dhe garë dhe mbi të gjitha të përcjellin një frymë. Pra lista as mish, as peshk ku bashkoheshin militantë të vjetër, intelektualë të rinj, figura të stërkonsumuara, politikanë pa asnjë votë që vështirë se mund të frymëzonin një ndryshim apo referendum kundër pushtetit ekzistues. Nuk nxorrën as leksionet nga Kosova ku rasti i LDK që fitoi me Vjosën, humbi thellë pa të dhe po ringrihet me shpejtësi me lidership të ri dhe energjik si Abdixhiku e të tjerë. Apo rasti i Kurtit të cilit vite të gjata sakrificash por dhe konsistence për t’u lavdëruar, pavarësisht bindjeve shpesh të konstestueshme, arriti të vinte në pushtet me një votë plebishitare.
Opozita shpesh u përpoq, pa sukses, të mundte Ramën në lojën e tij, me batuta hidh e prit, me stilistikë që shpesh linte vend për të dëshiruar, me organizime mitingjesh me bllokim trafiku me makina, me një stil fushate që për shumë arsye këtë vit duhet të ishte tejkaluar. U përpoq të bënte një fushatë të individualizuar kur në fakt duhet të kishte luajtur me ekip përballë një kundërshtari që këtë herë kishte shumë asete në duar. U përpoq të bënte një fushatë me tone pozitiviste përballë një kundërshtari që deri në ditët e fundit të fushatës bëri një fushatë kryesisht negativiste. Oshte gjithashtu në mbrojte dhe shpesh reaguese ndaj një kundërshtari që cdo ditë prodhonte lajme që mbysnin ato të një dite më parë. Herë me inagurime të përsëritura, herë me skandale, herë me lajme dezinformuese që rrekeshin të mbulonin skandalin e një dite më parë.
Opozita kishte gjithashtu problemet mes ndjekjes të një qasjeje programatike që e kishte kryesisht partia demokratike apo nje qasje klienteliste që e kishte simotra e saj opozitare. Një qasje konstruktive dhe një fushatë pozitiviste si ajo që zgjodhi PD apo një opozitë radikale si ajo që ndoqi Meta që shumëkush e asocion hapur me partinë që la për t’u bërë president. Natyrisht opozita nuk duhet të presë dhe katër vjet të tjera për të filluar gjashtëmujorin e fundit organizimin e brendshëm të saj, apo të presë deri sa të vijnë zgjehdjet lokale për të nxjerrë leksionet e këtyre palë zgjedhjeve.
Çdo ndryshim për nesër fillon me reflektim sot. E para është nxitja e përfaqësimit. Primaret e vërteta për çdolloj funksioni brendapartiak dhe për kandidatës nga këshillat bashkiakë te deputetët e nesërm duhet të jenë të padiskutueshëm për t’u bërë të besueshëm. Organizimi kapilar, strukturat e forta në seksione dhe grup-seksione të hapura për prurje të reja dhe cilësore, antarësia dixhitale, komunikim politik brenda-partiak dhe ai me publikun duhet të ngrihen në nivele optimale. Për këtë duhen njerëz të rinj, ide të reja, energji pozitive dhe optimizëm. Opozita duhet të dijë të jetë konstruktive, moderne, europiane, me grintë dhe të gjenerojë shpresë. Vetëm atëherë mund të arrijë të fitojë.