Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë”, në News24, një ditë para zgjedhjeve të 25 prillit, kreu i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, foli për votimin elektronik, që do të aplikohet për herë të parë në këto zgjedhje, në Njësinë nr.10, në Tiranë.
Teksa sqaroi procesin e numërimit të votave në këtë njësi, Celibashi tha se rezultati mund të dalë për 30 minuta ose 1 orë, por është rënë dakord me partitë politike, që rezultati të publikohet në orën 08:00 të ditës së hënë.
“Ne kemi siguruar mbulimin me pajisjen e identifikimit elektronik, që do të jetë në çdo qendër votimi. Kemi filluar procesin e rekrutimit të operatorëve, pra të punonjësve të autorizuar nga KQZ, që do të përdorin këtë pajisje, dhe kemi zhvilluar procesin e trajnimit të tyre. Ajo që KQZ ka pasur në dorë të bëjë, është bërë më së miri. KQZ ka punuar edhe për projektin e votimit elektronik, që do të zhvillohet në njësinë nr.10 në Tiranë. Kjo do të thotë që zgjedhësit e asaj zone do të votojnë jo me fletë votimi, por përmes një pajisjeje elektronike. Dua ta them që integriteti dhe fshehtësia e votës është e siguruar 100%.
Rezultati i votimit në Njësinë nr. 10 do të shpallet në orën 08:00 të mëngjesit të së hënës. Pra procesi i votimit mbyllet në orën 19:00 të së dielës, do të transmetohet pajisjet komjuterike në vendin e numërimit të votave, në shkollën “Qemal Stafa”, aty do të bëhet përpunimi i informacionit. Është rënë dakord edhe me partitë politike që ky rezultat të shpallet në mëngjes, jo gjatë natës. Ky rezultat mund të shpallet për 30 minuta ose 1 orë pas mbylljes së votimit. Mendoj se ky proces do të jetë i suksesshëm, nuk kemi pritshmëri për ndonjë problematikë, se do ta kishim adresuar për të gjetur zgjidhje.
Numërimi do të kryhet nën vëzhgimin e kamerave, nëse një kamera do pësojë defekt, KQZ ka marrë masa që në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë të bëjë menjëherë zëvendësimin e saj. Nëse për një arsye apo tjetër nuk do të ketë mundësi zëvendësimi të kamerës, procesi do të vazhdojë në tavolinat e tjera, ku ka kamera. Por ne kemi marrë masat që nëse do të ketë problematika me kamera, do të zëvendësohen për 1 ose 2 orë”, tha Celibashi.
Më tej, kreu i KQZ sqaroi edhe mënyrën si janë vendosur kamerat e vëzhgimit në dhomat e fshehta të votimit, duke mos pasur mundësi të filmojnë votën e qytetarëve.
“Nuk ka asnjë lloj mundësie, sepse çdo kamerë e vënë në çdo qendër votimi, siguron ruajtjen e fshehtësisë së votimit. Janë vendosur kundër njëra-tjetrës kamera e vëzhgimit me dhomën e fshehtësisë dhe votuesi gjendet në plan përballë kameras diagonal dhe kamera nuk arrin në mënyrë absolute të regjistrojë votën. Kamera është vendosur në atë mënyrë për të vëzhguar se kush hyn e kush del në qendrën e votimit”, shtoi ai.