George Floyd vdiq nga mungesa e oksigjenit e shkaktuar nga gjuri që i shtrëngonte qafënndërsa ishte i shtrirë në trotuar, tha në dëshminë e tij një ekspert mjekësor të enjten në gjyqin e ish-oficerit Derek Chauvin. Ai e hodhi poshtë prerazi teorinë e mbrojtjes se përdorimi i drogës dhe problemet shëndetësore shkaktuan vdekjen e George Floydit.
“Edhe një person i shëndetshëm do të vdiste nëse do të trajtohej në të njejtën mënyrë siç u trajtua zoti Floyd”, tha dëshmitari i thirrur nga prokuroria, Dr. Martin Tobin, specialist për mushkëritë dhe kujdesin kritik në spitalin Edward Hines Jr. dhe i fakultetit të mjeksëisë në Universitetin Loyola në Ilinoi.
Duke përdorur një gjuhë të lehtë për t’u kuptuar, Dr. Tobin i tha jurisë se frymëmarrja e zotit Floyd ishte e kufizuar rëndë ndërsa Chauvin dhe dy oficerë të tjerë mbanin afrikano-amerikanin 46-vjeçar të shtrirë në tokë, të prangosur dhe me fytyrën në tokë, majin e kaluar.
Mungesa e oksigjenit rezultoi në dëmtim të trurit dhe bëri që zemra e tij të pushonte, tha dëshmitari.
Dr. Tobin, duke analizuar një paraqitje grafike të tre oficerëve që e mbajtën nën kontroll zotin Floyd për 9 minuta a gjysmë, tha në dëshminë e tij se gjuri i ish-policit Chauvin ishte “praktikisht në qafë” për më shumë se 90 përqind të kohës. Ai përmendi disa faktorë të tjerë që ai tha se gjithashtu e bënin të vështirë për zotin Floyd që të merrte frymë: ngritja e të dyshuarit nga oficerët përmes prangave, sipërfaqja e fortë e rrugës, pozicioni e tij, koka e kthyer dhe gjuri në shpinë.
Chauvin e mbajti gjurin në qafën e Floydit për 3 minuta e 2 sekonda, pasi Floyd kishte “arritur pikën ku nuk i kishte mbetur aspak oksigjen në trup”, tha Dr. Tobin.
Ndërsa prokurorët vazhdimisht luajtën një videoklip të Floydit në tokë, Dr. Tobin identifikoi atë që ai tha se ishte një ndryshim në fytyrë që linte të kuptohej se Floyd ishte i vdekur. Ai moment ndodhi rreth pesë minuta pasi policia filloi ta mbante Floyd-in të shtrirë në tokë.
“Në fillim mund të shihni se ai është i vetëdijshëm, ju mund të shihni një dridhje të lehtë, dhe pastaj ajo venitet”, tha Tobin. Ai shpjegoi se “Ky ishte momenti që jeta doli nga trupi i tij”.
Chauvin, 45 vjeç, është akuzuar për vrasje në lidhje me incidentin e vdekjes së George Floydit më 25 maj. Floyd u arrestua jashtë një dyqani të lagjes pasi u akuzua se ishte përpjekur të blinte një pako cigaresh me një kartmonedhë të falsifikuar 20 dollarëshe.
Videoja e regjistruar nga një kalimtare rasti, që tregon Floydin duke thënë se ai nuk mund të merrte frymë ndërsa kalimtarë të tjerë rasti po i bërtisnin oficerit Chauvin që të tërhiqej, ndezi protesta dhe veprime të dhunshme në mbarë Shtetet e Bashkuara.
Avokati i mbrojtjes Eric Nelson ka argumentuar se oficeri i bardhë, tani i shkarkuar nga puna, bëri atë që kishte mësuar në trajnime dhe se vdekja e Floydit ishte shkaktuar nga përdorimi i dorgave të paligjshme dhe problemet e tjera shëndetësore, përfshirë presionin e lartë të gjakut dhe sëmundjet e zemrës. Një autopsi gjeti shenja të fentanolit dhe metamfetaminës në organizmin e tij.
Por Dr. Tobin tha se ai analizoi frymëmarrjen e Floydit në videot e regjistruar nga kamerat në uniformat e policëve dhe shpjegoi se ndërsa fentanoli zakonisht ul normën e frymëmarrjes me 40 përqind, frymëmarrja e Floydit ishte rreth “nivelit normal” pak para se ai të humbte ndjenjat. Në mënyrë të ngjashme, ai tha se njerëzit me sëmundje të rënda të zemrës kanë ritme shumë të larta të frymëmarrjes.
Dr. Tobin gjithashtu tha se niveli i lartë i dioksidit të karbonit në gjak i matur në spital mund të shpjegohet me faktin se Floyd nuk po merrte frymë për gati 10 minuta para se ekipi i ndihmës së shpejtë të fillonte përpjekjet për ta kthyer në jetë.
Një toksikolog ligjor gjithashtu dëshmoi të enjten se ai testoi gjakun e marrë nga zoti Floyd në spital, si dhe urinën nga autopsia e tij dhe gjeti një sasi metamfetamine “shumë të ulët”. Daniel Isenschmid tha se u gjet gjithashtu fentanol dhe një nënprodukt i tij i tretur në trup, por ai nuk tha menjëherë se çfarë sasie ishte e pranishme.
Më herët, zoti Tobin shpjegoi se fakti që Floyd po fliste dhe shihet duke lëvizur në video, nuk do të thotë se ai po merrte frymë në mënyrë adekuate. Ai tha se një lëvizje e këmbëve e parë në video ishte e pavullnetshme. Dhe ai tha se një person mund të vazhdojë të flasë deri në pikën kur rrugët e frymëmarrjes ngushtohen në 15 përqind, një moment kur “ju jeni në telashe të mëdha”.
Oficerët mund të dëgjohen në video duke i thënë Floydit se nëse ai mund të flasë, ai mund të marrë frymë.
Avokati mbrojtës Eric Nelson i sugjeroi zotit Tobin se fentanoli i blerë në rrugë mund të ndikojë tek njerëzit ndryshe nga fentanoli i blerë në mënyrë të ligjshme. Ai ngriti pyetje edhe për metamfetaminën, duke theksuar se ka pak arsye për të cilat kjo drogë përdoret ligjërisht për trajtime mjekësore. Dr. Tobin ishte dakord se këto droga rrisin ritimin e rrahjeve të zemrës, por ai theksoi se ato nuk ndikojnë në ritimin e frymëmarrjes.
Në një moment, mjeku liroi kollaren e tij dhe vuri duart në qafën e tij dhe në pjesën e pasme të kokës për të demonstruar se si funksionojnë rrugët e frymëmarrjes, duke ftuar juristët të ekzaminojnë qafat e tyre. Shumica e tyre e bënë këtë, megjithëse gjykatësi më vonë u tha atyre se nuk ishin të detyruar ta bënin një gjë të tillë.
Avokati i zotit Chauvin u ka treguar në mënyrë të përsëritur jurisë imazhe nga videoja, që sipas tij tregojnë se gjuri i oficerit Chauvin ishte në supin e Floydit, jo në qafën e tij. Por pothuajse të gjitha ato imazhe janë marrë pesë minuta pasi ai mund të kishte arritur pikën kur ishte i pajetë.
/VOA