Kolegji Zgjedhor ka nisur mbledhjen për të vendosur për fatin e Fletës së Votimit, për zgjedhjet e 25 prillit. Kolegji ka pranuar kërkesën e LSI për t’ju bashkuar palës paditëse, Koalicionit PD-Aleanca për ndryshim.
Përfaqësuesi i PD, Ivi Kaso, palë paditëse, ka thënë se kërkesa e partisë së tij plotëson kriteret për t’u pranuar nga ana e Gjykatës.
“Në fletën me emra, modeli vertikalisht, identifikohen më mirë subjektet zgjedhore dhe kandidatët. Ky model u mbështet nga qytetarët në 79% në sondazhin online të KQZ”, tha Kaso.
Shqetësimi tjetër i PD-së ishte logoja e Bindjes Demokratike, që sipas selisë blu shkakton konfuzion te fleta e votimit për shkak të ngjashmërisë.
“Logoja e Bindjes demokratike është e ngjashme me të Partisë Demokratike. Kërkojmë zbatimin e Kodit. Logoja ndryshohet nga partia më e re në regjistrin historik. Shkakton konfuzion, sepse ne e testuam me një sërë njerëzish” tha ai
PD paditi vendimin e KAS për fletën e votimit të 25 prillit, pasi kjo e fundit rrëzoi kërkesën e saj për fletë vertikale dhe pranoi atë të Partisë Socialiste për kandidatë me numra.














