Prezenca e Bashkimit Evropian në Tiranë ka dalë me një deklaratë publike për sa i përket zgjedhjeve të 25 prillit në vendin tonë.
Ambasadori i BE në Tiranë Luigi Soreca dhe ambasadorët e tjerë të BE, kanë një thirrje të përbashkët lidhur me zgjedhjet duke thënë se fushatat duhet të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe pa gjuhën e urrejtjes.
Më tej Ambasadorët, kujtojnë rëndësinë e dialogut politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës. Ata kanë bërë thirrje që partitë dhe kandidatët të përqendrojnë debatet në programet përkatëse.
Deklaratë e Shefit të Delegacionit dhe shefave të misioneve të Shteteve Anëtare të BE-së në Shqipëri mbi zgjedhjet parlamentare të 25 prillit:
“Shefi i Delegacionit të BE-së dhe shefat e misioneve të Shteteve Anëtare të BE-së në Shqipëri kanë ndjekur nga afër përgatitjet e zgjedhjeve parlamentare dhe fushatës elektorale deri më tani.
Nisja e fushatës zyrtare është rasti që partitë politike dhe kandidatët t’i përqendrojnë debatet e tyre te programet përkatëse politike dhe reformat që synojnë të paraqesin për të përmirësuar jetën e të gjithë qytetarëve.
Në këtë pikë, kujtojmë rëndësinë e dialogut politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës, siç ilustrohet veçanërisht në konsensusin e gjerë ndërpartiak që çoi në marrëveshjen e 5 qershorit të Këshillit Politik mbi reformën zgjedhore. E njëjta frymë duhet të frymëzojë një fushatë elektorale që bazohet në respekt të ndërsjellë, dialog dhe vetëpërmbajtje, si dhe zhvillohet në një mënyrë paqësore, pa retorikë provokuese apo gjuhë urrejtjeje.
Zgjedhjet transparente, gjithëpërfshirëse, të lira dhe të ndershme, si dhe respektimi i rezultatit të tyre, janë të rëndësishme për të siguruar legjitimitetin e Asamblesë dhe qeverisë së re. Ne kemi besim se të gjitha institucionet përkatëse shqiptare dhe aktorët politikë do të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ne i inkurajojmë qytetarët e Shqipërisë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, duke respektuar të gjitha masat kundër pandemisë COVID-19.
Ne mirëpresim dhe mbështesim përpjekjet e organizatave shqiptare të shoqërisë civile për të vëzhguar fushatën zgjedhore dhe procesin e ditës së zgjedhjeve. Komuniteti ndërkombëtar po e mbështet dhe po e monitoron në mënyrë aktive të gjithë procesin e përgatitjes dhe kryerjes së zgjedhjeve, para së gjithash përmes misionit të ODIHR-it. Po ashtu, Delegacioni i BE-së dhe ambasadat e Shteteve Anëtare të BE-së do të vizitojnë një numër të madh vendvotimesh ditën e zgjedhjeve.
Ne qëndrojmë me vendosmëri me Shqipërinë në rrugën e pranimit të saj në BE.”