Ajo është vetëm 28 vjeçe dhe në ndryshim nga shumë bashkëmoshatare të saj, ka vetëm një ëndërr.
T’i shpëtojë barbarisë së të shoqit dhe të jetojë me 2 fëmijët e saj, të cilët që në bark janë dridhur nga frika dhe në çdo ditë të jetës së tyre kanë parë vijëzimet e dhunës të pikturoheshin mbi trupin e të ëmës në ngjyrë të kuqërremtë dhe mavi.
Kjo është historia e Behijes nga Lezha, që familja e martoi me shkuesi 9 vite më parë në Elbasan. Kjo martesë u shndërrua në një sagë dhune thuajse të përditshme.
Ajo detyrohej të lypte që i shoqi të mund të blinte drogë, ku nën efektin e saj e dhunonte, por edhe e qëllonte me thikë dhe mjete të tjera të mprehta. Gjatë këtyre viteve, ajo heshti nën frikë. Nuk mundi dot të denonconte dhunën, derisa para 2 muajsh me 6 mijë lek të vjetra në xhep ajo mori fatin e saj në dorë dhe iku nga shtëpia.
Sot, ajo është e vetme në mes të rrugës me 2 fëmijë përdore dhe e kërcënuar seriozisht për jetën nga i shoqi.
Rrëfimi:
Me bashkëshortin më njohu motra. Më rrihte, pinte hashash. Dhe fëmijët i rrihte dhe i nxinte. Mua më ka çarë edhe me thikë. Më ka përdhunuar në sy të fëmijëve.
Më ka qëlluar me shkelma në stomak. Ne kemi qenë edhe në Kosovë, dhe në Elbasan. Nuk e kuptoja ku buronte kjo dhunë. Disa herë më kë rënë të fikët nga dhuna. Ai më ka kërcënuar edhe me pistoletë. Sot dua që shteti të më ndihmojë, të më japë një strehë për fëmijët.
Pse nuk denoncove?
Sepse kisha frikë. Më tha nëse ankohesh, unë do të të vras. Kudo që shkoja e kisha nga pas si hije. Kur ne u martuam, u nisa vetëm nga fjalët e motrës. Më tha është djalë i mirë. Jetonte në Greqi. Nuk bëmë fejesë. Direkt erdhi dhe më mori dhe kështu nisi martesa.
Unë kisha ëndërr të isha e lirë. Prindërit i kisha të divorcuar. Babai më ka vdekur, ndërsa nëna është martuar. Ata kanë pasur familjet e tyre, nuk më përkrahnin dot. Më ka rritur gjyshja. Nuk kisha mundësi të ndiqja shkollën. Isha vajzë e padalë. Gjyshja më mbante brenda.
Kur të nisën problemet me bashkëshortin?
Mbas 3 ditësh. Më ka gjuajtur me shkelm në brinjë. Kot pa arsye. Nuk e dija që drogohej. Ia gjeta tek xhepi i xhupit. Më pas më detyronte të dilja për të lypur. Nëse nuk dilja, më rrihte me shkop. Kam ikur nga shtëpia, jam ndarë, dhe u ktheva për hatër të fëmijëve. Më premtoi që do të ndryshonte, por vazhdoi sërish e njëjta situatë. Na linte pa ngrënë.
Shumë episode dhune kanë ndodhur në sy të fëmijëve që luteshin që mos më rrihte më. Edhe më ka përdhunuar në sy të fëmijëve. Fëmijët kanë shumë frikë nga ai. Në Elbasan kisha frikë ta denoncoja dhe shkova në Lezhë. Aty nuk ma morën kallëzimin. Më thoshin t’u japim një 10 mijë lekësh dhe shko te burri yt. Kur kam shkuar përsëri dhe kam bërë denoncim. Ju lutem më ndihmoni për fëmijët. Nuk kam parë buzëqeshje për 9 vite. /bw