Gjykata e Stokholmit ka dënuar me burgim të përjetshëm 37-vjeçarin nga Prizreni, Adriatik Hadri, pasi u shpall fajtor për vrasjen e prindërve të tij. Ai duhet të paguajë edhe dëmshpërblim për motrat dhe vëllezërit, të cilët janë lënë pa prindër.
Një hetim paraprak suedez u iniciua për çështjen në 26 shkurt 2020. 37-vjeçari u arrestua nga policia në 3 Mars 2020 dhe që prej asaj kohe është në paraburgim. Ai u akuzua më 14 janar 2021 për vrasjen e prindërve të tij. Krimet dhe lidhja me Suedinë e personave të përfshirë, sipas ligjeve të vendit nordik do të thotë se juridiksioni suedez ekziston edhe nëse veprimet janë kryer jashtë vendit.
Ndaj Adriatik Hadrit nga Prizreni do ta kalojë gjithë pjesën e mbetur të jetës në burg. Ai është dënuar dje nga Gjykata e Qarkut në Stokholm me burgim të përjetshëm për vrasjen e prindërve të tij, Durim dhe Suada Hadrit.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Gjykata, në faqen e saj zyrtare me një njoftim që e gjeni këtu.
“Gjykata e Qarkut e Stokholmit ka dënuar një burrë 37-vjeçar për vrasjen e prindërve të vet duke i qëlluar me nga një të shtënë në kokë me pistoletë. Incidenti ndodhi më 20 janar 2020 në qytetin e Prizrenit, Kosovë. Krimi është cilësuar si vrasje dhe dënimi është caktuar burgim i përjetshëm. Personi i dënuar gjithashtu duhet t’u paguajë dëmshpërblim vëllezërve dhe/ose motrave, të cilët janë lënë pa prindër”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Sipas gjykatës, 37-vjeçari ka vrarë prindërit për përfitime financiare dhe se vrasjen e tyre e kishte planifikuar më parë.
“Vrasjet kanë karakter ekzekutimesh të pastra dhe janë kryer për përfitime financiare ndaj dy të afërmve në shtëpinë e tyre. Kjo do të thotë që vrasjet duhet të konsiderohen veçanërisht të pamëshirshme”, deklaroi prokurori Tomas Zander.
Gjykata e Stokholmit u shpreh se konstaton që i pandehuri e kishte planifikuar krimin e dyfishtë ndaj dhe vendosi ta dënojë me burgim të përjetshëm.
Jo vetëm kaq, Hadri gjithashtu duhet të paguajë dëmshpërblime për vëllezërit e motrat e tij të cilët u privuan nga prindërit e tyre për shkak se u mori jetën.
Gjykata nxori dhe shkakun e krimit. Sipas hetimit, Hadri i vrau prindërit e vet që të merrte kontrollin e pasurive familjare.
Ngjarja tronditëse ndodhi në fund të janarit të vitit të kaluar, kur brenda shtëpisë së familjes Hadri në lagjen “Ortakoll”, ishin gjetur të vdekur Durim dhe Suada Hadri.
Ata kishin vite që jetonin e punonin në Suedi, ndërsa në Kosovë kishin ardhur për pushime.
Për vrasjen e tyre, i dyshuari i vetëm ishte djali i tyre, Adriatiku, i cili kishte ikur nga Kosova, menjëherë pas ngjarjes. Ai ishte arrestuar nga autoritetet suedeze në mars të vitit të kaluar dhe gjyqi u zhvillua në Suedi, pasi viktimat dhe i akuzuari kishin vite që jetonin në vendin skandinav dhe ishin nënshtetas suedezë.